by Kleitia Vaso

Fraza train wreck (shkatërrim, aksident treni) nënkupton dikë që nuk mund të shkojë askund përveçse drejt vetëshkatërrimit zakonisht katastrofik dhe të rrëmujshëm. Zakonisht, njerëzit që meritojnë këtë përshkrim janë qartësisht jo në kontroll të botës së tyre të brendshme e cila, në këto raste, rrjedh në mënyrë të sikletshme jashtë. J., partneri im i zakonshëm në krime e aventura, po krahasonte një të njohur me një train wreck, shprehje të cilën më pas e përdorëm si një nofkë mizore për raste të pafundme. “Njerëzve iu pëlqejnë train wrecks,” tha J. “sepse mund t’i ndihmojnë duke u ndjerë më mirë për veten.

” Megjithëse fillimisht ndjeheshim larg këtij epiteti , më vonë, me gjysëm zemre, e përfshimë edhe veten në këtë kategori – në momente, jo gjithmonë – por si një kllapë ndarëse nga të tjerët vendosëm që jemi train wrecks të natës, jo aq të dukshëm por, ndoshta, për këtë arsye edhe më të rrezikshëm. Tema e trenëve dhe aksidenteve më kujtoi një profesor i cili vazhdimisht më shkaktonte të dyshoja (dhe rrjedhimisht përmirësoja) mënyrën e leximit.

Tek romani Anna Karenina, si një episod veçanërisht të rëndësishëm, ai zgjodhi kthimin e parë të Anës në Shën Petersburg pas periudhës fillestare të njohjes me Vronskin. Këtu, Ana po përpiqet t’i shpëtojë tërheqjes të pashmangshme. Si studentë letërsie duhet të analizonim elementët dhe rëndësinë e fragmentit në lidhje me tërë veprën.

Dhe, megjithëse në mënyrë teorike e kuptoja domethënien, kjo pjesë specifike nuk më dukej aq e rëndësishme deri relativisht vonë. Duke pare e shpërqëndruar filmin më të fundit bazuar në romanin e famshëm kuptova se në atë moment të librit treni fillon udhëtimin e tij mbi shina dhe asgjë s’mund t’a ndalojë deri sa të arrijë atje ku duhet. Historia fillon në atë moment, ecën pa u ndalur dhe mbaron vetëm kur mbaron dhe Ana.

by Kleitia Vaso