by Kleitia Vaso

Borges kishte të drejtë për metaforat: poetët përdorin të njëjtat dhe ato më klishe shprehin të vërtetat më të mëdha. Njeriu, kur rritet, i përjeton dhe, rrjedhimisht, kupton këto klishe që mohohen në rininë sipërfaqësisht moskokëçarëse, indiferencë e cila thjesht maskon mungesën e eksperiencës. Jeta është luftë, oqean i trazuar e të tjera. Njeriu i vetmuar, anije e rrethuar nga pafundësia vetë. Mundësisht drita e vetme në një det errësire. Vetëdija, molla e dijes, ushqyese dhe shkatërruese njëkohësisht. Mendja është labirint, zoti, jo shërbëtori.  Momenti i duhur për të qenë luan apo dhelpër, theksoj fjalën moment. “Dashuria jote është si një trëndafil i kuq,” emocionuese dhe e zajrrtë por me një afat skadimi po aq të sigurt sa vdekja. Në një pikë, zakonisht shume herët apo tepër vonë, do të ndjesh dhimbjen në kraharor e cila njëherë e përgjithmonë do të sqarojë lidhjen e marrë si të mirëqenë por iracionale midis ndjenjave dhe zemrës. Ja edhe thyerja e zemrës.

Pyet gjithkë që ka ndjerë diçka vërtet të fuqishme dhe me siguri do të përgjigjen se në raste gëzimi apo shqetësimi të madh kanë menduar vetevetiu lloj-lloj metaforash të lodhura dhe të mbipërdorura. Zakonisht, ato mbi shqetësimin. Edhe shpirti më kreativ dhe i ndjeshëm, apo njeriu më inteligjent e më i rafinuar, padyshim ka rënë ushtar i plagosur në betejën e dashurisë.

by Kleitia Vaso