by Kleitia Vaso

Kur isha fëmijë me fantazi, ende paksa larg adoleshencës e cila, në mënyrë demokratike, i kthen të gjithë në idiotë që veprojnë për kënaqësinë dhe pranimin prej të tjerëve – hapi i parë i një rruge të gjatë –  më pëlqente të lexoja dramat e Ibsen-it dhe t’i aktroja me ndihmën e një ekipi më pak entuziast. Një lojë që më argëtonte kryesisht mua, me sa kuptoj në retrospekt, dhe jo aq e zakontë sa më dukej njëherë e një kohë. E pazakontë sepse dramat e Ibsenit nuk janë për fëmijë. Megjithatë, ndoshta fëmijët mund t’i kuptjnë më mire se të rriturit pasi protagonist(e)ët e Ibsenit janë ekstrem, më afër fëmijëve se të rriturve të shpërfytyruar nga mijëra kompromise me veten e të tjerë. Si një nga librat e parë të lexuar, më kujtohen shumë detaje nga këto drama; po ta mendojmë veten si ndërtesë, për mua dramat e Ibsen-it janë themelet dhe pastaj vjen gjithçka tjetër, e vendosur sipër tyre, duke marrë pak e më pak vend.

Një nga të parat ishte Shtëpia e Kukullës, një dramë që, si fëmijë, nuk mund ta kuptoja plotësisht. Ishin pikërisht nga pjesët e paaksesueshme prej meje që më shtynin ta lexoja e aktroja.  Doja ta zgjidhja, si një puzzle, si gjithçka tjetër që e ka pasuar. Megjithatë, si vajzë e vogël, çfarë më bënte më tepër përshtypje nuk ishte problemi kryesor midis Norës dhe Torvaldit, bashkëshortit të saj, por jeta e Norës të llastuar, në dukje të paktën, e cila një fëmije i ngjan një mrekulli. Në pjesën më të madhe të dramës Nora pret vizitorë e përkëdhelet pa masë nga Torvaldi, i cili i ofron vazhdimisht biskota e bajame. Shkëlqyeshëm! S’mund t’i kuptoja nuancat e fshehura nën një jetë në sipërfaqe gazmore apo natyrën e mrekullisë që Nora pret nga bashkëshorti i saj dhe që, fatkeqësisht, nuk vjen kurrë. Tani, më ndryshe. Mu desh shumë kohë për ta kuptuar Norën megjithëse isha përpjekur të zgjatesha e zgjerohesha, si Liza, para kohe, kohë më parë.

Pavarësisht shtresave kuptimore të shtuara më vonë, detaji i parë që më bëri kurioze atëherë dhe rrjedhimisht i paharrueshëm, është një skenë në të cilën Nora, për çfarëdo arsye, nuk shkon dot në një darkë dhe Torvaldi, i cili me të sillet si një baba, për ta qetësuar e “kënaqur,” i sjell një menu. Në fakt, në këtë pikë, nuk jam e sigurt nëse ky episod i ndodhi Norës apo më ka ndodhur mua – ndoshta të dyja kemi jetuar diçka të ngjashme dhe ç’rëndësi ka qartësimi në fund të fundit. Mesa më kujtohet, ajo zhgënjehet nga kjo “dhuratë,” qartazi e menduar në moment të fundit, një reagim të cilin sot e kuptoj plotësisht. Por, atëherë, më kujtohet, m’u duk si dhurata ideale. Çfarë mund të jetë më emocionuese mendoja, se leximi i fjalëve ekzotike e të panjohura të cilat premtojnë gjëra e shije që as nuk mund të imagjinohen? Realiteti rrallëherë përputhet përveç rasteve të veçanta të cilat ndodhin papritur dhe e tejkalon fantazinë. Në kërkimin e kësaj përqindjeje të vogël jetojmë por kjo përbën një pike të vogël të tortës të madhe.Gjithsesi, nuk është ky rasti i pastave (macaroons) të Norës. Më kujtohet, për shembull, që Nora shpeshherë kënaqej duke shijuar këtë ëmbëlsira atëherë të panjohur për mua.  Nuk e di çfarë imagjinoja por tashmë që e di për një gjë jam e sigurtë: diçka edhe më ekstravagante si në ngjyra ashtu edhe në shije se ajo që përmendej.

Pas shumë vitesh në vende e restorante të ndryshme, menutë nuk më emocionojnë më aq shumë sa një here e një kohë. Megjithatë, do doja t’i lexoja ato të restoranteve më të mira edhe nëse nuk shkoj kurrë. E di vetë si i lexoj e përdor. Në fakt, mund të lexoj gjithçka e gjithçka e shkruar më intereson. Çdo gjë, me përjashtim të aplikimeve për projekte e grant-e apo dokumenteve burokratiko-administrative që më duken vdekjeprurëse. Atje, fjalët humbin çdo interes por nuk është faji i tyre. Përveç këtyre mund të lexoj edhe përbërësit e një shampoje, instruksione për përdorim të çdo produkti, receta gatimi, fjali të shkruara në mure, lista që nuk janë të miat; ende mund të shoh revista – pavarësisht se kam humbur besimin në to dhe pavarësinë e gjithçkaje nga paratë – duke zgjedhur me mendje veshjet që do të zgjidhja nëse më ofroheshin. Më intereson shumë pak nëse nuk do t’i kem kurrë.

