by Kleitia Vaso
  1. Klikimi i Pafuqishëm

“Preferoj të verbohem,” këndon Etta James, por, në rastin tim, kjo zgjedhje nuk ka lidhje me dashurinë. Ndoshta është e padrejtë të përdor dhimbjen e saj të prekshme për diçka më minore, por kjo mospërputhje përkon me shkallën dhe thellësinë e emocioneve të të tashmes.

Shpeshherë ndodh që keqinterpretoj botën e vërtetë ose botën, më saktë, dhe çfarëdo mbetet e vërtetë në të. Disa gjëra i shoh prej një këndvështrimi disi skiç, i penguar prej një bllokimi të çuditshëm të cilin në terma konkrete e imagjinoj si një dërrasë të madhe e cila ndalon rrjedhën e një lloj informacioni të caktuar. Njohuri, zakonisht, këto të fundit, të cilat më ulin dëshirën për të vazhduar. Megjithatë, ndoshta duhet të sqarohem para se lexuesi të fillojë të presë diçka dramatike. Qesharake, po, dramatike, jo dhe aq.

Pak kohë ka kaluar që prej herës së fundit që jam ndjerë naïve ose njeri që nuk arrin të kuptojë botën që e rrethon. Do të doja që ta shoqëroja përshkrimin e këtij momenti epifanik me shprehjen e duhur të fytyrës që e shoqëroi por, fatkeqësisht, nuk mundem. Imagjinoj një gojë gjysmë të hapur dhe sy të padepërtueshëm nga drita e jashtme. Sapo kisha postuar një pjesëz të një shkrimi të sapopërfunduar në një nga rrjetet sociale, një aktivitet ky që ka më tepër lidhje me një sprovë ndaj vetes – ndrojtjes dhe dembelizmit – më tepër se me shpërndarjen ambicioze të fjalës. Sigurisht, një dozë ambicieje ekziston por në një shtresë më të thellë që pak ka të bëjë me gjestin në fjalë. Në momentin që e “reklamova” shkrimin, një i njohur virtual – pra një i panjohur – shprehu dëshirën për të lexuar tekstin e plotë, kërkesë që do të më gëzonte nëse nuk do të ishte e shprehur në një fjali të shkurtër në formë urdhëri që përjashtonte kërkesa apo  falenderime, siç duket të panevojshme. Koha është flori, në fund të fundit, motoja e botës tonë, e stampuar gjithandej në mënyra të dukshme e të padukshme. E tmerrshme sepse mua nuk më pëlqen aspak kursimi në lidhje me kohën apo paratë; aq më pak në ndjenja e shprehjen e tyre. Megjithatë, si në rastin e mëkateve më të mëdha, edhe me këto më të voglat, personi që dëmtohet më rëndë është vetë kursimtari, jo “viktimat” e kurnacërisë së tij. Një mësim i marrë nga Dante dhe një që nuk besoj ta harroj. Rrjedhimisht, arrita në përfundimin që personi në fjalë do t’i vuante vetë mangësitë e tij dhe duke zbatuar rregullat anakronike të mirësjelljes e drejtova te faqja e internetit me tekstin e plotë. Përgjigja e dytë ishte po aq e prerë, e cunguar më saktë, sa e para. Bashkëbiseduesi antipatik më informoi se nuk mund t’i dhuronte klikimet e tij pa ditur paraprakisht nëse materiali fatlum “ja vlente.” Klikimi si një lloj dhurate do të më shtynte në një gajasje të çmendur nëse nuk do të më kishte trishtuar varfëria që prodhon një ide të tillë. Megjithatë, nuk e kuptova tërësisht logjikën dhe, si shpeshherë, kërkova ndihmë nga jashtë. Mu shpjegua se komentatori kishte marrë si të mirëqenë dy faktorë të cilët as në ëndërr nuk do t’i kisha konsideruar: që unë po reklamoja një produkt fitimprurës dhe rrjedhimisht klikimi i tij do të përkthehej në para, domethënë në një lloj  ndikimi mbi jetën e një të panjohure në një galaksi larg, shumë larg. Absurditeti i fitimprurjes do të qartësohej me një lexim të shpejtë të një fjalie të shkrimit pa qëllim që në pikënisje. Ideja tjetër –  klikimi si bazë matëse e pushtetit – mori përmasa tragjike në mendjen time. “Çfarë jemi bërë, ku kemi përfunduar, nëse një burrë i rritur flet për një klikim të vogël?”

