by Kleitia Vaso

Të tradhëtosh është më e lehtë se të mos tradhëtosh. Më e natyrshme, ndoshta. Instinktivisht, jemi të gatshëm ta zhvendosim peshën e zemërimit tonë me veten tek të tjerët. Justifikimi më i vogël, një hap i hedhur gabim nga tjetri, na dhuron të drejtën të dyshojmë, të zemërohemi ose trishtohemi, të tradhëtojmë. Në një mënyrë perverse i mirëpresim rrëshkitjet e të tjerëve për të marrë rrugën më të lehtë dhe të shkurtër, pa pasur guximin të zgjedhim transgresionin apo mosveprimin pa justifikimin-patericë. Zgjedhja e reagimit hakmarrës varet nga karakteri.

Një mëngjes, e përgjumur, hyra në dush, aktiviteti i preferuar dhe i tejzgjatur i mëngjesit, duke pritur transformimin e dyfishtë – pastrim dhe zgjim – që vjen nga ky rit magjik. Në betejën pa lavdi të jetës të përditshme, përgatitjet ushtarake përbëhen prej riteve mëngjesore, duke filluar me dushin e shenjtë.

Ky shpjegim, besoj, ilustron rëndësinë e kënaqësisë që pak rrethana ose individë guxojnë ta shkurtojnë ose – larg qoftë! – ta mohojnë. Por, për tju larguar sferës së mendimeve dhe për tu kthyer tek ajo e veprimeve, po qëndroja nën ujin e nxehtë, duke rihyrë ngadalë në botën aktive e produktive kur, papritmas, uji filloi të ftohej me një shpejtësi alarmante, si rrahjet e zemrës time të trazuar. “Ndoshta,” mendova, duke u përpjekur t’i arratisesha të keqes, “kam aq ftohtë sa nuk po ngrohem dot. Këto shtëpi të mallkuara! Nuk mund të jetë uji!” Por, me çdo sekondë që kalonte, uji vazhdonte të ftohej dhe e vërteta e shëmtuar nuk mund të shmangej më: dikush, përpara meje, e kishte mbaruar të tërin, pa menduar as për mua as për të tjerët. Po zemërohesha me një shpejtësi marramendëse, që pa dyshim më ngrohu, dhe vetëm doja të kapja dhe të përballja shpërdoruesin egoist të ujit. “Kush, kush mund ta bënte këtë?” pyesja veten dhe mendja vraponte nga një opsion te tjetri duke eliminuar të pafajshmit. Shpejt arrita në konkluzionin se krimineli mund të ishte veçse motra ime e dashur. Në fund të fundit, sapo kishte filluar një punë të re dhe, ndoshta, paksa e shqetësuar, kishte humbur në mendime…në vendin e gabuar. “Megjithatë”, mendova, “nuk është fare tipike e saj të neglizhojë të tjerët”. Por, ku ta shkarkoja nervin tim? Duhet ta drejtoja zemërimin  diku, nuk e mbaja dot vetë, duhet ta ndaja, ta shpërndaja.

Siç zbulova disa minuta pas procesit investigativ, isha gabuar. Ose, kisha të drejtë, sipas intuitës e cila më pëshpëriste pavarësisht mendjes së nxehtë, se mungesa e konsideratës për tjetrin nuk përbën një nga difektet e J. Një nga të miat, ndoshta. Shpjegimi më banal po i vërtetë ishte ikja e dritave gjatë natës dhe ftohja e ujit si rezultat.

Zbulimi i të vërtetës nuk më shpëtoi nga ndjenjat e tepërta rreth një incidenti të rëndomtë. Nxehtësia e shkaktuar nga zemërimi thjesht u shndërrua në valë po aq të nxehta turpi. E dija, thellë-thellë, se J., personi që njoh më mirë se çdo njeri tjetër, nuk do të vepronte kurrë duke e ditur që po dëmtonte dikë, pa arsye. Sidomos për gjëra të parëndësishme, të vogla. Por, edhe në këtë rast, dyshimi ekzistonte dhe dyshimi është tradhëti. Një version minor i Judës me potencial përbrenda për tradhëti edhe më të mëdha.

Më erdhi turp nga vogëlsia, pabesia, gatishmëria për të dyshuar. Të brendshme të gjitha, të patreguara deri në këtë moment, por ndjenja është ajo që ka rëndësi. Sepse kam bërë vetë diçka të ngjashme, u zemërova për tu çliruar.  “Pa e kuptuar” e kam përdorur të gjithë ujin e nxehtë me banjot e mia të gjata që mund t’i ndërprisja po rrallëherë ma bën zemra. Vetëm një sekondë më shumë nuk është fatale …dhe të tjerët përjetojnë surprizën e pakëndëshme të një zgjimi traumatik.

Por, me konfirmimin e intuitës dhe dyshimin e hedhur poshtë, duhet të përballesha me dobësitë e mia. Arrita konkluzionin e parehatshëm se, në fakt, unë doja që tjetri të ishte po aq pa konsideratë, i pavëmendshëm. Dëshiroja lirinë që të sjell zhgënjimi. Është më e lehtë ashtu. Por, në vend të kësaj, duhet të shihja dhe pranoja – me turp – të metat, zakonet, Judën brenda meje, aq i etur për tu zhgënjyer për tu besuar më i mirë, i barabartë. Por, kuptova, me forcë më të madhe se arsyeja e verbër, se shumë ngadalë dhe me tortura, duhet të ndryshoja.

by Kleitia Vaso