by Kleitia Vaso

Qendra tregtare afër punës time është njëkohësisht një lloj çlirimi dhe burgu si i vetmi vend ku mund të pish kafe dhe të ushqehesh në këto ditë të zvarritura vere. Tashmë jam mësuar me dyqanet më pak se mediokre, dekorin e tmerrshëm plot tym (një shenjë pozitive në fakt që i jep një shije shqipëtare një gjëje totalisht të huazuar) dhe i kundërpeshoj me fytyrat familjare dhe mjaftueshëm të pëlqyeshme të stafit dhe…familiariteti, në fakt, ë shtë e vetmja gjë pozitive. Një ditë , unë dhe një kolege u lumturuam më tepër seç duhej në mometin që papritmas pamë versionin e ri të rinovuar të një kafeneje paraprakisht të zymtë . As nuk më kujtohet version i vjetër, në fakt .

Tani, i njëjti vend ishte i bardhë, dielli ndriçonte nëpërmjet një dritareje në tavan (skylight) që mund të ishte dhe e re dhe e vjetër, kush e di, dhe pjesa më e mirë ishte shfaqja e papritur e disa pemësh ulliri të vendosura mes tavolinave si zbukurime madhështore.

Të dyja ishim të lumtura në mënyrë dhe sasi të paarsyeshme dhe lavdëronim vazhdimisht çfarë me siguri përbën një model dizajni interieri tashmë të dalë jashtë mode nga një këndvështrim arkitektonik. Por, më në fund, diçka jetonte brenda atij vendi të zymtë plot me rroba të refuzuara edhe nga vendet tona fqinje dhe njerëz të pashpresë të cilët kërkojnë dhe gjejnë?! kënaqësi atje, më të pajetë se dhe vetë manekinët nëpër vitrina. Derisa një kolege që i zbërthen të gjitha na tha atë që ne kishim supozuar, edhe parë në fakt, por që qëllimisht, me vullnet,

e kishim injoruar: pemët ishin fallco. “Fallco komplet,” siç na tha një kamarier ose me sens humori gjenial ose naivitet idioti. Kjo ishte e qartë nga forma dhe ngjyra artificiale e ullinjve por ne i kishim picërruar sytë dhe pastaj mbyllur fort. Nuk donim t’a dinim. Ky episod më solli ndër mend një imazh të treguar në lajmet makabre shqiptare të një inovacioni japonez: disa nëpunës japonezë në një zyrë me një plazh të çuditshëm fallco brenda, bregët e detit të të cilit përplaseshin butë në një tapet bezhë më të mërzitshëm se mërzia vetë .

Kjo sajesë ishte krijuar për të përcjellë një ndjenjë relaksi por mendimi im i parë ishte “Mund të mbytesh këtu?!” Megjithatë, pavarësisht zhgënjimit të shtirur në çastin e zbulimit të natyrës të pabesë të pemës madhështore dhe simbolike të ullirit, kisha përjetuar pak momente kënaqësie të pastër e të pafiltruar, e ngrohur nga dielli duke menduar që isha në një vend tjetër, më të mirë .

by Kleitia Vaso