by Kleitia Vaso
  1. Festa

Nata e parë në një qytet të panjohur, ku gjithçka, duke përfshirë klimën, gjuhën, ndërtesat, e rrugët është e huaj, mund të jetë e parehatshme për çdo udhëtar të ndjeshëm. Shqisat janë të mprehura dhe nuk mund të eliminohet plotësisht ndjesia e prezencës të një rreziku të panjohur që mund të shfaqet papritmas. Megjithatë, supozohet  se njeriu mësohet me këto përshtypje të para të deformuara dhe parehatinë e krijuar prej tyre si rrjedhojë e përvojës gjithnjë në rritje, sidomos kur jeta e mëparshme ka përfshirë zhvendosje më jetëgjata e traumatike se disa netë në një qytet të huaj. Ndryshe nga këto ndryshime të mëdha që ngjasojnë me dridhje të lehta por të thella, shpërthimi i të cilave do të ndodhë me siguri por në një moment të papërcaktuar, udhëtimet më të shkurtra e mbyllin ciklin e tyre të çudisë, adaptimit, pëlqimit, dashurisë, urrejtjes apo thjesht indiferencës brenda një kohe më të shkurtër.

Krakova nuk kishte ndonjë gjë të njohur, apo elemente që mund të ofronin iluzionin e familiaritetit. Qyteti, rrugët, njerëzit nuk më ngjallën asnjë ndjenjë ngrohtësie apo sens sigurie. Por, tashmë e pres këtë ndjenjë çorientimi, e sigurt se do të vijë, me hapat e para në një qytet të ri. Gjithashtu, pavarësisht parehatisë e dembelizmit fillestar, di po aq mirë se duhet ta kapërcej këtë pengesë të parë, këtë bllok në mendje që refuzon, natyrshëm, diçka të re. Gjëra interesante, nëse jo të mahnitshme, mund të ndodhin, ngjarje, mendime apo ndjenja këto që nuk duhet të pengohen prej dredhive të paparashikueshme të mendjes sa të kujdesshme aq edhe dinake. Kështu që, e armatosur me këto njohuri të fituara aspak lehtësisht, dola nga dhoma e hotelit. Punonjësist e sjellshëm, duke u përpjekur të na ndihmonin ne ose qytetin e tyre, më njoftuan mua dhe J.-në për një festë të madhe pranë lumit ku i gjithë qyteti do të merrte pjesë. Errësira dhe ideja e një feste buzë lumit më zgjuan lloj-lloj imazhesh të frikshme. Imagjinova lumin, shumë larg qytetit, në mes të një pylli, turmën e intoksikuar, jashtë kontrollit, gjysmë të zhveshur, me kurora degësh e gjethesh mbi kokë. E frymëzuar nga ndjenja e pasigurisë, imagjinata prodhon lloj-lloj kombinimesh të lezetshme të asaj që është lexuar me atë që është jetuar.

E dekurajuar nga këto imazhe të shthurrura nokturne, e paguximshme, vendos që nuk mund ta përballoj adrenalinën e festës buzë lumit dhe vendos për një opsion më të njohur dhe më pak emocionues: një shtëtitje në qendrën e zbutur për turistë, plot restorante, realiteti i të cilëve mund të përballohet kollaj. Ndoshta edhe mungesa e ushqimit ka ndikuar në haluçinacionet me sy hapur, pasi me kafshatën e parë të ushqimit e gllënjkën e parë të birrës, gjaku fillon të orientohet drejt vendeve të duhura. Kthehem përsëri në botën e njerëzve, e qetë tashmë nga mbivendosja graduale e realitetit jashtë mbi atë imagjinar. E rehatuar tashmë me vendimin tim të arsyeshëm por frikacak, papritmas dëgjoj zhurmën familiare të fishekzjarreve dhe zërat e një turme që duket se po na afrohet gjithnjë e më tepër. Jam e sigurt se kjo kakofoni tingujsh e rrëmuje vjen nga festa e çmendur buzë lumit. Kthehem ta vërtetoj dyshimin dhe shoh, përveç fishekzjarreve, çifte të reja e të vjetra, prindër e fëmijë të lumtur me tullumbace e akullore nëpër duar, të cilët kthehen prej të njëjtit vend – lumit – dhe ecin drejt qendrës për tu kthyer të kënaqur në shtëpi. Festa, siç duket, ka mbaruar. Është ora 9:00 e darkës.

