by Kleitia Vaso

Thelbin e racizmit e kuptova vërtet duke parë, e mrekulluar, një fotografi të Michael Jordan në fluturim e sipër drejt koshit të basketbollit. Asnjëherë nuk kisha parë një njeri, pa flatra, të ngrihej aq lart dhe të qëndronte pezull në ajër, jo thjesht duke sfiduar forcën e gravitetit, siç përshkruhet shpesh kjo aftësi e tij, por duke mos e llogaritur fare, duke vënë në dyshim ekzistencën e kësaj fuqie të padiskutueshme, lufta e humbur ndaj të cilës përfaqëson një prej sfidave kryesore dhe të vazhdueshme të njerëzimit.

Në këtë botë, të gjitë veprojnë sikur fluturimi – jo thjesht rënia me parashutë apo me diçka të ngjashme, por ngjitja e njeriut në ajër, larg e më larg tokës – përfaqëson një pamundësi fizike. Nuk kemi ç’bëjmë, këto janë ligjet e natyrës. Por, ja ku është Jordan në ajër, dëshmi e gjallë e kapërcimit të ligjeve që na mbajnë të prangosur me tokën. Supozohet që ky triumf i trupit mbi kufizimet e imponuara mbi ne do të na lumturonte pa masë. A nuk duhet të gëzohemi për mundësinë që edhe ne mund të arrijmë të përjetojmë diçka të ngjashme? Të njëjtën liri?

Reagimi teorik do të përfshinte patjetër gëzimin dhe shpresën por, në realitet, ky lloj imazhi dhe ajo çfarë përfaqësohet mund të provokojë reagimin e kundërt, pikërisht të kundërtën e çlirimit dhe lumturisë. Mund të shkojë aq larg sa ne mos të jemi në gjendje të pranojmë atë çfarë imazhi tregon në mënyrë të qartë: një njeri duke kryer një veprim të mundur vetëm në ëndrra.  Një aftësi që iu përket vetëm superheronjve, Superman-it apo Batman-it të adhuruar nga djem e vajza [kryesisht të bardhë] për të cilët kjo mbetet një fantazi e largët.  Një njeri që duket se fsheh një lidhje të veçantë me një forcë të mbinatyrshme që mund ose mund të mos arrihet edhe nga ne. Por, vetëm një sasi çnjerëzore pune dhe vullnet i hekurt do të mundësonte arritjen e disa momenteve dehëse në ajër. Një nëse, e cila mendoj se për shumicën nuk do të realizohet kurrë.

Sidoqoftë, çfarëdo të jetë arsyeja, pamundësia për ta përjetuar mund të na zemërojë. “Pse ai dhe jo unë?” është një reagim popullor. “Pse mos të frymëzoj unë të njëtën zili, dëshirë, habi?” Por edhe nëse i mundur, fluturimi do të kërkonte veprim, jo fjalë. Në këtë rast, do të na kursehej zilia e zemërimi por jo lodhja, lodhja që fillon që nga mendimi, pa llogaritur veprimin. Shumica e njerëzvë përtojnë të shkojnë në palestër, të ngrihen nga karrigia, të ngjiten me shkallë dhe jo me ashensor. Atëherë, duke pranuar mungesën e fatit apo vullnetit, dorëzimi do të ishte hapi më logjik. Por, ndoshta edhe më mirë do të ishte sikur basketbollisti të mos fluturonte, të mos ekzistonte fare. Atëherë, nuk do të na mundonte aspak as nuk do të na peshonte mbi ndërgjegje imazhi i trupit të tij, triumfant, mbi të tjetrët, mbi koshin, i mahnitshëm, njëkohësisht pa peshë , i pavërtetë dhe konkret, prej mishi, muskujsh, lëkure.

