Verbëri

I admiroj njerëzit të cilët kërkojnë vazhdimisht të njohin e kuptojnë veten-me guxim e jo në mënyrë sipërfaqësore- dhe përsëri ndjehen disi të qetë me çfarë zbulojnë; në të kundërt, kam më pak konsideratë për ata që e shmangin këtë proces të paparashikueshëm sepse rrjedhimisht, kanë më pak njohuri dhe më pak për të ofruar, por ndjej një fare zilie për rehatin e tyre të përditshëm. Read more

Një Bisedë Pa Peshë Në Mini Market

Duke dalë gjysëm të sëmura dhe të lodhura nga një prej mini marketeve të lagjes, unë dhe J. po përpiqeshim të ndanim barazisht dhe drejtësisht qeset e stërmbushura me gjëra kot dhe plot. Ndërkohë që përpiqeshim, pa fjalë, të ndihmonim njëra tjetrën pa dëmtuar veten njëkohësisht, vumë re që dilema e vërtetë qëndronte jo aq shumë në shpërndarjen e peshës, sesa në ndarjen e vlerave; njëra duhet të merrte një qese gjigande me letra higjenike, ndërkohë që tjetra thjesht duhet të duronte peshën. Read more

Çekuilibrim

Duke vëzhguar, pa u dukur, një skenë të një çifti të cilin e njoh nga afër që në fillimet e tij të zjarrta dhe premtuese, m’u kujtua filmi 2046. Në fakt, si me çdo gjë të bukur, mbaj mend vetëm fragmente të këtij filmi, por ato që më kujtohen më kthehen të plota dhe të fuqishme,  zakonisht për t’i dhënë kuptim e ngjyrë ndonjë ngjarjeje në jetën reale. Read more

Ëndërrimtarët

Asnjëherë nuk e kam vlerësuar veçanërisht filmin The Dreamers/Ëndërrimtarët të Bernardo Bertoluccit; në fakt, e kam nënvlerësuar deri më sot kur, papritmas m’u kujtua pa lidhje me ndonjë gjë konkrete dhe, po aq papritmas, kapa thelbin. Filmi përqëndrohet në historinë e ndërlikuar dhe perverse të një motre dhe vëllai të cilët shprehin ndjenjat e ndërlikuara për njeri-tjetrin nëpërmjet një personi të tretë.

Në sfond të lojërave kryesisht emocionale/seksuale të të dyve dhe obsesionit me kinemanë (mjet i zakonshëm i arratisjes nga realiteti), zhvillohen protestat e studentëve francezë gjatë viteve ’60 të cilat injorohen pothuajse plotësisht nga protagonistët tanë.

Refuzimin e botës reale nga personazhet kryesorë e kam kuptuar gjithmonë; jo vetëm e kuptoj por identifikohem me atë lloj pozicionimi ndaj realitetit të përditshëm. Por, thelbin e filmit e kisha kutpuar thjesht me logjikë deri në momentin kur duke menduar për disa ndërlikime personale pjesërisht të krijuara ose të paktën të zmadhuara, ndjeva që në vend që të bëja atë që duhej – shkruaja, përktheja –po zhytesha me vetëdije në një vuajtje gjysëm- artificiale qëllimisht për të shmangur detyra ose dhe kënaqësi që kërkojnë pak mundim; po shteroja çdo burim energjie për punë duke e kanalizuar në një drejtim më të natyrshëm e që sjell më shumë kënaqësi…pa aq mundim.

Në një moment, duke vrapuar pothuajse pa zhurmë nga këto mendime të parehatshme, e kuptova shumë qartë motivin, arsyen e vëllait dhe motrës dhe lojërave të tyre emocionale: në një botë të izoluar të krijuar nga ata vetë dhe nën kontrollin e tyre (pavarëisht rrezikut të rrëshkitjes në zona tepër tëdyshimta), të dy dëshpërimisht mbahen fort tek fëmijëria e tyre, refuzojnë ndërhyrjen e botës së jashtme. Në fund, kontakti me botën konkrete i vret sepse nuk janë të përgatitur.

E kuptova në një sekondë thelbin dhe m’u kujtuan fjalët e dikujt të cilat gjithashtu i kuptova vërtet vetëm në lidhje me filmin: seksi është streha e të friksuarve, një botë lodër kur ke frikë të dalësh përjashtë dhe të përballosh kufizimet dhe, akoma më e rëndësishme dhe e rëndë, të përballosh mundësitë dehëse dhe çoroditëse për të krijuar diçka më konkrete.