by Kleitia Vaso

Fluturimi
“Do t’a largoj shikimin (do shoh diku tjetër); që sot e tutje ky do të jetë refuzimi im i vetëm.”

Nuk e di pse më pëlqeu kjo thënie në momentin që e lexova por mendoj se, me siguri, më ofroi një përgjigje të cilën nuk e kisha kuptuar që po kërkoja por e gjeta rastësisht, një zgjidhje të mençur, e menduar nga unë kalimthi por e shkruar më bukur nga dikush tjetër.

Tani, e mendoj këtë thënie të cituar në librin e Roland Barthes, Kënaqësia e tekstit, kur dua të trajtoj në mënyrë ideale vështirësi të vogla e të mëdha; jo duke u përballur me diçka në mënyrë direkte, me kokëfortësi, por duke i injoruar pjesët e shëmtuara të një situate; duke larguar shikimin në vend të duke u përballur. Sigurisht, ky është reagimi i fantazive të mia në vend të atij realit e të zakonshmit, i cili, fatkeqësisht, është ky: luftë dhe acarim që nuk çon askund përveçse në një humbje arsye e verbëri të përkohshme dhe, më pas, në nënshtrimin e pashmangshëm ndaj fatit.

Kjo frazë ndoshta nënkupton zgjidhjen time ideale; për domethënien e vërtetë nuk jam e sigurt. Nuk e kam lexuar tekstin e plotë por thjesht di se kjo shprehje vjen pas një tjetre edhe më të fuqishme e goditëse: “kurrë mos kërko falje, kurrë mos justifiko.” Kështu që fraza me siguri ka të bëjë më tepër me refuzimin e një përgjigje sesa kuptimin tim subjektiv, por mendja ime e përkthen frazën të largosh shikimin/të shohësh tutje në shmangie, shikimin e mënjanuar në çfokusim të qëllimishëm, zgjuarsisht, për të mos refuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë; shprehja më krijon imazhin e një kalimtari/e që nuk regjistron prezencën e njerëzve e sendeve përreth, pra një refuzim në dukje i hutuar e i pavetëdijshëm.

Fraza ime e sapopreferuar m’u rikthye ndërkohë që shihja një burrë të ulur në kafene, i cili shpjegonte, me një zemërim gjysëm të shtirur, diçka që nuk meritonte kaq ndjenjë; kishte të bënte me një lloj trajtimi të padrejtë, real ose të perceptuar, nga dikush tjetër – një pritje e ftohtë, ndoshta. Mendova se gjithë ajo ndjenjë mund të ishte e mirëpërdorur diku tjetër. Në një moment, personi që po ecte me mua vuri re po atë fytyrë të shtrembëruar dhe tha se në vend të protestave për lagjet e papastra e probleme të tjera të panumërta, njerëzit ulen në kafene dhe ankohen, pa qëllim ose rezultat. Por, mua nuk më interesonte zgjedhja e gabuar e vendit për ankesat e pafundme; thjesht më bezdisi ajo fytyrë plot emocion të simuluar, e cila fliste me zë të lartë, plot gjeste dramatike, për probleme të parëndësishme të përdorura thjesht për të “përfshirë” bashkëbiseduesin dhe për t’a mbajtur atë peng në bisedë; njerëz të vegjël me jetë të vetëkufizuara. Mund të duket si një konkluzion i pashpirt por mendja instiktivisht zgjedh midis luftës ose fluturimit (kjo zakonisht vlen në situata të perceptuara si jetë a vdekje, por ky rast mund të konsiderohet i rrezikshëm për gjendjen e brendshme) dhe imja, në shumicën e rasteve, zgjedh fluturimin.

by Kleitia Vaso