by Kleitia Vaso

Në një ton artificialisht gazmor, Violeta e famshme e Traviatës këndon arien Sempre Libera pikërisht kur ndjen se liria e vërtetë, ajo e brendshme, i ka rrëshkitur për të mos u kthyer më. Mospërputhja midis zërit, fjalëve të saj  dhe situatës lehtësisht të kuptueshme nga spektatori demaskon jo vetëm rritjen e frikës së Violetës  por edhe raportin e pasinqertë midis fjalëve dhe veprimeve, fjalëve dhe ndjenjave, fjalëve dhe të vërtetës.

Pavarësisht rasteve të rralla neverie të thellë për shpjegime e elaborime, dashuria ime për fjalët është – deri më sot – e padiskutueshme . Ato ushtrojnë më tepër pushtet mbi mua se imazhet, tingujt e çdo lloj forme tjetër komunikimi. Megjithatë,  jam e bindur se një fjali përmbledhëse mbi një person, temë, apo çfarëdo tjetër të jetë, me shumë mundësi, shpreh pothuajse të kundërtën e të vërtetës. Si në rastin e Violetës të mjerë. Ndërkohë Alfredo, i cili me lirshmëri dhe pa shumë rezistencë deklaron se “dashuria është pulsi i universit, mallkim dhe bekim,” mbijeton, pavarësisht vuajtjeve të tij të padiskutueshme si edhe dhimbjes më të madhe që i shkakton asaj.

Ndoshta, fjala nuk nënkupton pikërisht të kundërtën e veprimit. Kjo do të ishte saktësi e tepërt dhe, rrjedhimisht, e pavërtetë. Por, pa dyshim, ajo sinjalizon fundin e diçkaje. Fjala si vdekja e veprimit, varri i emocionit, përshkrimi i të cilit paralajmëron fundin e tij. Edhe kur e bukur, edhe kur është lavdërim. Si fraza të dua, për shembull, aq e shumëpritur në shumicën e rasteve por që në realitet shënon fillimin e konfirmimit dhe konsumimit të emocionit, të përkthyeshmërisë së tij në fjalë.

Rrallëherë kam shqiptuar diçka që e ndjej si absolutisht të vërtetë. Përkundrazi, sapo fjala largohet nga buzët e mia, dëgjoj me bezdi zërin tashmë të ndarë nga trupi i cili tingëllon çuditërisht i huaj dhe fals. Pasojat e hendekut që ekziston midis të brendshmes të mjegullt, pa formë, dhe fjalisë disi të qartë, prepotente por gjithnjë të mangët që del nga goja ime.

Fjali, gjykim, vendim, premtim, “Nuk do ta tradhëtoj kurrë besimin, do jem e kujdesshme, etj. etj.” Vetë  fakti që duhet të artikulohet ekspozon dyshimin e fshehur paaftësisht, pa bindje në shkronjat “e pafajshme”. Shprehja e saj, tradhëti e qartë e ndjenjës, të vërtetës që frymon brenda.

Një eksperiencë e ngjashme edhe në lidhje me fjalët e të tjerëve. “Jam i hapur, nuk do të të kufizoj dëshirat dhe lirinë të cilat, në fund të fundit, të lejojnë të jesh ti dhe jo një tjetër,” shprehje kjo si një fllad freskues që lehtëson dhe pastron gjithçka në çastin që thuhet, por që pas një reflektimi të shkurtër fillon thith oksigjenin  nga hapësira duke krijuar një gjendje mbytëse. Përsëri, fjali-premtim që përpiqet të demarkojë diçka pa kufinj si liria. Një rresht, një vijë që shënon horizontin, vija e horizontit vetë.

Megjithëse gjithnjë dyshoj se të gjithë e kanë kuptuar kohë më parë, kjo ishte një epifani relativisht mbresëlënëse për mua, të cilën e ndjeva me gjithë peshën e saj duke parë disa nga kopertinat e revistës amerikane People dhe rubrikës të saj, tashmë qesharake por dikur magjepsëse, 50 njerëzit më të bukur në botë. Sipërfaqësorja dhe e thella shpeshherë ndërthurren dhe nuk jam e sigurt nëse do të mësoja ndonjë gjë nëse njëra nuk do të ushqente tjetrën. Kuptova, me jo pak dhimbje, duke menduar të shkuarën, të tashmen, të ardhmen time se yjet e privilegjuar e të përzgjedhur e kishin arritur titullin dhe kopertinën jo në fillimet e shkëlqimit të tyre kur fuqia e bukurisë përmbante ende një element habitës, të paplotë por premtues të një rrëzëllitje edhe më verbuese por në pikën ekzakte dhe jetëshkurtër të konfirmimit, të tranzicionit midis asaj që ka qenë dhe asaj që do të jetë por jo për gjatë. Çasti i zenitit, më i fuqishmi por edhe më i dhimbshmi, i ndjekur nga rënia, i artikulluar në gjykimet e vendimet e People, të qarta e të prezantuara si fakte, maksimalisht mikluese por që fshehin mijëra presione, kërcënime, frikëra, përgjegjësi.

Meqë përmendëm yjet, më i rëndësishmi nga të gjithë, ndriçon gjithçka nëse e shohim me kujdes. Duhet ta vëshgojmë por pa ia ngulur sytë sepse për shikimin tonë ky takim mund të rezultojë fatal ndërsa për atë s’do të thotë asgjë. Ai as e ndjen e as e kupton kush e sheh apo përse. Me udhëtimin e diellit në solsticin veror, aq i dëshiruar nga njerëzit që presin që dita të zgjatet dhe tja marrë, pa mëshirë, terrenin natës të frikshme, të degdisur dhe të kufizuar tashmë në mënyrë të rehatshme në botën e gjumit dhe ëndrrave, sezoni i verës, stinës më gazmore të vitit, shpallet zyrtarisht i hapur.  Të çliruar, mendojmë se stinët më të ftohta dhe të paqëndrueshme janë pas nesh tashmë. Në të vërtetë, fitorja e lavdishme por jetëshkurtër e ditës shënon jo vetëm fillimin zyrtar të stinës por edhe fillimin e fundit të saj. Nga ky moment, dita e cila fillimisht ngadalë dhe me druajtje vjedh dhe pastaj pamëshirë pushton terrenin e natës do të shkurtohet derisa motrat rivale të barazohen përsëri.

“Mos e nxito aspak udhëtimin.”

“Dëshira nënkupton lëvizjen përpara.”

Duket si më e arsyeshme mos të fiksohemi pas qartësisë. E kapur, gjëja në dorën tënde, shumë shpejt do të kthehet në pluhur.

by Kleitia Vaso