by Kleitia Vaso

Mërzia është në sytë e atij që sheh.

Një të shtunë paradite, e përfshirë në një film, gjeta veten duke kontrolluar telefonin automatikisht, të pamësuar siç jemi tashmë të bëjmë vetëm një gjë në një moment. Megjithëse filmi ishte shumë i bukur dhe aspak i lehtë për tu kuptuar, nuk munda t’i rezistoj shtysës për të shtrydhur gjithçka prej një çasti të kufizuar, për ta dyfishuar artificialisht. Kështu që me babëzi, e pashë telefonin, pa mendje, kur rastësisht më kapi syri një foto të një të njohuri. Do ta kisha kaluar po aq automatikisht sa e hapa por diçitura e saj e çuditshme më largoi momentalisht nga filmi dhe më nisi në një udhëtim tjetër. Fatkeqësisht, nuk zotëroj aftësi mbinjerëzore për të shijuar plotësisht dy aktivitete të ndryshme në të njëjtën kohë. Ndoshta, as perënditë nuk arrijnë të kontrollojnë me sukses dy gjëra njëkohësisht. Ndërkohë që dielli shkëlqen në Romë, balta rrëshqet duke marrë me vete ç’të dojë në Peru. Njëri ose tjetri humbet dhe në rastin tim jo-tragjik ishte filmi i cili meritonte vëmendjen time të plotë.

Fotoja tregonte një flutur nate që qëndronte me hezitim në dorën e fotografit. Me sa duket, flutura e natës kishte hyrë pa dashur në dhomë  dhe ai, i lumtur që një gjallesë e lirë ndodhej brenda katër mureve të ftohta, po e paraqiste atë. Megjithëse bezhë e pa shumë variacion, fotografi e quajti “flutur”, gjë që më shkëputi nga realiteti dhe më shtyu drejt udhëtimit tim të çuditshëm por të shkurtër në botën e çudirave. Nuk ishte filmi brenda fotos i një fluturimi të panjohur drejt një dhome që më zgjoi interesin por emri i pamerituar për një krijesë jo aq të bukur e cila nuk do të vlerësohej kurrë kaq shumë nëse nuk do të ishte e ngecur brenda. Atje ku njeriu nuk pret ndonjë mik të papritur, sidomos në ditët e sotme. Atje, në dhomën sterile, një flutur nate mund të duket si flutur.

“Nëse është kënaqur kaq shumë nga një flutur nate,” mendova “imagjino po të shihte gjithë fluturat jashtë dhomës së tij. Çfarë e ndal nga dalja me vrap jashtë dhomës në botën plot flutura pa fund, shumica e të cilave duhet të jenë aq të bukura sa të paimagjinueshme?” E gjitha më solli në mëndje Nabokovin e apasionuar gjatë gjithë jetës së tij pas koleksionimit të fluturave. “Pse shpenzonte gjithë atë kohë të çmuar larg shkrimit, duke udhëtuar nëpër vende të caktuara thjesht për të kapur disa flutura?”Gjithnjë e më larg nga filmi në ekran, i cili, në fakt, kishte të bënte me bukurinë dhe lirinë, kontrastit midis një bote pa ngjyra, apo ngjyrë sepie dhe një tjetre, ndoshta imagjinare, të quajtur Zona, plot gjelbërim , qiell, ujë. E para të shkakton etje, e dyta ta shuan. Nga flutura bezhë e natës te ajo shumëngjyrëshja e ditës.

Pra, Nabokovi. Një njeri aq i talentuar, sa i frikshëm duke kaluar kohën me një aktivitet kaq mendjelehtë në dukje. Për ta kuptuar, e ndoqa me rrjetë në duar duke vrapuar nëpër kodra e fusha, plot adrenalinë, për të gjetur fluturën më të bukur, atë më të rrallën. Duke kaluar dete, ndoshta oqeane thjesht për të parë diçka ende të panjohur, diçka që premton të jetë më emocionuese se çfarë është hasur përpara. Vetëm mendimi për vendet e ndryshme, llojet e fluturave, kombinimet e ngjyrave…mundësitë janë dehëse. Imagjinova  ndërthurrjet më të pazakonta, dëgjova emrat e ngjyrave më ekzotike – ultramarinë, gurkali, smerald, vermilion, violet, siena, e verdhë kanarine, portokalli e ndezur – thjesht për të arritur të prekja sadopak ato që ende nuk kam parë. Veç mendimi ishte aq emocionues sa për pak çaste mu duk e pakuptueshme se si nuk e kisha konsideruar asnjëherë si një aktivitet të mundshëm. Unë edhe gjithë të tjerët. Ndoshta nuk e mendojmë sepse po ta bënim, do të ishim të gjithë në vrapim e sipër, si të çmendur, dukë braktisur punë e detyra, shokë e familje për të gjetur Perandorin ngjyrë vjollcë apo Monarkun e famshëm. Imagjinata dhe pastaj rruga e kaluar, me padurim, duke pritur të shihnim një lloj bukurie që më siguri është shumë herë e zmadhuar nga fuqia pa kufinj e mendjes, mund të kthehej në vetë arsyen dhe qëllimin e jetës.

Fluturat më shtynë të kuptoja një tjetër fenomen në jetën time kohët e fundit. Gjithmonë, në përpjekjet e kota për të përkufizuar veten, kam menduar se lodhem shpejt nga rutina. Deri diku, ky mendim ende qëndron. Është, të paktën gjysma e të vërtetës, si çdo përkufizim. Por, në muajt e fundit, ende nuk jam lodhur nga e njëjta pamje që e shoh pothuajse përditë. Megjithatë, një shpjegim ekziston edhe për këtë. Pamja ndryshon përditë. Në momente, është ashtu si e parashikoj të jetë. Në të tjerë, më habit një bukuri e papritur megjithëse jo aq e dukshme, paksa e fshehur dhe me nuanca delikate. Në ditë të caktuara, grija që shtrihet gjithandej nuk përkthehet në ngjyra më të bukura në breg. Këto ditë janë më zhgënjyeset. Por, në rastin më të mirë, peisazhi më lë pa fjalë apo duke shprehur habinë me zë për një bukuri aq pa kufij, të pakursyer në shpalosjen pa turp dhe masë. Këto ditë, ndryshueshmëria, mbi të gjitha, më shtyn të kthehem e rikthehem me shpresën që do të gjej një pamje që do t’ia kalojë të gjitha atyre paraardhëse.  Aq e bukur shpresoj të jetë sa të më ndalë frymën.

by Kleitia Vaso