by Kleitia Vaso

Shkaktimi i dhimbjes fizike ndaj vetes, ose vetëdëmtimi i vullnetshëm, ka qenë gjithmonë i pakuptueshëm për mua. Në filma e libra, pothuajse nuk e dalloja ç’ndodhte kur protagonisti/protagonistja priste, pickonte a lëndonte veten dhe në jetën reale habitem gjithnjë si të ishte hera e parë kur njerëz kafshojnë e gjakosin thonjtë e gishtat e tyre, për shembull. Ndoshta duke qenë një njeri që anon më tepër drejt kënaqësisë dhe do të përqëndrohet në anën pozitive të jetës sesa dikush që mund t’a privojë veten nga elemente të ndryshme hedoniste, nuk mund t’a kuptoja se si mund t’i shkaktosh vetes dhimbje, të paktën qëllimisht.

Tema e vetëlëndimit nuk më erdhi në mendje në një ditë të zymtë; përkundrazi, po e analizoja gjatë një dite madhështore, plot diell e aromë vjeshte, gjatë një bisede rutinë me dikë në punë. Disa ditë para bisedës tonë, personi në fjalë kishte pasur një dhimbje të padurueshme dhëmbi, një dhimbje që të gjithë e dimë mund të shndërrojë edhe njeriun më të fortë e rezistent në një bebe qaramane dhe të pazotë për të ndihmuar veten. Përpjekja për të ngushëlluar kolegen më rikujtoi disa ditë të tmerrshme gjatë të cilave dhimbja paralizuese e dhëmbit nuk më linte të mendoja asgjë tjetër. Sigurisht, trajtimi më i denjë i dhimbjes së dhëmbit i përket Dostojevskit, njohësit më të mire të vogëlsisë dhe dobësive njerëzore, në romanin e shkurtër “Shënime nga Nëntoka.” Nuk me kujtohet fjalë për fjalë- afërsisht, “Edhe në një dhimbje dhëmbi ekziston kënaqësia” – por çfarë mbaj mend mire është se protagonist i tekstit, hiper i ndërgjegjshëm për çdo mendim dhe lëvizje të vetën – njeriu kontemporan i blogjeve të sotme është një version- e konsideronte këtë dhimbje, përgjithësisht të parrezikshme por të papërballueshme, si një leje të cilën të rriturit e përdorin për t’u shpërqëndruar nga streset e tyre të panumërta dhe për t’u rikthyer për pak kohë në fëmijë. Dhimbja, vetevetiu, përthith gjithë vëmendjen dhe nuk ka inteligjencë e vullnet që nuk fshihet brenda një çasti nga forca e saj.

Ky varg i gjarpëruar mendimesh më solli tek dita, kur, në një mënyrë paksa qesharake siç më ndodh rëndom, pata një moment qartësie mbi vetë-dëmtimin. Sigurisht, duke vërtetuar faktin që njerëzit kuptojnë diçka vetëm kur e përjetojnë vetë, e kuptova këtë veprim vetëm duke ia shkaktuar– padashur- vetes. Ndërkohë që isha duke udhëtuar në makinë me një vajzë të cilën nuk e njihja mirë, vura re se po nervozohesha përherë e më tepë prej monologut të vazhdueshëm e pa ndërprerje të partneres time të udhëtimit.Rruga ishte mbi një orë dhe në fund të saj, duke ndjerë një dhimbje të lehtë, ula sytë dhe pashë se kisha pickuar pothuajse deri në gjakosje, këmbën time të mjerë. Opsioni tjetër, siç duket, nëse nuk do të kisha dëmtuar veten time, do tëishte të bërtisja në kupë të qiellit, “Ndalo, të lutem!” dhe pastaj të dilja, përgjithmonë, nga makina.

by Kleitia Vaso