Pa e zgjatur, kuptohet që nuk më interesojnë aspak klikimet dhe pothuajse aq edhe përfitimi. Ky i fundit ndoshta pak më tepër meqënëse lidhet me mbijetesën. Në atë moment, vendosa që shpirtvogëlsia duhet të përfshihet në listën e mëkateve vdekjeprurëse.

 

  1. Imazh dhe Përmbajtje

Jeta në një klimë të re përkthehet në çdo gjë ndryshe – dritë, det, diell, si në ndjesi ashtu edhe në pamje. Kjo e fundit më ka shtyrë të bëj diçka që gjithnjë e kam anashkaluar me indiferencë: të fotografoj ambientin përreth. Besoj se bukuria ende e panjohur dhe shpeshherë e tepërt kërkon të paktën një mundim të ngrirjes së saj në imazhe që asnjëherë nuk e barazojnë. Fotografitë janë mediokre por rezultati më intereson më pak sesa motivimi që me jep ky aktivitet për të parë të njëjtën pamje nën dritë vazhdimisht të re. Në kuptimin e parë të fjalës. Përgjigja e të tjerëve ka pak apo aspak rëndësi. Ngazëllehem për një kohë të shkurtër nëse dikujt i pëlqejnë imazhet por reagimi pozitiv apo negativ nuk do ta ndryshonte shumë rrjedhën.  Në fakt, duke e konsideruar veten pothuajse të paaftë në këtë fushë, nuk e kisha vënë re reagimin deri në ditën kur postova një foto të trishtë të një aktiviteti të lidhur me punën. E bëra këtë për të siguruar miqtë dhe të afërmit se, përveç fotografimit të detit, po merresha edhe me punë. Fotografia në fjalë kishte një sfond steril, me ngjyrë të bardhë apo kremi – një sfond tipik zyre që nuk duhet fotografuar kurrë, duhet çfotografuar, në fakt – dhe unë po aq neutrale sa sfondi, as mirë as keq, as e mërzitur as e lumtur. Për habinë time, fotoja pati komentet më të shumta, reagimet më entuziaste. “Po gëzohen që jam në punë? A tregon një foto në zyrë  ndonjë arritje? Më mbështesin apo ndoshta gëzohen të shohin të tjerë brenda katër mureve?” pyeta veten.

Në fakt, përgjigjet ishin dashamirëse por paksa habitëse.  Përjetimi gjatë kësaj fotoje nuk krahasohet me emocionet apo domethënien e të tjerave, e përpjekjeve për të kapur kombinime ngjyrash e fenomenesh – nga unë të para për here të parë – dhe, më pas, për të derdhur e kanalizuar një pjesë të çudisë në një imazh të kufizuar.  Por, edhe e kuptoj. Fotoja “zyrtare” shpreh një aktivitet konkret, shërben si një pikë orientimi si për shikuesin ashtu edhe për udhëtarin. Si e tillë, mund të lexohet dhe interpretohet lehtësisht. Duke menduar për rrugë e pika referimi, mu kujtuan biseda pa fund me pyetje e përgjigje për vende konkrete, shkollëra, tema, programe e plot gjëra të tjera si këto. Më erdhën me vrull qindra komente për “punë të mira,” tituj, evenimente që paguajnë ose paguhen me një lloj monedhe, qoftë monetare apo jo. Mu kujtua mërzia e të dëgjuarit për ambicje të vogla për mua por të cilat ndoshta nuk do të mund t’i arrija kurrë pasi më lodhin vetëm duke i menduar: një punë e rehatshme, një program “me emër,” lëvizje strategjike, përfshirje në aktivitete “vullnetare,” pjesëmarrje në lëvizje e shoqata, tituj dhe emra të cilat ju japin një emër dhe  vlerë të përcaktuar eksperiencave tona. Deti madhështor i mundur nga një mur steril. Gjithë ajo fuqi, jona në lindje, e harruar për hatër të qartësisë apo prakticitetit. Duhet të jetë disi e ndëshkueshme dhe mendoj se është.

by Kleitia Vaso