by Kleitia Vaso

“Ting, ting, ting,” oshëtijnë tingujt si teneqe të lëshuar nga piano. Një e qeshur e madhe e cila më habit dhe vetë, jashtë çdo kontrolli, shpërthen pa leje në qetësinë e sallës. E skuqur dhe e sikletosur, por pa mundur ta përmbaj veten, kthehem për shpëtim, ngushëllim apo shoqërim nga bashkëvuajtëset S. dhe J. por ato thjesht kafshojnë buzët dhe rrotullojnë sytë për të ndalur këtë gaz të papërshtatshëm që vetë po mundohen ta shtypin me shumë mundim.

Nuk mund ta fajësosh vajzën që po luan. Është tepër e vogël, ndoshta 5 apo 6 vjeç. Por, edhe une nuk kam faj. Loja e saj krijon imazhin e dy duarve të shkëputura nga trupi të cilat po godasin çelësat pa ritëm apo plan. Ose, sikur tastiera e çakërdisur ka filluar të luajë vetë, pa një njeri që ta drejtojë. Shkurt, një kanoçe mund të prodhonte tinguj më melodiozë. Por, le ta falim vajzën, meqënëse është aq e vogël.

Pas dy apo tre performancash më të këndshme por të harrueshme, vjen rradha e një vajze më të rritur, me një vetësiguri në dukje të tepruar. Natyrshëm, pritet që të ulet në piano dhe të na hipnotizojë me tingujt ëngjëllorë apo të stuhishëm që do të dalin prej duarve të saj të arta. Por, sapo fillon të luajë, është e qartë se nuk do të ketë gabime por as edhe ndjenjë. Shprehja në fytyrën e saj, me mjekrën e shtrënguar dhe një vetull të vendosur më lart se tjetrën, tregon sigurinë e madhe dhe po aq të lëkundshme të një vajze të zellshme, e cila, merr, pa kursim, lëvdata boshe nga mësues e prindër. Edhe mënyra si përkulet në përfundim të shfaqjes shkon kundër domethënies të gjestit. Në vend që të shprehë falenderim, përkulja aspak e përulur duket se thjesht pranon, pa modesti, mirënjohjen nga publiku. Ndoshta më vonë, pasi të dalë nga ky rreth i ngushtë e i ngrohtë, vajza do të habitet e zemërohet nga bota po aq indiferente. Por, me siguri, një ngushëllim do ta gjejë. Do të mbledhë nota të mira e më pas çmime, çertifikata, para apo të tjera pikë të llojeve të ndryshme që do të mbushin boshllëkun. Grumbullimi i vërtetimeve mbi aftësitë e saj të ndryshme e të shumta do të shpërqendrojë nga mungesa më e thellë dhe thelbësore që nuk do të duket, por do të ndjehet, me siguri.

Pas saj, një djalë i vogël dhe i çuditshëm në pamje, me një shproporcion të lezetshëm por të theksuar midis madhësisë së kokës dhe trupit ende të parritur. Shprehja e tij e trishtuar shkakton kuriozitet, të paktën, premton një ndjenjë dhe, vërtet, sapo fillon të luajë, diçka ndodh. Për një çast shumë të shkurtër, por mjafton, ndjenja e pianistit prek një nerv, një ndjenjë brenda meje, teje,  dhe të transporton në një botë tjetër, të shkëputur nga salla rastësore dhe koha. Pavarësisht pasigurisë dhe trishtimit të tij, apo ndoshta pikërisht prej tij. Më në fund, një fije shpirti shoqëron muzikën. Nuk dallova gabime; thjesht di se u gëzova që ndjeva diçka, edhe nëse kjo ndjenjë ishte ndarja e trishtimit me djalin e vogël, i cili që tani duket i pangushëllueshëm. Edhe aftësia e tij në piano nuk duket se e qetëson.

Loja e tij e pasigurt por plot ndjenjë më kujtoi një nga “leksionet” prej mësuesit tim jozyrtar të operës, B., i cili më qartësoi ndryshimet midis sopranove të njohura. Maria Callas, më tha, nuk është teknikisht e përkryer – ekzistojnë ato të cilat që nuk bëjnë gabime, ndërsa ajo edhe mund të gabojë dukshëm – por ndjeshmëria e zërit të saj të transporton, të prek, e mund të të bëjë për të qarë në gjendjen e duhur. Si artistët më të mëdhenj, ajo mund të jetë Violeta apo Aida dhe, njëkohësisht, të mbetet e pandryshueshme, vetja e saj. Paradoksi i të transformuarit në dikë tjetër, fenomen që krijon përfshirjen e spektatorit apo dëgjuesit në një botë tjetër pa hequr dorë nga prania e personalitetit të vetë artistit mund të arrihet vetëm nga ata më të vërtetët. Kjo prezencë e dyfishtë më sjell ndërmend titullin e një ekspozite – ndoshta më i bukuri që kam dëgjuar – të punëve të Van Gogut: Kur jap, jap veten time, titulli i cili nënkupton se piktori i madh, dashuria e të cilit u kthye me shumë vonesë, ofron gjënë më të rëndësishme e asnjë zëvendësim të zbehtë. Ndoshta, nëse mundej të ofronte diçka më të thjeshtë, si vetëm një pjese të vetes, do ta kishte bërë. Por, siç duket, nuk mundej. Në pikturat e tij, ai është gjithmonë i pranishëm, po aq pjesë e imazheve sa yjet, pemët, fushat e florinjta, si energji, në penelatat plot tension e aureolat plot jetë, bojë e ngurtësuar por në lëvizje të vazhdueshme. Në mos në pikturë, ai do të gjente një tjetër rrugë-dalje, ndoshta në tinguj, zë, lutje, gjeste shkatërruese apo adhuruese sepse, pavarësisht kanalit dhe mënyrës së përzgjedhur, vegla më thelbësore e artit mbetet qenia njerëzore.

by Kleitia Vaso