by Kleitia Vaso

Shkëmbimi i mëposhtëm nisi nga mospërputhja midis dy bashkëbiseduesve mbi dozat e nevojshme të lumturisë për secilin prej tyre.

Dialoguesi më modest në kërkimin e kësaj gjendjeje eluzive ofroi një përkufizim i cili thekson intensitetin e ndjenjës në formën e saj të pastër, si edhe shkatërrimin e shpejtë dhe të zhurmshëm që e ndjek më pas:

“Po të donim dhe të kishim guximin të ndjenim lumturinë maksimale, do të ngjiteshim në pragun e një ballkoni ose tarrace, do të hapnim krahët dhe do të lëshoheshim në një fluturim të lirë.”

Mund të imagjinohet ekzaltimi dhe frika e lëshimit të parë, si edhe fundi i shpejtë dhe i fuqishëm por fatal; koncentrati më dehës dhe i frikshëm i grumbullimit të disa emocioneve primare. Nëse do ta përkthenim në ngjyra, përbërja do të ishte një lëmsh marramendës i këtyre ngjyrave, pra atyre më të fortave, në vend të një ndjenje të shtrirë në kohë dhe intensitet, e cila do të përfaqësohej më saktësisht nga ngjyrat pastel.

“Po, ke të drejtë,” u përgjigj dialoguesi tjetër, më pak modest se i pari, “fluturimi – ose e parë nga ana tjetër e medaljes, hedhja – do të ishte imazhi i saktë i lumturisë maksimale. E kundërta e kësaj gjendjeje sublime dhe fatale do të ishte zvarritja në tokë si një kërmill, letargjike, e mundimshme dhe pa entuzizëm e dëshirë.”

Edhe bashkëbiseduesi i dytë ka të drejtën e tij; zvarritja është e kundërta e fluturimit dhe do të bëhej veç për një arsye:  shpresën e jetëgjatësisë.

Fatmirësisht, ne, këmbësorët e zakonshëm, ndodhemi diku midis këtyre gjendjeve ekstreme në shumicën e rasteve, herë të gjunjëzuar figurativisht nën peshën e një barre të padukshme, herë në majë të gishtave, të ngritur pezull nga një lumturi e përkohshme. Ky ekuilibër midis dy gjendjeve shpjegon humbjen e flatrave dhe evoluimin nga fluturimi tek ecja, ose nga ana e kundërt, ngritjen e ngadaltë dhe plot hezitim nga toka drejt qiellit, ose, më saktë, tavanit.

by Kleitia Vaso