by Kleitia Vaso

Aspekti më interesant i filmit Melankolia të Lars Von Trier, të cilin, pavarësisht rëndesës emocionale,   mund t’a shoh sa herë shfaqet, është marrëdhënia midis Justine, njërës protagoniste, dhe planetit shkatërrues Melankolia. Megjithëse e njëanshme në dukje, dashuria midis heroinës dhe planetit nuk është thjesht platonike ose abstrakte, siç mund të imagjinohet, por një dëshirë edhe fizike për të parë dhe për tu parë nga planeti, për tu ndjerë sa më afër tij. Lidhja më e fortë midis dy trupave në film është ajo midis vajzës dhe planetit.

Dëshira e zjarrtë e Justine-s për trupin qiellor nuk vjen si rrjedhojë e mungesës së marrëdhënieve me meshkuj. Në fakt, djali me të cilin Justine po martohet në fillim të filmit duket estetikisht si një dhëndër perfekt dhe nga sjellja si një bashkëshort i ardhshëm ideal. Në sipërfaqe, ai përmban të gjitha cilësitë e princit në përrallë: i pashëm, i dashur, i vëmendshëm dhe, mbi të gjitha, duket qartazi që adhuron Justine-n. Të dy së bashku janë aq bjondë dhe kremozë në pamje, sidomos në pjesën e parë të filmit, sa duhet të ishin vetë majë tortës që po presin. Madje, mund të ishin vetë torta, të ftohtë dhe të ëmbël, më tepër akullore se qënie njerëzore.

Përveç pamjes,  shkëmbimet e tyre në fillim të mbrëmjes tregojnë një marrëdhënie të ekuilibruar, me dashurinë dhe kujdesin e tij nga njëra anë dhe mirënjohjen e Justines nga tjetra. Pra, një çift përfaqësues i dashurisë së qytetëruar në formën e saj më të lartë: një raport në sipërfaqe tolerant, i sjellshëm, bashkëpunues, i cili favorizon disi, por jo tepër, vajzën. Por, megjithë ëmbëlsinë e fytyrës së Justine kur vë re vështrimet plot kujdes të Michael-it (emri i të cilit nuk më kujtohej), në momentin në të cilin ajo del me vrap dhe çlirohet (kryen nevojat e saj në natyrë) ndërkohë që sheh ngultazi qiellin, duke perceptuar prezencën e planetit të çuditshëm, çdo tipar i saj shpreh aq dëshirë, dhimbje dhe kënaqësi njëkohësisht sa që bëhet mëse e qartë se intensiteti i këtij çasti nuk mund të krahasohet me një jetë mardhëniesh “tokësore” midis një çifti të dashuruar e kurorëzuar.

Mbas këtij momenti fillestar të kontaktit me planetin, kalimi i hapave formale të ceremonisë vështirësohet deri në pamundësi për heroinën. Forca e gravitetit fillon ta tërheqë poshtë dhe i gjithë vullneti i Justines për të qenë normale fillon ta braktisë në mënyrë të dukshme. Rënia graduale e çdo fuqie shfaqet qartazi si tregues i humbjes të kuptimit të asaj që po ndodh përreth saj. Në këtë pikë të filmit, ajo nuk e gjen më arsyen për të përmbushur të gjitha qokat e kërkuara dhe fillimisht të pranuara prej saj. Von Trier e cilëson mosmarrjen seriozisht të riteve apo humbjen e besimit në kuptimin e një riti si një nga shenjat dalluese të melankolikëve. Në momentin që sipërfaqja iluzore kriset, ajo, ata, shohin të vërtetën dhe nuk mund të pretendojnë që është ndryshe. Ndryshe nga shumica, Justine, ndonëse përpiqet të përshtatet me ‘realitetin’, duke dështuar tregon se, për të, dëshira për të jetuar vërtet është më e madhe sesa ajo për të mbijetuar.

