by Kleitia Vaso

“Ferri janë të tjerët,” ka shkruar Sartre duke nënkuptuar se ferri lidhet me perceptimin tonë prej të tjerëve. Pra, nuk është i krijuar prej të tjerëve por me mendjet e duart tona, megjithëse njerëzit e tjerë ndihmojnë, patjetër. Për të shkuar paksa më thellë, ferri është pasqyrimi ynë tek të tjerët, refrakcioni ose fragmentimi i këtij pasqyrimi dhe, më pas, kthimi i sjelljes tonë përsëri tek ne.

Ferri im mbitokësor ka disa versione por njëri, padyshim, është ngecja në një vend fizik ose psikologjik pa opsione devijimi ose arratisjeje. Nëse këto opsione ekzistojnë, pak rëndësi ka nëse i përdor apo jo; ekzistenca e tyre më ofron sigurinë e mjaftueshmë për të përballur çfarëdolloj situate ndërsa mungesa eliminon kënaqësinë edhe të situateve të këndshme. Meditimet e mia për ferrin mbi tokë filluan në një sallë të parehatshme ku po prezantohej diçka interesante, nga dikush po aq interesant, por të pakuptueshëm prej shumicës të dëgjuesve për shkak të një barriere të madhe gjuhësore. Hendeku midis dy botëve, jo thjesht i krijuar nga gjuha por edhe përmbajtja – folësi ishte shumë më i avancuar në informacion se dëgjuesit dhe asnjëra palë nuk po sforcohej t’i përshtatej tjetrës – krijoi lëvizje dhe zhurmë në sallë, një mungesë rregulli dhe qetësie të perceptuar nga të gjithë. Ky kaos e shqetësoi dukshëm prezantuesin, një diva e vërtetë si për mirë dhe për keq, i cili u kthye drejt nesh i shpërfytyruar dhe na urdhëroi të bënim një zgjedhje, të iknim në atë moment, ose të rrinim, pa lëvizur. Deri në atë pikë, doja të rrija pavarësisht kushteve më pak se ideale por, sapo u deklarua zgjedhja midis njërës ose tjetrës, vendosa të rrija për të mos qenë e pasjellshme por doja vetëm të ikja…me vrap.

Fatkeqësisht, në orën që pasoi nuk dëgjova asgjë – ndjeja veç temperaturën e dhomës që rritej nga ngrohja dhe frymët tona, nuk shihja qartësisht dhe imagjinoja veten duke u zvarritur këmbadorazi për të dalë nga dhoma. Në këtë çast të shkurtër konkretisht, por të gjatë në sensin metafizik, asnjeri real nuk më ndihmoi por, fatmirësisht, Dante, nga thellësitë e ferrit të tij, erdhi të më shpëtonte, si Andromaka e Baudelaire-it tek poezia e famshme, Mjellma. Ndodh, në momente, që të ndjehesh më afër me heronj fiktivë, të zhvendosur në kohë dhe distancë, sesa me njerëzit që të rrethojnë.

Ndihma e Dantes, më tepër se një lehtësim, mori formën e një mësimi që të paktën ofroi një lloj kuptimi për vuajtjet e mia. Duke u sforcuar thjesht për të qëndruar në atë sallë, mendova episodin të cilin e kisha përjetuar menjëherë përpara se të hyja në sallën në fjalë. Në një dhomë, e bezdisur nga zhurma e njerëzve përreth, ngula këmbë disa herë që ata ose të pushonin ose të largoheshin. Zhurma e lehtë por pa pushim po më acaronte pa masë dhe, pa u përpjekur të kuptoja shkakun e saj, gjaku më vërshoi në kokë duke më errur sytë dhe poshtërova sa munda njeriun e përgjegjshëm për të. Duke e nxjerrë jashtë, në fakt, pa dëgjuar asnjë fjalë justifikuese.

Më pas, në kulmin e parehatisë në sallë, e mendova personin e vënë në një pozitë të sikletshme prej meje, pa marrë në konsideratë çfarëdolloj problemi që mund ta kishte shtyrë të fliste. Lektori i pakuptueshëm u soll në të njëjtën mëyrë me ne; ai nuk e konsideroi për asnjë moment mundësinë se arsyeja e mungesës të përqendrimit tonë ishte pjesërisht faji i tij. Edhe e folura konstante e vajzës tregon një mungesë konsiderate për të tjerët por këmbëngulja ime për qetësi absolute krijoi një atmosferë plot stres e tension të prekshëm e të dukshëm. E ngecur në sallë, në pozitë të ngjashme me vajzën që kisha sulmuar, e cila ishte po atje si bashkëvuajtëse, përfytyrova Franceskën dhe Paolon në rrethin e dytë të ferrit të Dantes, atë të epshit, të ngecur në një vorbull stuhie, të rrahur e të torturuar nga era, metaforë e pasioneve të tyre të paligjshme të cilat i kishin udhëhequr në jetë. “Karma është një k…ë,” mendova “e shpejtë, që s’të fal,” do të shtoja, e duke harruar veten, fillova të ndiqja çpo ndodhte rreth meje, pa e kuptuar.

by Kleitia Vaso
  • Iva Tavanxhiu

    hahahah kam qeshur qe ne momentin qe kuptova qe mund ta di se kush pershkruhet ketu dhe cdo resht qe kaloja ka qene shume i lezetshem duke u udhehequr nga kjo ide!! kjo sepse ndoshta mund te jete e vertete qe e di per ke behet fjale ose sepse pershkrimi ishte aq i qarte sa te me ben mua te reflektoj sot mbi nje gjendje timen qe si isha futur kaq me detaje ate dite qe isha ndjere keshtu. E bukur! 🙂

    • kleitia

      Shume falemnderit Iva 😉 Po kam idene qe e ke kapur per ke behet fjale – ate dite ishte si te shihja veten ne nje version me te ekzagjeruar…por te pakten e di cfare nuk duhet bere edhe nese ndodh. Sa mire qe thua qe mund ta kuptosh se ke perjetuar dicka te ngjashme – se nuk dua te kete lidhje vetem me mua:)