by Kleitia Vaso

Duke vëzhguar, pa u dukur, një skenë të një çifti të cilin e njoh nga afër që në fillimet e tij të zjarrta dhe premtuese, m’u kujtua filmi 2046. Në fakt, si me çdo gjë të bukur, mbaj mend vetëm fragmente të këtij filmi, por ato që më kujtohen më kthehen të plota dhe të fuqishme,  zakonisht për t’i dhënë kuptim e ngjyrë ndonjë ngjarjeje në jetën reale.

Ndonjëherë, për fat, rikthimi dhe ngjyrimi i episodeve reale shoqërohen nga kolona zanore e jashtëzakonshme e filmit.  Në këtë rast, m’u kujtua zhvillimi i historisë midis një playboy kinez, i cili ka humbur aftësinë dhe dëshirën për t’u dashuruar, ose më saktë, e ka shpenzuar atë diku tjetër, dhe një “shoqërueseje” të shtrenjtë, e cila në fillim i refuzon sulmet e tij, vetëm për të rënë në dashuri me të në vazhdim. Veprimi thelbësor i filmit qëndron tek shkëmbimi i lekëve midis të dyve; në fillim, protagonisti paguan për shoqëruesen, të cilën e pëlqen jo vetëm për seks  por edhe për shoqëri. Në fund të filmit, është ajo që e paguan protagonistin me lot në sy e zemër të lënduar,e frustruar nga pamundësia për të depërtuar përtej një kufiri të padukshëm por  të palëvizshëm.

Në të vërtetë, lidhja me çiftin real nuk ishte e menjëherëshme siç e prezantova në hyrje. Në momentin në të cilin isha dëshmitare, pashë që ai, i cili pak kohë më parë kishte qenë pothuajse i hipnotizuar nga ajo, tashmë ishte shumë i qetë dhe ishte ajo që po e humbte gradualisht, por dukshëm, qetësinë dhe kontrollin. Më vonë, kur skena dhe filmi m’u rikthyen së bashku, pa shpjegim, kuptova se çdo marrëdhënie nënkupton shkëmbime e lëvizje ekuilibresh; me dëshirë ose jo, atë që ke marrë do e kthesh në një moment e kështu me rradhë.

by Kleitia Vaso