by Kleitia Vaso

Sa herë që shikoj vajzën e ulur në të njëjtin vend duke luajtur me telefonin, ndërkohë që i dashuri i saj punon, pyes veten se si dhe ku e gjen forcen për të bërë të njëjtën gjë përditë; “aktiviteti”i saj në këtë rast është thjesht kalimi i kohës duke bërë shumë pak për të pasuruar veten ose dikë tjetër, nga ana financiare, mendore, apo shpirtërore. Ndoshta nuk do të më kishte rënë në sy si diçka negative nëse ajo vetë nuk do të dukej aq e pakënaqur dhe inerte por, pasi e vura re, ndjeva kombinim fatal të letargjisë dhe frustrimit, i gatshëm për t’u transformuar në helm i cili më vonë do t’iu “serviret” të tjerëve. Kjo gjendje, e cila nuk meriton përshkrimin romantik “palumturi” sepse përjashton impulset aktive, rrjedh nga një mungesë e qartë e aktiviteteve të jashtme e të brendshme.

Mund t’a mendojmë vajzën tonë si një version të zakonshëm të Heda Gabler, e cila, në fakt, është anti-heroina ime e preferuar, një nga idhujt, ndoshta të gabuar, të fëmijërisë. Por, në rastin konkret, vajzës i mungojnë disa elementë thelbësorë që do të mund t’a shndërronin nga një vajzë aspak interesante në një anti-heroinë: 1. Një baba i cili ka qenë gjeneral dhe shembulli që ende drejton Hedën. 2. Një pamje mbi mesataren, që ndoshta mund të mos jetë e dhënë nga zoti por e krijuar nga aftësia krijuese e një njeriu të fuqishëm mendërisht. 3. Kufizimet e imponuara nga shoqëria mbi gratë e shekullit të 19-të (ndoshta në Tiranë nuk jemi aq larg kësaj, por, përsëri, mund të përpiqemi me atë liri që ekziston). 4. Inteligjencë dhe kuriozitet i tepërt, të cilat e kthyen jetën e Hedës nga mediokre në të padurueshme. Fatkeqësisht, pasi kemi hequr këta elementë, na mbeten vetëm frustrimi, pakënaqësia dhe helmi. Pika që bashkon anti-heroinën time dhe këtë vajzë është paaftësia për të transformuar emocionet dhe ambiciet e tyre në diçka krijuese dhe pozitive në vend të negatives, shkatërrueses dhe përfundimisht vetë-shkatërrueses. Realisht, kjo vajzë është shembull i një epidemie më të gjerë kombëtare; palumturia, si rezultat i mungesës së aktivitetit mendor, emocional, dhe fizik, e cila merr formën e një sulmi të hidhur pasiv-agresiv mbi jetët e të tjerëve. Nga vjen ky frustrim?

Padyshim që arsyet janë shumë dhe të shumëllojshme dhe jam e sigurt që njerëz më të ditur në fushat e politikës e sociologjisë do të ofronin shpjegime të pafundme nga nje këndvështrim socio-politik. Por ky lloj këndvështrimi nuk është pika ime më e fortë dhe, për më tepër, nuk përbën ndonjë interes personal. Ato që mendoj se kuptoj më mirë janë gjendjet subjektive sepse ato të miat i analizoj tej mase. Gjithashtu, ndjej dhe pranoj që kam potencial për gjithçka, qoftë e mirë apo e keqe: frustrim, pangopësi dhe pakënaqësi, agression, e të tjera me rradhë. Por, çfarë nuk më pëlqen është koha e çuar dëm, një koncept i cili, si gjithçka tjetër është relativ, por unë do të përcaktoja si të shpërdoruar gjithçka që nuk ka asnjë vlerë ushqyese per intelektin, shëndetin apo emocionet; gjithçka që nuk i shton qoftë edhe pak qënies që ishe përpara momentit që tashmë ka kaluar.

Ndërkohë që diskutoja romanin Burimi i Jetës të Ayn Rand me J., një libër të cilin sapo e kishim mbaruar të dyja, vajza e mësipërme ishte diku në sfond, gjë që m’a lehtësoi lidhjen indirekte midis këtyre dy gjërave. Protagonisti i romanit, Hauard Rork, është një arkitekt modern i cili nuk beson në arkitekturën e huazuar nga kohëra të tjera, të mëparëshmë, po në një stil të ri, modern, të pakuptuar akoma nga njerëzit përreth. Gjithë arkitektët afër tij janë më të suksesshëm, në sipërfaqe, sepse përdorin stile projektimi të aprovuara nga shoqëria dhe të kërkuara pikërisht sepse janë të afirmuara nga të tjerët. Rork përfaqëson individin i cili vlerëson vetëpërmbushjen mbi të gjitha pa u shqetësuar për t’iu përgjigjur pritshmërive të të tjerëve. Ky individ nuk mendon asnjëherë,fillimisht, për të mirën e shoqërisë; Rand shpreh se shoqëria mund të përfitojë nga një individ si ky, i cili së pari respekton veten, e si pasojë e kësaj,edhe te tjerët . Për shembull, bamirësia është një akt fals në botën e Rand sepse i nxit të dyja palët, dhënësin dhe marrësin, të kryejnë veprime të panatyrshme dhe i vendos ata në pozita artificiale superioriteti dhe inferioriteti.Nëse dikush përpiqet të përmbushë potencialin e tij/të saj pa shitur veten ose pa i rënë shkurt, mund të ndjehet i palumtur ose i mundur nga bota me raste por jo i/e frustruar si rrjedhojë e tradhëtisë ndaj vetes, një tradhëti që, me kalimin e kohës, kthehet në kohë të shpërdoruar, vëmendje të tepruar kushtuar jetëve të të tjerëve, dhe intriga e ndërhyrje zemërngushta në punët e të njohurve e të panjohurve. Megjithëse ekstreme, Rand ka të drejtë; njerëzit të cilët përmbushin qëllimin e tyre duke shfrytëzuar aftësitë që kanë pa e anashkaluar pjesën e vështirë të vetë-reflektimit dhe pa iu shmangur asaj duke u përqendruar në aktivitete të kota, nuk kanë kohë për të humbur duke u marrë me të tjerët dhe me probleme të parëndësishme. Sigurisht, bisedat virtuale, kafet e gjata por me shumë pak shkëmbim, koha e hedhur në Facebook, të maskuara si ruajtje e lidhjeve shoqërore, nuk quhen.

by Kleitia Vaso