E njëjta uri për më shumë shtjellohet edhe në një film tjetër të Von Trier, Nymfomania, në të cilin, Joe, protagonistja, e shpjegon dëshirën e saj  të pakontrollueshme dhe pa fund për mardhënie seksuale si pasojë e “të kërkuarit më tepër prej perëndimit të diellit”. Nevoja e saj për të përjetuar më tepër dhe më fuqishëm merr formën e lloj-lloj aktesh seksuale, por, megjithë teprinë e specifikisht seksit në këtë film, e njëjta dëshirë për të jetuar manifestohet maksimalisht tek Justine, por, në këtë rast, është akoma më e fortë dhe më e pashpresë.

Asnjë mashkull apo qënie njerëzore nuk mund të ofrojë atë çfarë kërkon Justine. Arsyeja nuk është mungesa e pëprjekjeve nga ana e saj. Në një tentativë të kotë për tu ndjerë “normale” dhe ndoshta për t’i shpëtuar tërheqjes magnetike të planetit, Justine kryen marrëdhënie dëshpërimisht të furishme  me një nga të ftuarit, pothuajse i panjohur për të. Sigurisht, ky akt nuk ndryshon asgjë. Dëshira e saj për planetin, e qartë tashmë në skenën në të cilën ajo del jashtë, zhvishet dhe e vështron atë – ose, më saktë, e lejon planetin ta shohë – tregon se pamundësia e saj për të funksionuar normalisht në shoqëri është edhe më ekstreme se ajo e Joe-s.

Kjo paaftësi për të jetuar jetën që pritet prej saj, një pakënaqësi gërryese dhe e pazbutshme, por edhe një sasi dashurie njëkohësisht e tepërt dhe e pamjaftueshme për njerëzit, e nxit të dëshirojë planetin e largët. Kjo dëshirë, në fakt, është e njëjta me besimin njerëzor në zot, nevojën për një dashuri më të lartë ose hyjnore, për një marrëdhënie me një entitet më të fuqishëm se vetja, e njëanshme por me shpresën e reciprocitetit, e largët, e pacënueshme nga dobësia njerëzore. Një dashuri egoiste e cila i përket vetëm të dashuruarit, e pandarë dhe e pandashme me dikë tjetër. Një dashuri, gjithashtu, që nëse e ruajtur në formën e saj të pastër, e pandotur nga feja, nuk na kërkon që të maskohemi dhe të aktrojmë si kukulla – një tjetër version yni por në miniature, jo infinit – në një zinxhir të pafund veprimesh e gjestesh që luajnë rol të rëndësishëm në jetët tona sociale por janë thelbësisht të pakuptimtë.

Këtu dhe në përgjithësi ndërthurrja e dashurisë fizike dhe fetare mund të jetë disi e sikletshme. Megjithatë, kjo ndarje e njeriut në segmente të veçantë më duket e thjeshtëzuar dhe e rehatshme më tepër se e saktë. Në fakt, imazhi shumë i bukur i Justine-s që kërkon të “afrojë” planetin më ka kujtuar gjithmonë atë të Shën Teresës së Berninit ndërsa shpohet nga shtiza e një ëngjëlli, një akt që shkakton ekstazën e pagabueshme në fytyrën e shenjtores. Një nga skultpurat më mahnitëse estetikisht, në të cilën bukuria, dëshira, dashuria janë paralelisht tokësore dhe hyjnore, shpirtërore dhe fizike.

Është pikërisht reagimi fizik i këtyre dy figurave që më bën të dyshoj atë që shpesh merret si e mirëqenë: se nevoja për një zot, për një dashuri përtej asaj njerëzore, tregon modesti, një virtyt i lidhur gjithnjë me pasionin fetar. Përkundrazi, ndonëse dashuria e të dyjave, Teresës dhe Justinës, sugjeron një ndjeshmëri të madhe, ajo tregon gjithashtu pangopësi dhe arrogancë duke nënkuptuar se dashuria tokësore nuk mjafton. Vetëm një zot i meriton dhe mund t’i kuptojë apo t’i kënaqë. Por, nuk mund t’i fajësosh kur i sheh të dyja, të lara me dritë nga jashtë, rrezatuese nga brenda.  Ai lloj ndriçimi nuk mund të vijë nga të qënit me një njeri por me një perëndi, qoftë ky planet apo zot.

by Kleitia Vaso