by Kleitia Vaso

Në mënyrë profetike, dita filloi me një bisedë spontane mbi njerëzit që kanë të mira me tepri, dhunti në fuqi të shumëfishtë. Diskutimi nuk nisi nga ndonjë ngjarje e bazuar në realitet por nga pasqyra e tij më e qartë, arti, i cili mund të tregojë veç fragmente por më të bukura, të intensifikuara, të qarta në kuptim. Personazhi që shërbeu si pikënisje ishte Remedios e Bukura, misterioze dhe e tejdukshme si personazhet e shumtë të Njëqind Vjet Vetmi, një roman të cilin, çdonjëri që pëlqen letërsinë do të ëndërronte ta kishte shkruar. Në të vërtetë, mendoj më mirë jo, sepse, përveç avazit të zakonshëm të dhelprës dhe rrushit, nuk do ta doja kurrë aq shumë po ta kisha krijuar vetë. Argëtues dhe informues mbi thelbin e natyrës njerëzore, një lloj teksti fetar por plot ngjyra dhe jetë, pa mësime moraliste që të kthejnë kundër asaj që lexon e pa peshën mbytëse që njerëzit i vendosin këtyre manualeve më pas.

Në lidhje me mungesën e peshës, Remedios jeton shkurtimisht në Macondo, ishullin magjik të Garcia Marquez ku, në mënyrë të pashmangshme, fillon jeton edhe lexuesi. Siç shfaqet qartazi nga epiteti shoqërues, e Bukura, Remedios është aq mahnitëse në pamje sa, megjithsë ata që e shohin “sëmuren,” askush nuk mund ta dojë vërtet. Bukuria e saj e tejkalon sasinë e duhur për dashurinë njerëzore, e cila kërkon një pikë takimi diku, një të përbashkët, qoftë në cilësi apo shkallë. Nga ana e saj, Remedios nuk i ndjek dot rregullat e botës, më tepër sepse nuk i kupton sesa prej ndonjë lloj rebelizmi të qëllimshëm. Po aq e privilegjuar sa edhe e mallkuar, vajza ndjek me një natyrshmëri të verbër dëshirat e saj shpeshherë fëmijnore. Sigurisht, në botën e sotme do të kishte një epitet më të saktë– autike apo unike – por e mira e një shkrimtari si Marquez-i është eliminimi i leximit një-dimensional.

Biseda mbi Remedios më kujtoi një imazh të çuditshëm që përfytyrova një ditë ndërsa ecja në Tiranë, apo më saktë në rrethinat e saj, duke menduar për uniformitetin e njerëzve që shihja. Më ndodh të imagjinoj skena pothuajse të vërteta herë pas here, në mundimin për të argëtuar veten gjatë aktiviteteve rutinë. Një sirenë po zvarritej, e rraskapitur, për tu ngjitur mbi një trotuar. Ishte një ditë e nxehtë dhe me pluhur në kodrat e Selitës, kështu që e mjera po përpëlitej e mbuluar nga pluhuri, e vdekur për ujë. Po ta dallonin edhe të tjerë, do të grumbulloheshin si turmat që sa vijnë e  rriten rreth një aksidenti apo zënie. Besoj se do t’ju dukej barazisht e parezistueshme dhe e neveritshme. Me siguri, do të përpiqeshin të largoheshin për tu kthyer përsëri, duke humbur kontrollin mbi hapat dhe vështrimin e tyre. Do të shihnin nga afër – por jo tepër – luspat që i mbulonin gjysmën e trupit. Në pamje të parë, ato mund të dukeshin magjike, të argjendta dhe të shndritshme, porsi bizhuteritë që blejmë shpesh, ndoshta për tju shëmbëllyer sirenave, por nga afër të njëjtat luspa mund të shkaktonin neveri, të forta dhe të buta njëkohësisht, tepër të lëmuara dhe, për më tepër, të veshura me pluhur. Shkëlqim i pluhrosur! Sa i shpifur! Kam frikë se nuk do të mbijetonte gjatë. Ndonjë qënie brutale do t’i gjuante me shkelm a do t’i hiqte ndonjë luspë.

