Hapa besimi apo Salto mortale

by Kleitia Vaso

Besimtar apo jo, në ditë të caktuara si të shenjta, je e prirur të mendosh për gjëra që kanë lidhje me jetën, fatin apo zotin. Në krishtlindje, është pothuajse e pamundur mos të dallosh shfaqje të një fuqie të mbinatyrshme kur qielli gri hapet papritmas për të ndriçuar një dritë domethënëse mbi detin e zymtë. Drejtimi që ka marrë jeta jote është gjithashtu një mendim të cilit nuk mund t’i shmangesh. Gjithçka në atmosferë kërkon reflektim, me ose pa vullnetin tënd.

Megjithëse dita ka një emër të caktuar, e gjej veten tek marr të njëjtën rrugë që ndjek çdo ditë, rrugën buzë detit. Nuk e di arsyen e saktë për këtë shëtitje të përditshme. Edhe kur mendoj se do ta anashkaloj, këmbët më çojnë vetvetiu atje. Çfarë di është që nuk kërkoj të më ofrojë ndonjë shpërblim konkret. Thjesht dua që të më ringjallë në një farë mënyre, të më shplodhë sytë nga sulmi agresiv i ekraneve vrastarë por të domosdoshëm, të më furnizojë trurin me ajër të pastër që është më i nevojshëm për mendime të reja se sa fjalë apo fjali të mençura. E mendoj si ushqim por jo të ngrënë me zor, jo si një vakt të shëndetshëm por pa shije që bën pjesë në një dietë të mirëpërcaktuar. Nuk besoj në dieta. E di mirë se ajo që përfitohet nga një ushtrim i vullnetit, pa dëshirë, nuk sjell gjë tjetër veçse një kënaqësie të shkurtër dhe një trasformimi të shpejtë i cili do të përmbyset menjëherë nga orekse më të natyrshme. Kështu që pranoj atë që më jepet, pa u sforcuar tepër.

Shëtitja buzë detit mund të quhet edhe shpërdorim kohe. Mund t’ja kushtoja të njëjtën kohë aktiviteteve më të dobishme në dukje, atyre që kanë rezultate më të prekshme. Mund të lexoja, shkruaja, të mësoja gjuhën, të shkoja në vende ku mund të njihja njerëz të rinj. Mund të plotësoja një qëllim me një vlerë ekzakte, të matshme e të vlerësueshme nga jashtë. Por, nuk mundem ta bëj. Trupi e kërkon këtë harxhim dhe mendja, megjithëse jo gjithmonë aprovon, nuk mund ta ndalojë. Ndoshta, mendon, dyshuese siç është, se ai përpiqet t’ju shpëtojë detyrave më urgjente e më të mërzitshme. Ndoshta, ka të drejtë, megjithatë, si kundërpërgjigje, ndjej se deti, dielli, rëra, qielli e meritojnë këtë përkushtim të përditshëm që na shërben të dyja palëve. Një kohë që ju kushtohet vetëm atyre e asgjëje tjetër. Nuk ka ndodhur ndonjë gjë që mund të tregohet gjatë këtyre shëtitjeve, nëse një anekdotë, shaka apo çertifikatë merret si njësi matëse. Kam qenë dëshmitare e shumë skenave jashtëzakonisht të bukura por, fatkeqësisht, ato nuk mund të përshkruhen. Kur flas për gjëra të tilla dhe në përgjithësi, fjalët shprehin shumë më pak apo pak më tepër seç kërkon rasti. Kështu që nuk flas. Megjithatë, pavarësisht mungesës së çmimit, i quaj këto pamje një lloj dhurate, e dhënë shumë kohë më parë por kuptimin e së cilës po filloj ta zbërthej vetëm tani.

Sigurisht, ka pasur takime të papritura apo edhe ngjarje qesharake të cilat mund të zbulohen kur t'ju vijë koha, por, përsëri, asgjë që mund ta kthej në mall. Shkoj atje duke pritur diçka të mjegullt më tepër se një gjë të përcaktuar dhe pikërisht kjo më ofrohet në shkëmbim. Përfitimet e shkëmbimet më kujtojnë një ditë kur, me siguri e kënaqur me veten, i dhashë një sasi jo “të arsyeshme” lekësh një lypseje e cila na tregoi rrugën. U habita kur bashkëudhëtari im më qortoi për një veprim që në thelb iu duk egoist. “Megjithëse mendon se e ndihmon,” tha ai, “më shumë e dëmton, duke i dhënë shpresë se e njëjta gjë do të ndodhë shpesh.” Kishte të drejtë, ndoshta të njëjtën të drejtë si burri i shëmtuar i Baudelaire i cili ngul këmbë në të drejtën e tij ligjore për ta pare veten pa rreshtur në pasqyrë.  Megjithatë, vërtet nuk e konsiderova aspak të ardhmen e saj. Isha e lumtur vetë, ndjehesha bujare, dhe doja të shpërndaja të njëjtën gjendje mirëqenieje rreth meje. Pasojat nuk më shkuan aspak ndër mendje ashtu si, shpeshherë, nuk më shkojnë as në lidhje me jetën time. Ndoshta doja që edhe gruaja të besonte se herë pas here, mrekullitë e vogël ndodhin, pa paralajmërim apo arsye, sepse këtë dua të besoj edhe vetë. Vazhdimin jua lë të tjerëve.

Në shtëpinë e re të këtyre viteve të fundit, mbaj mend lumturinë e trishtimin e njëkohshëm dhe të barabartë të një dite, gjatë rrugës të kthimit në shtëpi. Ndërkohë që ecja, kënga “Like a rolling stone,” e Bob Dylan dëgjohej nga një makinë që ecte përkrah meje. Dita po kthehej në natë, ishte bukur por ftohtë, dhe më kujtohet se u ndjeva plotësisht e lirë dhe po aq e vetmuar, pa shtëpi, pa qëllim, si një gur që rrotullohet, pa ditur se ku shkon. E kuptova këngën vërtet, me gjithë qenien time, jo thjesht me mendjen e cila shpesh rend përpara me vetësigurinë artificiale të një nxënëseje të shkëlqyer. Përjetova në të njëjtën kohë, pa ditur t’i ndaj, dehjen dhe mërzinë e lirisë, të mos diturit hapin tjetër, zhvendosjen e pushtetit nga duart e mia në të tjera të panjohuara, po aq bujare sa edhe të pabesa. Në vendin që më zgjodhi po aq sa e zgjodha unë, kuptova se i njëjti ligj rastësie ka udhëhequr jetën time. Diploma e universitetit e grumbullar së mbrapshti dhe jo e nisur nga fillimi për të shkuar drejt një fundi të ditur e të caktuar. Lëndë të ndjekura nga interesi që si përfundim përbënë një diplomë ndërkohë që me mendje të ftohtë “vazhdoja” degë më praktike të cilat nuk u përfunduan kurrë. Marrëdhëniet e shoqëritë po ashtu, pa qëllim apo rezultat të parapërcaktuar apo final. Çfarë kam përfituar nga to nuk mund të tregohet me fakte por mendoj se ndoshta është e dukshme. Punët e ndryshme, po ashtu, një listë rastësore por, secila e shijuar në mënyrën dhe për periudhën e vetë. Jeta, pa hartë, pa plan, asgjë e përcaktuar përveç besimit në të dhe në momentin e caktuar i cili do të më të ndriçojë vazhdimin e rrugës. Drejt hapit tjetër.

by Kleitia Vaso