Dhe, këtu arrijmë te përgjigja, zgjidhja e dobët dhe mizore e problemit tonë e jo të të tjerëve. Një histori e filluar shumë kohë para Michael Jordan dhe që shkon përtej tij. Një histori mënyrash lëndimi, dëmtimi kur eliminimi është i pamundur apo jopraktik. Në mënyrë të dhunshme e të vetëdijshme ose dinake, sulmohet vetëbesimi që e lejon të mendojë se mund të fluturojë. Fuqia ndërpritet.  Aftësia e tij shfrytëzohet deri në palcë që të ndjehet i ndotur, i papastër dhe, kundër çdo gjase, inferior. Nëse lejohet, le të sulmohet në mënyrë direkte, gjë që mund të jetë e pamundur nëse ai vazhdon të jetë i mbrojtur nga ajo fuqi e errët, misterioze, e pakuptueshme. Më e mira e të mirave, nëse ka mundësi, do të ishte ta degdisje në një cep të humbur të botës si Edipin mbret, të shkatërruar e të poshtëruar. Ndoshta nuk është kriminel por gabime ka bërë! Gabimet mund të gjehen kudo, në çdo moment, mjafton t’i kërkosh e kur i kërkon me ngulm, rezultati është i sigurt. Shtyje të ndjehet si devijim, shtrembërim statistikor i pakëndshëm për t’u parë nga ne, turma që e shohim duke u ngritur, ngritur, ngritur. Ndal! Mbi të gjitha, shtyp, fshih çfarëdo që del në sipërfaqje, që me gjithë mundin për ta zhytyr sa më poshtë, përsëri del. Të vërtetën. Dhe ata si Michael Jordan, që janë të paktë, gjithsesi.

Duke e parë, në fluturim e sipër, ose në këmbë si njeri normal, më duket e çuditshme dhe e dyshimtë që komente të pafundme të shëmtuara dhe të tmerrshme mund të bëhen ose t’i drejtohen një njeriu të tillë apo të ngjashëm thjesht në pamje. Çfarë mund të thuash për një lëkurë më të lëmuar dhe rezistente se versioni më i zbehtë i cili megjithëse ka bukurinë e tij shtrihet në solare e përlyhet me locione “nxirëse” për të arritur diçka të panatyrshme e të paarritshme. Si mund të anashkalohen muskujt që shfaqen nën lëkurë me shumë pak punë e sforcim, harmoninë e linjave elegante, rrumbullakësinë e tipareve aq të imituar, pa pranuar kurrsesi referencën, nëpër salla kirurgjie plastike gjithandej? Dhe ky sulm që ende vazhdon jo i drejtpërdrejtë por i fshehur, si hajdut, sepse tashmë jemi të qytetëruar dhe progresiv, gërryen nga brenda bukurinë që duket e qartë, duke e anashkaluar, duke theksuar vetëm një lloj.

Natyra ka rolin e saj, sigurisht, në këto dinamika të pashëndetshme. Ajo është fajtore për shpërndarjen e padrejtë të dhuratave të saj duke i privilegjuar disa me një lidhje më të fortë me të ndërsa të tjerët i lejon të largohen tej mase prej saj, zakonisht duke shkëmbyer këtë fuqi për komoditet. Vërtet, zbutja e saj, rehati ynë. Rehati ynë, mospëlqimi për gjithçka që e sfidon atë.

Më vijnë ndër mend të gjithë personazhet e Gabriel Garcia Marquez, ëngjëj të plakur e të keqtrajtuar, vajza “demoniake” të detyruara të korrigjohen, të ri-formohen, ta shkëmbejnë fuqinë e tyre të shfrenuar për një mirëpritje të ngrohtë në grup. Në rastin e kundërt, të gjithë e dimë çfarë ndodh.

