by Kleitia Vaso

Emocionet më të fuqishme, imazhet më të bukura shprehen në fjalitë më të shkurtra dhe të thjeshta. Atëherë, poezia –pavarësisht mendimit të gabuar për të si një zhanër demokratik, ku të gjithë mund të marrin pjesë si rrjedhojë e gjatësisë të kufizuar – është, pikërisht për shkak të këtij “kufizimi,” zhanri më i vështirë, më qesharaku në raste dështimi por edhe më i jashtëzakonshmi kur funksionon.

Asnjeri se di por, shpesh, rreshta të poezive të preferuara vijnë papritmas në mendjen time duke u përsëritur e ripërsëritur, veçanërisht në momente ndjeshmërie ose dramaciteti të lartë. Më pëlqejnë shumë poezi e poetë por, Rilke, padyshim, është ai që më prek më tepër. Më mahnit dikush që mundet të kombinojë një mendje të mprehtë e të fuqishme me një ndjeshmëri dhe kapacitet mbinormal për të përjetuar emocione. E menduar cektësisht, duket se këto dy funksione janë të ndërlidhura por mjafton të shohësh rreth e rrotull për të kuptuar se jo vetëm nuk është ashtu, por se, në shumicën e rasteve, njëra pengon ose përjashton tjetrën. Rilke të jep përshtypjen se zotëronte kapacitetin e lakmueshëm të të dashurit të njerëzve, vendeve, objekteve, aq shumë, sa që mundej, për një moment, për sa kohë të zgjaste kjo dashuri, të shkrihej dhe bëhej një me ta. Për të vërtetuar admirimin tim, mjafton të them se e vetmja poezi që di përmendësh është një poezi e shkurtër e tij.

Një nga rreshtat e mia të preferuara i përket një tjetër poezie, një prej kryeveprave të tij, Orfeu. Euridika. Hermes, vetëm titulli i së cilës zgjon dhjetra mendime, devijime, interpretime. Poezia tregon, sipas Rilkes, udhëtimin e Orfeut në botën nëntokësore për të risjellë Euridikën e tij të dashur në botën e të gjallëve. I vetmi kusht është që, ndërkohë që ai kalon përpara me Euridikën dhe Hermesin të cilët e ndjekin hap pas hapi , Orfeu nuk duhet të kthehet mbrapa për t’i kontrolluar; duhet të besojë që ata janë atje. Orfeu kthehet, fatkeqësisht, por në versionin e Rilkes kthimi i tij ka rëndësi vetëm për atë; Euridika nuk duket se shqetësohet, madje shfaqet e pandërgjegjshme për prezencën e dikujt që po e pret, që ka kapërcyer hendekun midis dy botëve për ta “ringjallur” atë. Dhe megjithëse Orfeu fajëson veten, padurimin e tij për humbjen e saj, ajo ishte e humbur kohë më parë. E prezantur nga Rilke duke ecur qetësisht përkrah Hermesit dhe pas Orfeut, ajo është përshtatur me ndarjen e saj prej botës të të gjallëve dhe “ishte aq thellë brenda vetes, si një grua e mbushur/me jetën e re përbrenda dhe nuk e pa burrin përpara / saj duke u ngjitur  me vrull drejt jetës / Thellësisht brenda vetes. / Të qenit e vdekur  /e mbushte atë përtej përmbushjes.”

Dy rreshtat e fundit janë të preferuarit e mi dhe shprehin një emocion, një gjendje të caktuar që është vështirë për ta përshkruar përveçse në këtë formë. Herët e vetme në të cilat kam mundur ta prek sadopak kutpimin e tyre, ndjesinë që përshkruajnë, kanë qenë momente lumturie ose trishtimi ekstrem. Ekstremet e secilit emocion janë gjendje aq gjithëpërfshirëse sa të mbështjellin me një rrjetë të padukshme e cila të ndan prej jetës përreth, rrugës dhe kalimtarëve, dhomave të ndryshme dhe prezencat atje të përziera me njëra tjetrën në një mjegull, punës dhe njerëzve atje gjithashtu. Ndonjëherë, ekzistojnë emocione aq të fuqishme të cilat, thjesht nëpërmjet forcës së tyre, mposhtin dhe përkohësisht asgjësojnë  materialitetin dhe rëndësinë e botës reale.

Më kujtohet se një herë, disa vite më parë, mora një nga dhuratat më të bukura nga dikush që nuk priste gjë prej meje veç kënaqësisë apo emocionit tim në marrjen e saj. Pas momentit të parë shokues, më kujtohet që doja të isha vetëm, për një kohë të gjatë, duke ecur pa ndonjë qëllim, drejtim, apo destinacion të caktuar. Gjendjen gjatë kësaj ecje mund ta shpjegoj vetëm si të mjegullt, pa i vënë re aspak kalimtarët e tjerë sepse isha e mbushur me lumturinë time, kaq e mbushur, në fakt, sa ndjeja në momente që kjo gjendje prekte dhe reflektohej edhe tek të tjerët. Ndjehesha kaq e shkëputur, me energji dhe kapacitet mbinjerëzor, si një perëndi, reflektuese e dashurisë dhe mirënjohjes që ndjeja përbrenda.

Në këto gjendje që fatkeqësisht janë të rralla, më vjen ndër mend një titull filmi, Unë jam Dashuria, të cilin nuk mund ta harroj për shkak të bukurisë së frazës por edhe kuptimit të mjegullt, i cili lë hapësirë për interpretim. Faktikisht, titulli më pëlqen edhe më tepër se filmi vetë. Në lidhje me filmin, fraza ka kuptimin e diçkaje paksa ndryshe nga ajo çfarë doja unë prej saj, në mënyrë specifike, shfaqjen e dashurisë, të lajmëruar apo jo, e pandalueshme dhe e pamohueshme, pas një farë pike, një eksperiencë tjetër e rrallë, mendoj. Në lidhje me gjendjet gjithëpërfshirëse, titulli merr një rol më të zbutur në krijimin dhe shprehjen e ndjesisë të shkrirjes graduale me botën edhe nëse është për një moment të shkurtër por të fuqishëm.

E njëjta mbushje ndodh me trishtimin; por, në këtë rast, nuk ke dëshirë për ta ndarë dhe për ta reflektuar. Në fund të fundit, ai i përket ekskluzivisht personit që po vuan. Megjithatë, në raste ekstreme kjo gjendje gjithashtu e ndan dikë nga turma dhe dhuron një lloj nuri të veçantë por, e shumta, mund të transformohesh momentalisht në një personazh tragjik dhe jo një perëndi.

by Kleitia Vaso