by Kleitia Vaso

Zgjodha librin mediokër të Haruki Murakami-t Çfarë Them Kur Flas Për Vrapin për lexim në plazh sepse, ndër të tjera, esetë personale janë zhanri im i preferuar dhe doja gjithashtu të mësoja më shumë për shkrimtarin, i cili së fundmi është bërë më i njohur në Tiranë. Më kujtohet përciptazi leximi i Kronikat e Zogut të Kurdisur për një klasë letërsie në Amerikë. Shkrova edhe një ese mbi këtë vepër. Kujtoj përfshirjen dhe kuriozitetin tim ndërsa e lexoja sepse ishte një libër relativisht misterioz; ndërkohë që tani nuk më kujtohet gjë tjetër përveçse një boshllëku të madh në qendër të romanit, i cili ndoshta përfaqësonte edhe idenë kryesore të libri. E sigurt mbetet se ky roman nuk më la përshtypje më pas! Vendosa t’a rikonsideroja autorin në mënyrën më të lehtë: leximin e një libri relativisht të shkurtër. Në libër, aktiviteti i preferuar i shkrimtarit (vrapi) përdoret për të shprehur diçka shumë më personale. Mund të quhet një rrëfim nëpërmjet një maske, mënyra e preferuar e rrëfimit për mua. Libri ka disa momente interesante, por çdo njeri me inteligjencë mbi-mesatare mundet lehtësisht të arrijë konkluzionet e Murakamit; për një vështrim të drejtpërdrejtë në mendimet e autorit, lexo Opinione të forta të Nabokov-it. Megjithëse mund të ndjesh antipati për snobizmin dhe arrogancën e tij të herëpashershme, do të mrekullohesh nga mendja prizmatike dhe e shumështresëzuar e autorit; lexo Letra për një poet të ri të Rilkes ku kombinimi i mendjes, emocionit, dhe mendje/zemërhapjes të tij ndaj botës do të të prekë …një qënie e gatshme të kuptojë e përthithet nga gjithçka përreth. Por, po devijoj…

Duke lexuar pjesë nga eseja e gjatë e Murakamit, humba përqëndrimin dhe nisa kërkimin e ndonjë interviste të shkrimtarit për të parë nëse do më dukej më interesant kështu. Më në fund, zbulova një thënie që më pëlqeu, ku autori shpreh se nuk i intereson kritika e të tjerëve por vëzhgimi i tyre dhe krijimi i veprës së tij (“Nuk kritikoj; nuk më pëlqen përfshirja në këtë gjë…Mendoj se puna ime është vëzhgimi i njerëzve dhe botës pa i gjykuar. Shpresoj të pozicionohem gjithmonë larg pseudo-konkluzioneve. Do të doja të lija gjithçka të hapur ndaj mundësive të botës” Paris Review, The Art of Fiction, No.182.) Ai përmend të njëjtën mungesë të një shpirti kompetitiv në veprën e lartpërmendur (Çfarë Them Kur Flas Për Vrapin) në të cilën shpjegon se preferon vrapin në distancë të gjatë sepse qëllimi i këtij sporti është përmbushja e një premtimi ndaj vetes e jo një garë me të tjerët. Në këtë pjesë të librit, Murakami u bë interesant.

Kam respekt për dy aspekte të mendimeve më lart: fokusi në krijim dhe jo zbërthim si edhe ideja e vetëpërmbushjes si e kundërta e garës me të tjerët, diçka e cila edhe mua më duket e pakuptimtë sepse e përdor tjetrin si pikë referimi, gjë që bëhet çorientuese.

Respektoj fuqinë krijuese të indvidit, jo aftësinë për të shkatërruar. Analiza dhe kritika e tjetrit i dedikon më shumë mendim seç duhet diçkaje jashtë vetes dhe kjo si pikënisje është e destinuar të dështojë. Kështu që i rikthehem dhe një herë njërës prej shprehjeve të mia të preferuara dhe shumë dimensionale “Do e largoj shikimin (do shoh diku tjetër); që sot e tutje, ky do të jetë refuzimi im i vetëm.” Këtu, shprehja nënkupton krijimin e diçkaje si refuzim i asaj që nuk të shërben dhe përmbushjen e një premtimi, të thënë ose jo, ndaj vetes.

by Kleitia Vaso