Vite më vonë, pas Ibsenit, duke lexuar Qytetet e Padukshme të Italo Calvinos, përveç kombinimit të habisë dhe një lloj admirimi për imagjinatën njëkohësisht të shfrenuar dhe precize të autorit, më kujtohet që nuk më erdhi aspak keq që Kublai Khan e dëgjoi në vend që ta shihte një pjesë të madhe të perandorisë së tij. Besoj iu ushqyen më tepër shqisat dhe mendja me ngjyra që në realitet do shfaqeshin më të zbehta, me toka të cilat në të vërtetë kanë limite nga madhësia e bukuria.

Tashmë mund të udhëtojmë kudo. Edhe si njerëz të thjeshtë mund të mbulojmë më shumë territor, më shpejt se çdo perandor i mëparshëm. Vende me emra dikur jashtë çdo mundësie të imagjinueshme – Bora Bora, Toka e Zjarrtë – dikur pulla që doje t’i kishe me çdo kusht thjesht për të patur në pronësi një artifakt të vendeve aq misterioze sa jashtëtokësore, të përbëra krejtësisht nga bora apo zjarri në fantazitë e dikurshme – tashmë mund të vizitohen nga çdo njeri i rëndomtë, turistë me aparatë teknikë por jo ndjesorë që nuk lenë kënd pa kapur, organizues e pjesëmarrës konferencash që lexojnë papers brenda sallave ndërkombëtarisht të njëtrajtshme e të mërzitshme ndërkohë që jashtë mund të ndodhin mrekulli, apo dhe familje e grupe të cilët duan të çudisin të tjerët me tregimet e tyre të mbledhura nga cepa të ndryshëm, si Marco Polo dikur. Përveçse, tashmë interesi i publikut nuk është më i njëjti. Pak njerëzve ju interesojnë tregimet e tjetrit. Të gjithë kanë të vetat për të treguar. Marco Polo tregon por asnjë nuk dëgjon. Ose, më saktë, tregon me gishtin tregues, i cili tashmë ngjan si pjesë e telefonit, imazhet e ndryshme të vendit të vizituar. Tregon pa fjalë e pa imagjinatë, me fakte. Përjashtimi i vetëm nga kjo dinamikë universale, është një minorance e cila për çfarëdo arsye ka mbetur pa udhëtuar shumë. Më mirë për ata mendoj ndonjëherë. Pafajësia nuk rifitohet.

Para disa kohësh, në një aeroport, po shihja, e shpërqendruar, njerëzit përreth. Paksa kundër vullnetit, më tërhoqi vëmendjen zëri i lartë dhe i acaruar i një burri. Po fliste në telefon me një anglishte pothuajse perfekte përveç një theksi të lehtë ndërsa përpiqej të mbante laptopin në prehër.  Vazhdova ta shihja, jo se mu duk i veçantë; përkundrazi, pikërisht sepse më kujtoi imazhin më të zakonshëm të kohës tonë që mundohem ta harroj. Po mundohesha të kuptoja se çfarë nga ajo pamje mëse të rëndomtë më shkaktoi një lloj antipatie të menjëhershme. Ishte një burrë me pamje normale, mesatarisht i gjatë e i hollë por pa vitalitet. Gjithçka, duke filluar nga sytë, shpatullat e kështu me rradhë dukej si e rënë, si e tërhequr nga toka. Jam e sigurt që bënte vrap ose shkonte në palestër por aktiviteti fizik i planifikuar nuk zëvendëson efektet e lëvizjes më spontane dhe të natyrshme. Çfarë mungonte ishte shkëndija për të harmonizuar dhe gjallëruar gjithë pjesët pa jetë. Më kujtohet që një unazë i shkëlqente në gisht sepse menjëherë mendova dy gjëra – që njerëzit më pak tërheqës me shumë dëshirë e padurim vendosin shenja pronësie kur nuk janë aspak të nevojshme (si fjalët që shpeshherë konfirmojnë të kundërtën, ashtu edhe simbolet) dhe që diçka në pamjen e tij të kombinuar me këtë faktor mu shfaq si hipokrite dhe e pështirë. Nuk mund ta imagjinoj dot atë duke parë dikë me interes, le të mos themi dëshirë, diçka që ai s’besoj ta ketë njohur kurrë.

Po nisej për në Tokio për punë por mund të ishte duke ecur drejt supermarketit. Entuziazmi do të kishte qenë i njëjtë. Asnjë padurim apo gëzim. Ndoshta e ka vizituar me dhjetra here qytetin apo ndonjë tjetër vend të ngjashëm. Fliste për vonesa e orare, takime të ndryshme pune. Në vend të përfytyrimit të një vendi ekzotik e të panjohur për mua, imagjinova një fytyrë të acaruar nga vonesa e mosgjetje vendesh, trenë plot e përplot njerëz të lodhur, zyra, të tjerë si burri në fjalë por të lindur e rritur në vende të tjera. Duke folur të njëjtën gjuhë, një version anglishteje profesionale, pavarësisht theksit apo profesionit.

Kundër vullnetit tim, dëgjova tregimin e tij dhe humba çdo dëshirë për të parë Tokion,  Islandën, ndoshta edhe Bora Borën.

by Kleitia Vaso