by Kleitia Vaso

Mendimet e mia për leximin dhe vlerat e tij u frymëzuan nga diçka e papritur: një djalë i bukur në plazh i cili e përshkroi veten si “definitivisht jo-akademik”. Ndërkohë që personi në fjalë ishte pa dyshim i bukur në një mënyrë delikate që meriton pikërisht këtë fjalë dhe i mirëinformuar mbi muzikën dhe pop-median, i mungonte një lloj thellësie që ishte e parëndësishme për mua personalisht (ai ishte një njohje kalimtare të cilin ndoshta nuk e takoj përsëri), por shqetësuese për atë vetë. Mendova që ishte e trishtë që nuk kishte mjetet e duhura për të shijuar bukurinë dhe fatin e tij rastësor. Vëmendjen dhe kujdesin të ofruar vetvetiu nga të tjerët (këtë e imagjinova sepse në të vërtetë nuk i fola aq gjatë) mund t’a shijonte tërësisht dhe t’a përdorte si ushqim për gjëra të tjera…nëse do të ushqente veten pak më shumë së brendshmi.

Në këtë pikë, duhet të them se nuk po sygjeroj leximin si detyrë për t’u bërë më i/e ditur; përkundrazi, si çdo gjë që bëj, akti i të lexuarit më ka sjellë gjithmonë një dozë të mirë kënaqësie. Më kujtohet, madje, se e vogël, kënaqësia maksimale vinte nga kombinimi i duhur dhe i parezistueshëm i një libri interesant me një çokollatë të madhe e të mirë.  Bashkëshijimi i një libri përfshirës, ritmin e leximit të të cilit përpiqesh t’a ngadalësosh ndërkohë që nuk mundesh, dhe i një çokollate të mirë, ishte një moment rrallëherë përfekt por gjithmonë i kërkuar. Ndoshta fakti që ky kombinim eluziv ndodhte rrallë siç imagjinohej është arsyeja që më është ngulitur mirë në memorie. Gjithë kjo për të thënë që arsyeja kryesore që kam lexuar vazhdimisht ka qenë dëshira por, në mënyrë intuitive, të pandërgjegjshme, e ndjeja se leximi, edhe i librave që mund t’i kutpoja vetëm pjesërisht, po më hapte mendjen gradualisht në mënyrë të padukshme. Shumë kohë pas çokollatës dhe librit, kam kuptuar që të lexuarit ka shërbyer për të më mprehur mendimet dhe ndjesitë në mënyrë që të përjetoj njerëz, ngjarje, momente me sa më shumë intensitet të jetë e mundur; ose, më saktë, të përjetoj veten fuqishëm nëpërmjet njerëzve, ngjarjeve, momenteve. Përfshirja, identifikimi, kuptimi i personazheve të ndryshëm dhe më vonë, analiza më e thellë e autorëve dhe ideve, e bërë për të kuptuar veten dhe botën më mirë, ka intensifikuar gjithë aftësitë e tjera, dhunti dhe difekte, duke rritur kështu kapacitetin si për lumturi ashtu edhe për dhimbje. Leximi, atëherë, është njëkohësisht mprehës dhe pasurues: mpreh mendjen, pasuron shqisat. Në disa momente, fjala ose ideja e duhur mund të transformojë edhe gjestet më të zakonshme, “plumbin/ që fle në kokën time/ në ar,” fjali që janë pjesë e tekstit të këngës, Neighborhood#1, të grupit Arcade Fire e cila i referohet fuqisë transformuese të dashurisë, por lartësitë e të cilës mund të arrihen vetëm nëpërmjet një arsenali të pasur mendor dhe emocional. Ndryshe, gjërat më të jashtëzakonshme mund të ndodhin pa u kuptuar që janë të tilla, në fakt.

Ndërkohë që e shihja djalin po shpresoja që t’a plotësonte këtë mungesë për veten e tij dhe m’u kujtua dëshira e Lord Henry-t tek Portreti i Dorian Gray-it për të ndërgjegjësuar Dorianin për bukurinë e tij, një ndërgjegjësim dhe njohuri që, megjithëse e zgjoi Dorianin nga gjumi letargjik i rinisë dhe pafajsisë duke e shtyrë të jetonte me nxitim dhe etje, e zvarriti atë në çdo lloj ferri e situate makabër. Por, pavarësisht vuajtjeve, njohja e vetes dhe e pushtetit të tij mbi të tjerët e transformoi Dorianin nga një fytyrë të bukur në një personazh akoma të përfolur. Pa kuriozitetin dhe rrezikun e pangopësinë që vjen me të, të gjithë do ishim personazha ekstra dhe asnjë kryesor.

Por, më vonë e njoha pak më shumë djalin në plazh  dhe ai i kapërceu kufijtë e faqes.

 

by Kleitia Vaso
  • siqi

    kush eshte ky mi 😛

    • kleitia

      Faleminderit per pyetjen e pare ne mindtriggers, sidi. Te gjithe personazhet me lart jane fiktive;P Cdo ngjashmeri me persona reale…etj etj. Ne fakt, eshte i vertete por edhe nje miks njerezish. Pershkrimi real dhe personi kan pak ngjashmeri, ne fakt.