by Kleitia Vaso

Jam mirënjohëse për momentet ku jam ndjerë aq e lumtur sa kam menduar se pikërisht në atë vend dhe në atë moment nuk do të më bënte përshtypje edhe të vdisja. Sigurisht, fakti që jam ende gjallë nuk më mërzit por pikërisht sepse jeta premton kësisoj momentesh, sado të rralla. Nuk e di a i kanë të gjithë këto mendime në të tilla çaste apo është anormale ta lidhësh lumturinë me mendime makabre ndërkohë që e përjeton atë, por mua më ka ndodhur. Sa përmbushëse aq edhe e rëndë, për të parafrazuar në shprehje e ide Kunderën, kjo lloj gjendje është e mundur vetëm në momente afërsie ekstreme me njeriun e dashur, personin e dashuruar me ty dhe prej teje.

Imazhe ose kujtime të botës të krijuar prej kësaj afërsie zgjojnë një sërë imazhesh dhe frazash në të njëjtën kohë, sepse krahas vdekjes, edhe më tepër se ajo, dashuria përfaqëson temën më të menduar, padyshim më të eksploruarën në art.  Secili nga imazhet apo shprehjet përbën thjesht një fragment ndriçues të një misteri shumë më të madh të cilin mundohem ta zgjidh më tepër nga kënaqësia e proçesit të zbulimit sesa gjetjes të një përgjigjeje. Ajo nuk do të jetë kurrë e plotë, prandaj zgjidhja nënkupton përjetimin, të kuptuarit dhe vlerësimin e një mometi të caktuar në kohë, vendosjen e tij eventuale në vendin e përshtatshëm të puzzle-it më të madh.

Fatmirësisht, raste të rralla ekzistojnë të cilat për shkak të intensitetit të tyre nuk lënë hapësirë për të dyshuar rëndësinë e tyre edhe ndërkohë që ndodhin. Këto janë çaste të një lumturie aq ekstreme sa për pak rrezikon të takohet me të kundërtën e saj, dhimbjen, humbjen, vdekjen.  Në lidhje me këtë lumturi të cilën Orhan Pamuk e cilëson si absolute, më vijnë ndërmend fraza dhe imazhe që evokojnë botën pa-vend e pa-kohë të dy personave të dashuruar. Bota e Fysynit dhe Qemalit në Muzeun e Pafajsisë, aq bukur e shprehur nga Pamuku si një botë më vete, e pandashme nga drita e diellit dhe zhurmat e rrugës që e shoqërojnë, por thellësisht e shkëputur nga çdo gjë tjetër që fatkeqësisht gjithnjë rihyn e ftuar apo e paftuar.

Është e njëjta botë e çudirave si tek Liza por për të rritur, ajo e simbolizuar vizualisht në mënyrë perfekte tek versioni i fundit i Ana Kareninës në skenën e ballos, në kërcimin e parë të dy protagonistëve. Regjisori e përdor zgjuarsisht këtë kërcim për të treguar historinë e çiftit nëpërmjet koreografisë, pa fjalë: fillimin hezitues të kërcimit, tërheqjen e pashmangshme midis Anës dhe Vronskit të rrethuar nga çifte të tjera vallëzuese, rritjen e interest të turmës në gjestet e dy protagonistëve, injorimin e pavullnetshëm të turmës prej çiftit, e realizuar vizualisht nëpërmjet fshirjes graduale të figurave të tjera, rikthimin e paevitueshëm të të tjerëve dhe ndërhyrjen e tyre në botën prej të cilës ishin përjashtuar. Bota e Evës dhe Adamit, në fund të fundit, origjina e tërë këtyre përfaqësimeve të cilat janë ekot, përpunimet e saj.

Të gjithë personazhet e sipërpërmendur e njohin mirë humbjen e lidhjes me botën jashtë, vorbullën e pamanovrueshme që i lëviz të dashuruarit rreth njëri-tjetrit, dehëse fillimisht, rraskapitëse më pas,  përjashtimin e natyrshëm të faktorëve të jashtëm, kënaqësinë dhe trishtimin maksimal, gjithmonë të ndërlidhur, lumturinë e madhe e cila gjithmonë shkakton dhe përmban frikën e humbjes së saj.  Megjithëse – apo pikërisht sepse? – e pakapshme dhe jetëshkurtër, është e vetmja mikrobotë  që fal momente lumturie dhe rëndese të vërtetë, e vetmja e cila krijon momente pafajësie.

Pafajësie jo në kuptimin e mungesës së fajit por mungesës së falsitetit. Faji i vetëm i ndaluar në këtë botë sepse prezenca e tij do ta shkatërronte menjëherë, është shtirja. Por, në raste dhe çaste dashurie të vërtetë, dëshira për të njohur dhe për tu njohur nga tjetri tejkalon mendimin analitik, llogaritë, pozimin.  Një gjurmë falsiteti do ta shëmbte të tërën. Për një pauzë të shkurtër por të domosdoshme në aktrimet të lodhshme dhe pa fund në jetët tona, kjo forcë eliminon, si pa u ndjerë, refleksin artificial për të dhënë përgjigjen e duhur, për të fshehur kuriozitetin e vërtetë, për të mos treguar  entuziazmin e pazbutur për tjetrin, veten, dashurinë, jetën. Përkohësisht, gjithmonë.

Për këtë shfaqje të domethënies të të qenit gjallë, sado e përkohshme, më prekin vepra, kryesisht këngë që e lidhin dashurinë njerëzore me fenë ose, më saktë, e trajtojnë atë si fenë kryesore, apo ndoshta të vetmen.  Disi e mbiekspozuar kohët e fundit, por e përjetshme siç mbeten veprat më të vërteta të artit, në Take me to Church, Hozier i thotë të dashurës/it se vetëm kur ata janë fizikisht bashkë, vetëm atëherë ai ndihet “njeri, vetëm atëherë i pastër”. Kur e dëgjoj edhe unë dua të harroj çdo difekt, gabim, mungesë harmonie që ka ekzistuar pas momenteve të tilla afërsie të jashtëzakonshme. Lehtësisht e emocionuar në këto raste, do të doja ta rikapja parajsën e humbur edhe një herë. Por, siç e dimë, Eva dhe Adami nuk u kthyen në kopshtin e Edenit. Nuk mund të pretendonin si ne sepse nuk kishin vetëm njëri – tjetrin për të gënjyer. Çdo fe kërkon besim. Kur besimi tek feja ose pafajsia e kësaj bote humbet, protagonistët duhet ta pranojnë të vërtetën dhe të bashkohen me turmën, vëzhguesit e vallëzimit të të tjerëve.

by Kleitia Vaso