by Kleitia Vaso

Duke parë në një foto të Njerëz të New York-ut katër gra të moshuara (dy janë prezente, dy mungojnë fizikisht) nga Evropa Lindore – të gjitha nga vende të ndryshme – të cilat takohen rregullisht në një stol të qytetit, mendova: “Sa mirë që takoheni atje, që keni ende gjëra për të diskutuar, që ju ngjallin nostalgji, që ndoshta ende imagjinoni një version më të plotë të të njëjtit stol e lloj takimi në vendin tuaj.”

Malli, ëndrra, distanca dhe afërsia e të qenit prej të njëjtës zonë por jo prej të njëjtit vend, transformon një takim, i cili në një vend më të natyrshëm si vendlindja do të ishte një aktivitet paksa banal pa nuanca dhe dëshirë të papërcaktuar në sfond, në një bashkim në dukje artificial por shumë herë më emocionues.

E çuara deri në fund e gjërave, plotësimi i dëshirave të mjegullta, zbeh emocionet shumë të forta e paraprakisht të papërcaktuara. Vetë plotësimi ngurtëson mjegullën dhe ngurtësimi ul intensitetin. Si një nga njerëzit relativisht të rrallë që ka plotësuar udhëtimin rrethor me ndalesa të gjata në vendlindje – “ekzil” – vendlindje, duhet pranuar që emocioni i fuqishëm i të dëshiruarit të diçkaje në distancë nuk përputhet aspak me përballjen e vërtetë, me të vërtetën që gjehet vetëm kur guxon ti shtysh gjërat deri në limitin e tyre më të jashtëm/të brendshëm.

Duke qënë në një vend neutral, këto mikesha mund të takohen lirshëm me njëra tjetrën, mund të flasin pa shumë filtra të imponuar nga rrethi i ngushtë që mund të ekzistojë në vendin e tyre, ku një lëvizje do të prekte dikë pa dashur, ku çdo “rrëfim,” lëshim ose kujdes do të ishte pjesë e një strategjie për të mbajtur njëkohësisht larg dhe afër njerëzit të cilët të rrethojnë përditë, nga të cilët nuk largohesh dot aq shumë fizikisht apo figurativisht sepse të lidhin shumë fije të dukshme e të padukshme. Në këtë rast – rastin e katër mikeshave, distanca krijon afërsi. E marr me mend se për çfarë flasin këto gra dhe nuk besoj janë kryesisht thashetheme për njerëz të parëndësishëm të përdorura për të fshehur dhe mospërmendur ndjenja dhe tema thelbësore që prekin në mënyrë direkte të vërtetën midis dy ose më shumë njerëzve. Jo saktësisht por me hamendje, ato flasin më tepër për emocione, për mall dhe dëshirë, për njerëz të cilët kanë ngrirë në kujtesën e tyre në momentin e ndarjes, në formën ideale, të paprekur nga afërsia shpeshherë shëmtuese.

E kuptoj shumë mire dhe identifikohem me tendencën e shumë njerëzve për t’i lënë gjërat pikërisht në këtë pikë; të vazhdojnë të ëndërrojnë, të bashkohen në këtë pikë neutrale që lejon pak vend për realitet dhe shumë për ndjenjë, zbukurim, dramacitet dhe dëshirë të madhe, të dhimbshme. Malli deri në dhimbje, hidhërimi i cili tek Mjellma e Baudelaire njëkohësisht ushqen dhe vret të mërguarit të cilët poeti i prezanton si të babëzitur për torturë. Por, ata duhet të dinë që ajo çfarë imagjinohet, dëshirohet me aq ngulm, shpesh, ndodhet shumë larg të vërtetës.

Në mënyrë intuitive, jo të llogaritur ose sforcuar, më kujtohen rreshtat e Fiona Apple – një këngëtare që kam pothuajse një dekadë pa e dëgjuar – të cilët ajo ia këndon me një ton paksa përbuzës të dashurit të vet ëndërrimtar: “I kam këmbët në tokë dhe nuk fle për të ëndërruar.” Më kujtohen këto fjalë sepse, megjithëse e prirur vetë për të zbukuruar e plotësuar një realitet me raste të vakët e pa shije, mendoj se dëshirat shpesh të lëna të paplotësuara për diçka ose dikë, tregojnë mungesë fuqie për të jetuar vërtet, për tu përballur me jetën. Por, kur plotësohen dhe nëse plotësimi mund të pranohet dhe në të të gjehen anët positive pavarësisht efektit të tij mbyllës, kategorizues, që nuk lejon hapësirë infinite për ndjenja dhe zbukurime irreale, dikush mund të quhet, të jetë, vërtet i fortë. Se di a do arrij ta kapërcej gjithmonë natyrën e plotësimit shpesh zhgënjyes dhe atë të afërsisë ëndrravrasëse por nëse do të dëshiroj diçka me ngulm, do të përpiqem ta arrij, ta pranoj ashtu siç është për të evituar një jetë irreale, si ndonjë lloj Blanche Dubois e paaftë për të përballur realitetin, e mbyllur në dhomën figurative me ëndrrat, kujtimet dhe iluzionet e saj.

Megjithatë, i preferoj këto katër gra atje ku janë; ato janë më të mençura e dinë më tepër se unë e në fund të fundit, ndodhen në pikën ku dëshira e plotësuar apo jo nuk është tekë e as veprim që ndryshon rrjedhën e gjërave por oksigjen, i nevojshëm për të jetuar.

by Kleitia Vaso