by Kleitia Vaso

Eseja e mëposhtme, në të vërtetë, është shkruar gjatë disa ditëve, të cilat  përfshijnë disa sfonde skenike, nga një park i bukur e i gjelbëruar, tek e kundërta estetike, xhama, bardhësi dhe pastërti ekstreme dhe, më në fund, tek një ambient tërësisht démodé, me perde të rënda dhe grupe burrash që pijnë e hanë sikur ky  të jetë qëllimi i vetëm i jetës. Përveç skenave që ndryshojnë, kompozimi real i esesë përfshin gjithashtu disa biseda me njerëz, të cilët, në mënyrë të natyrshme, më frymëzojnë të mendoj e analizoj; ose  mendimet e të cilëve kanë aq rëndësi sa, gjatë bisedave me ta, shqisat e mia janë të mprehura maksimalisht dhe, nëpërmjet një përpjekjeje të dyfishtë për t’i kuptuar dhe për t’i impresionuar ata, njoh më mirë veten e mendimet e mia në lidhje me të tyret.

Zinxhiri i rastësishëm i mendimeve më poshtë filloi nga një deklaratë, e thënë nga F. si fjalia përfundimtare e një tregimi: “O të parët o të fundit,” tha ai, diçka që kujtova në ditët në vazhdim. Kjo fjali më bëri të kuptoja rezistencën time ndaj fenomenit që po atë ditë e vëreja gjithandej: njerëz të zakonshëm, duke shëtitur në grupe ose duke pirë kafen e rregullt e së dielës në një nga të vetmet hapësira të gjelbërta të qytetit. Në fakt, parku më pëlqen vërtet dhe do të shkoja atje më shpesh, por diçka në atë turmë njerëzish, në rutinën e tyre më bën të mendoj se janë të robëruar nga monotonia e jetës së përditshme dhe pretendojnë të jenë të lirë dhe të kënaqur vetëm për një paradite të shkurtër. Kur shoh këto familje identike, në dukje, më pushton një ndjenjë mbytëse letargjie dhe pafuqie. Ndërsa shihja përreth, vura re disa pleq, të varfër në dukje e gjysëm të veshur,  te cilët luanin me letra e lëshonin një aromë të fortë duhani. M’u duk se ky grup po merrte më shumë kënaqësi nga rrezet e diellit dhe gjelbërimi. Por, mund të gaboj për secilin rast.

Çështja e mesit dhe ekstremeve u bë tema e një tjetër bisede midis miqve. Këtë herë, biseda ishte rreth një vrasjeje të katërfishtë, e kryer nga djali i një familjeje relativisht të njohur. Personi në fjalë, fajtor për një vrasje të mëparëshme, ishte liruar pas dy vjetësh burgim e ka një historik i cili përfshin episode të frikshëm si ky, si nga këndvështrimi personal ashtu edhe nga një këndvështrim më i gjerë i cili konsideron vlera abstrakte, si drejtësia, dhe manifestimet konkrete të saj në zbatimin, ose jo, të ligjit. Kur e dëgjova lajmin, ndjeva keqardhje për mamanë e cila me ngjau si vetë imazhi i tragejdisë, njëkohëisht i tmerrshëm dhe i jashtëzakonshëm; i rëndë, në sensin edhe “me peshë”. Si një tragjedi e vërtetë, historia përfshin dhimbjen e saj pamasë, pyetjet apo dyshimet e pashmangshme ndaj vetes si  edhe traumën e ekspozimit dhe poshtërimit publik. Ndjeva keqardhje deri në momentin që ajo, në deklaratën e saj të tërheqjes nga roli në qeveri, në një mënyrë, përjashtoi familjen e saj nga veprimet e të birit. M’u kujtua filmi Duhet të flasim për Kevin, ku mamaja e një krimineli të ardhshëm – i cili vret njerëz në shkollën e tij si të ishin kukulla – gradualisht fillon të kuptojë se akti kriminel i të birit lidhet ngushtë me pajtimin e saj të përciptë me sjelljen e tij të dhunshme që në fëmijëri dhe me afeksionin e saj sipërfaqësor ndaj tij. Ndër vite, djali e sfidon vazhdimisht, pikërisht që ajo të ndëshkojë sjelljen e tij mizore – në fakt, i vetmi rast në të cilin ai tregon një lloj respekti ndaj të ëmës vjen si rrjedhojë e ndëshkimit fizik – por ajo nuk mundet sepse përpiqet vazhdimisht të kompensojë për një dashuri që nuk ndjen realisht. Prindërit në film nuk bisedojnë asnjëherë me Kevin dhe as nuk flasin për të.

Në rastin real, nuk mund të them se problemi ka të bëjë me mungesën e dashurisë sepse kjo është diçka që nuk mund t’a di. Por mbulimi dhe “shpëtimi” me ngut i djalit, e fundosi më thellë atë dhe, ndoshta, përjetësisht, atë dhe ata më të pafatët. E parë nga jashtë, duket se mbulimi i përciptë eviton përplasjet e dhimbshme gjatë rrugës; shmang kërkimin e arsyeve të vërteta që rezulton në rregullimin sipërfaqësor e të nxituar e gjendjes më pas.

Por përsëri, ndjej keqardhje për mamanë e vërtetë; dhe mund të them edhe se djalin kriminel e kuptoj disi, sepse, i mbrojtur vazhdimisht nga njerëzit e afërt, ai mendoi se mund të shmangte pasojat e një krimi aq të rëndë. E kuptoj, ndonëse ky është një rast ekstrem, se nëse ka një shpëtim nga pasoja dhe ndëshkimi, njeriu ka kapicitet të kryejë veprime gjithnjë e më të guximshme e të frikshme. Bashkëbiseduesi i dytë deklaroi se nuk mund t’a kuptonte aspak dikë që mund të kryej një akt kaq ekstrem, qoftë ai edhe pasojë e një varësie ekstreme. Madje, edhe varësinë ekstreme nuk mund t’a kuptonte. Ndërsa unë mendoj se këtë të dytën mund t’a kuptojnë të gjithë por, ndoshta, në fusha të ndryshme, veprimin e dhunshëm, unë të paktën mund të them se e kuptoj pse ndodhi në teori. Po mendoja “A ekzistojnë fenomene që nuk i kuptoj as në teori?” Si përgjigje, m’u kthye imazhi i familjeve në park, njerëzit e zakonshëm; ata që i vjedhin vetes lirinë nga jeta e përditshme – ose ia mundësojnë këtë vjedhje të tjerëve. Ata që duket se gënjehen me vullnet të lirë.

Nuk ka nevojë të përmend se krimi i djalit është i pafalshëm, nga çdo këndvështrim. Ajo që dua të theksoj është se edhe mashtrimi i vetes dhe, rrjedhimisht, i të tjerëve, rruga e rënë shkurt që shmang dhimbjet e përkohëshme por edhe mirëqënien e vërtetë të marrëdhënieve njerëzore, mund të na drejtojnë në këto rrugë të gabuara.

 

by Kleitia Vaso
  • Princesha MbiBizele

    Nje nga esete me te bukura per mua 😉

    • kleitia

      Faleminderit princeshe! Nuk isha e sigurt se m’u duk pak e ashper por eshte cfare mendova ne fund te fundit. I like that you like:)

    • joravaso

      Po, edhe per mua..