Fatmirësisht, Marquez, një shkrimtar shpirtgjerë, i dhuron Remedios një fat më të mirë se ky, më poetik. Papritmas, ajo ngrihet drejt qiellit, nëse jo me dëshirë, të paktën pa frikë. Një lloj figure e shenjtë, e parënduar mjaftueshëm nga difektet e saj për të qëndruar në tokë. Difektet apo shpëtimi, në varësi të këndvështrimit. Në fakt, përjashtimi apo pjesëmarrja përbën një temë që e kam menduar shpeshherë këto muaj – ndoshta gjithë jetën – duke u përpjekur tju shpjegoja studentëve dhe njëkohësisht të kuptoja edhe vetë Edipin e Antigonën, të “tepërtit” në shumë kuptime, ata që duhen përjashtuar nga shoqëria në mënyrë që ajo të mbijetojë. Shoqëria kërkon bashkëpunim, ngecjen e një hallke te pika e dobët, hapja, e një tjetre. Për të të pranuar në gjirin e saj të dyshimtë, kërkon dobësinë më të madhe – frikën nga shumë gjëra, kryesisht nga vetja – por edhe fuqinë më të madhe për përdredhje e spërdredhje të panumërta, të nevojshme për të mbijetuar.

Për gjithë këto arsye e këtij vargu mendimesh, mund të imagjinohet habia ime kur në të njëjtin mëngjes, mësova se kishte vdekur Chris Cornell, kantautori jashtëzakonisht i talentuar dhe i bukur. Në raste të tilla, nuk mund të mohohet prania e lidhjeve të pakapshme nga shqisat, rrymave të padukshme, korrespondencave në natyrë, sipas Baudelaire, të cilat njeriu duhet të përpiqet t’i deshifrojë. Megjithëse nuk kam qenë adhuruesja më e flaktë e Cornell, vdekja e tij e parakohshme dhe e vetëshkaktuar mu duk e padrejtë dhe më bëri shumë përshtypje. Pa u munduar, dëgjoja zërin e tij, jazhtëzakonisht të bukur por plot dhimbje, një dhimbje që nuk mund ta falsifikosh, që rrjedh pa dyshim nga brenda. Gjithashtu, më shfaqej fytyra e tij që është e përbërë kryesisht prej sysh, aq të mahnitshëm sa edhe të frikshëm, si det, nga thellësia dhe ngjyra. Shkurtimisht, një njeri që pavarësisht shijeve, muzikore apo personale, thjesht duke ekzistuar të ballafaqon me bujarinë dhe kurnacërinë e jetës, dashurinë dhe mizorinë e saj. Pse të falësh aq shumë për t’i marrë përsëri me xhelozi dhe egoizëm? Pse më pak dhe më tepër kohë në shumicën e rasteve të tjera?

Për t’i shpëtuar trishtimit të shproporcionuar që më pushtoi, u nisa me vrap drejt vendit të vetëm që mund të më përmirësonte humorin, drejt plazhit. Dita ishte e përsosur, me diell por jo e nxehtë, me disa re të bardha sa për të thyer blunë monotone, me njerëz që po shijonin ditët e para verore. Me muzikë latine në sfond dhe Macondon magjepsës me vete, fillova ta shijoj po aq pa masë kënaqësinë e ditës sa vuajta trishtimin pak çaste më parë. Po kënaqesha aq shumë, në fakt, sa pasi bëra disa foto të detit e qiellit, diçka më pengonte tjua tregoja ato miqve të cilët mund të ishin të mbyllur brenda katër mureve. Kisha frikë prej zilisë apo ndonjë mallkimi të pavullnetshëm. Por, e qetësova veten duke arsyetuar se gëzimi im i vogël nuk mund të klasifikohej në intensitet dhe shkallë si i ndëshkueshëm. Nuk kaloi shumë kohë para se lumi i telefonatave e kërkesave të ndryshme të ndërpriste qetësinë time, në mënyrë të pafajshme fillimisht dhe, më pas, të dhunshme. Fundi i ditës ishte po aq i rëndë sa fillimi.

E pagova shtrenjtë përjetimin – apo tregimin? – e lumturisë të pastër. Si një qen gjahu, diçka në univers e nuhati frikën time.

by Kleitia Vaso