Ekziston një episod i shkurtër por shumë domethënës në Mbi Dashurinë dhe Demonë të Tjerë të shkrimtarit kolumbian, një episod që mund të përdoret për të kuptuar një pjesë të mirë të këndvështrimit të tij ndaj botës dhe fuqisë njerëzore. Në mënyrë specifike, episodi ilustron reagimin popullor ndaj njerëzve që ruajnë ende diçka të tepërt:bukuri, force apo fuqi, diçka të pazbutur, të paprekshme. Reagimi që ka shkaktuar aq dhimbje nëpërmjet fesë, për shembull, por edhe fjalëve të bukura që përfundojnë, zakonisht, në – izëm. Racizëm, seksizëm, anti-Semitizëm, si fillim.

Por, le të rikthehemi tek episodi. Në fillim të novelës, tregohet një ngjarje, në të cilën guvernatori i qytetit, blen, në mënyrë të menjëhershme e pa bërë aspak pazar, një skllave të mahnitshme me çmimin e shtrenjtë të peshës së saj në flori, duke i habitur të gjithë me mungesën e arsyes që shfaq. Kur skllavja e bukur i prezantohet një vizitori tjetër të rëndësishëm e “fatlum”, nënmbretit, si dhuratë, ai e sheh dhe thotë “Zhdukeni, ju lutem! Nuk dua ta shoh më kurrë.” Elementi i tepërt, bukuria, në këtë rast, do të përmbyste botën e ndërtuar me një farë arsyeje e ekonomie të qartë prej nënmbretit.

Sierva, protagonistja, emri i së cilës do të thotë skllave, konsiderohet “djallëzore” thjesht sepse kafshohet prej një qeni të tërbuar por nuk shfaq asnjë pasojë. Gabimi i saj i vërtetë nuk është ky por fakti se ajo ka marrëdhënie më të ngushtë dhe dashuri më të madhe për skllevërit që punojnë në shtëpinë e babait sesa për prindërit e saj. Jeta e skllevërve shfaqet për të si më në harmoni me ligjet e natyrës. Shenjat e “çmendurisë” tregohen vetëm në raste kur ajo ngacmohet ose keqtrajtohet. Sidomos kur dërgohet, kundër dëshirës, në një manastir për t’u shëruar dhe aty burgoset, e prangosur dhe e dhunuar sidomos nëpërmjet rruajtjes të flokëve të saj të gjata të kuqe, tipari i saj dallues. Sigurisht, manastiri nuk ia “nxjerr” demonin; “motrat” atje thjesht shkaktojnë vdekjen fizike, pra zhdukjen e saj.

Por, mrekullisht, pas vdekjes, flokët e saj të kuqe fillojnë të rriten përsëri e të dalin në sipërfaqen që ishte asgjësuar në mënyrë aq mizore, duke na rikujtuar pa ekuivoke, se asgjë vërtet e fuqishme nuk mund të fshihet pa gjurmë. Si natyra, të cilën përpiqemi ta kultivojmë, zbusim, ta “rregullojmë” dhe, e cila, na lejon të mendojmë se kemi kontroll mbi të deri aty ku ajo mendon se duhet. Por ajo asnjëherë nuk harron të na kujtojë, nëpërmjet ndonjë katastrofe apo edhe bukurisë të saj mbingopëse, me raste të frikshme, se nuk mund ta zotërojmë, ta kontrollojmë. Nuk mund ta nënshtrojmë. Fuqia e saj është përtej fuqive tona. Si flokët që rriten, si Jordan në fluturim e sipër, i lirë nga ligjet e librave të fizikës. Si një stuhi, ortek, zog, si deti mahnitës pa anë, pa fund, i ndryshueshëm nga një sekondë në tjetrën.

Të harrosh këtë lidhje me natyrën, të heqësh dorë nga kjo fuqi për hatër të komoditetit më duket gabim i rëndë.

Njerëzit mund ta vlerësojnë këtë dobësi sepse (gjithmonë për momentin!) i bën të ndihen të unifikuar. Por jeta, natyra, nuk të shpërblen kurrë  për tradhëtinë ndaj vetes.

by Kleitia Vaso