  1. Leksioni

Ora pas drekës nuk mund të jetë produktive sado që ne luftojmë gjithnjë kundër natyrës. Në një gjendje pothuajse të këndshme dembelizmi dhe rëndese, trupi detyrohet të lëvizë sikur nuk ka nerva e muskuj, një orar të vetin. Kësaj rradhe, duhet ta sforcoj veten të rikthehem në dhomën e konferencës pasi kam ngrënë me një uri të çmendur që vetëm një konferencë mund ta krijojë. Trupi kërkon doza sheqeri si drogë për të kompensuar letargjinë dhe mungesën e ndonjë interesi apo emocioni të vërtetë. Megjithatë, pavarësisht mungesës së energjisë e freskisë, ndihem e qetë pasi nuk duhet të marr pjesë në mënyrë aktive. Prezantimi im është ditën e nesërme, gjë që më lejon të ulem dhe të ëndërroj me sy hapur ndërkohë që përpiqem, pa rezultat, ta domestikoj mendjen time të pabindur duke e shtyrë të dëgjojë prezantimet, atë për të cilën kemi ardhur në fund të fundit. Për tu zgjuar pak, vështroj rreth e rrotull por – tmerr! – në vend që të qetësohem nga fytyrat që më rrethojnë, dalloj vetëm tike nervore. Shoh këmbë që tunden pa rreshtur, shpatulla që lëvizin jashtë kontrollit, kokë që dridhen, sy që hapen, mbyllen e picërrohen pa lejen e të zotit/zonjës. Hap dhe mbyll sytë dhe unë, duke dyshuar gjithmonë e në rradhë të parë perceptimin tim. Por jo, dridhjet, tundjet, picërrimet janë po atje. E habitur, shoh dikë që duket se po flet me vete në heshtje. Nuk lëshon zë por shprehjet e fytyrës lënë të kuptojnë se monologu/dialogu është goxha interesant. (Nuk dua të shkruaj tejet interesant për të mos përdorur një fjalë antipatike dhe tejet të përdorur – tejet.)

Prezantimi i rradhës fillon. Kapem pas tij si pas një komardareje që do të më shpëtojë jetën ndërsa jam duke u mbytur. Shumë shpejt, kjo shpresë shuhet ndërkohë që dëgjoj tingujt e një gjuhë të cilën ende nuk e kuptoj mirë. Sapo kam filluar të pranoj fatin tim duke e lënë veten të bie poshtë, shoh, me mirënjohje, përkthimin e prezantimit të shkruar në anglisht. Filloj të lexoj sikur po lexoj ndonjë shkrim të shenjtë. Fatkeqësisht, këtu nuk ka as kopshte parajsore as maja malesh të paarritshme, as Adam e Evë, as kulla që ngrihen për të rënë, as intriga të pafundme të Zeus-it e të Herës, asgjë për tu shënuar. Në mënyrë të pashmangshme, humbas çdo lloj interesi. Nuk dëgjoj asgjë. Me rritjen e mërzisë fillon të më rritet temperature, shoqëruesja e saj më besnike. Dua të dal nga dhoma-burg por, duke gjykuar nga numri i dëgjuesve dhe nga mosha e personit që prezanton, kuptoj që kjo do të ishte një lëvizje e pasjellshme. Gjithsesi, duhet të qëndroj, për të testuar vullnetin e rezistencën ndaj parehatisë. Këto janë lojërat që unë luaj me mendjen dhe ajo me mua për të argëtuar njëra-tjetrën, kur bota jashtë nuk na ofron atë që na takon. E lënë me shumë hapsirë boshe, mendja fillon ta mbushë atë me shpejtësi me imazhe e emocione të trilluara. Për shembull, krijon iluzionin e pakëndëshëm të një rreziku jetësor në mes të një dhome të fjetur konference. Përgatitet ta luftojë këtë armik, mërzinë e painteresin të veshur me fytyra të tjera, sikur të jetë rrezik vdekjeprurës. Lëkundet parreshtur midis instinktit për të luftuar dhe atij për të fluturuar, duke e ditur mirë se unë nuk do të lëviz, në fakt. Personi që prezanton nuk mund ta dijë kurrë se monotonia e prezantimit është kthyer në një test serioz të durimit dhe vullnetit të një dëgjuesi. Kjo ecejake vazhdon për rreth një orë. Në fund, e skuqur dhe e djersitur, dukem sikur kam shpëtuar nga kthetrat e një ftohje serioze, me kollë, temperaturë e gjithë të mirat që e shoqërojnë.

Tashmë, e di pse ndodh. Nuk mund ta bind mendjen të kënaqet me thërrimet që i ofrohen pa besim e pa entuziazëm nga jashtë. Ajo e di që nuk jemi krijuar për tu ulur brenda një dhome për ditë të plota, në ajrin e frymëve tona, të hidhëruara gjithnjë e më tepër me kalimin e orëve. Megjithëse mund të pretendojmë të harrojmë, për rehatin dritëshkurtër e jetëshkurtër, nuk mund të durojmë gjatë brenda kafazit, pa parë gjelbërim, bojën e qiellit apo të detit, diellin, edhe shiun megjithëse ky i fundit e bën burgun më të pranueshëm, jo aq kriminel.  Nën dritat vrastare dhe shëmtuese të neonit, dëgjojmë një lumë – të tharë, që nuk rrjedh – me fjalë. Kështu që mendja plotëson vetë atë që nuk i ofrohet. Sajon ndjenja, luan me mendime si një mace me një top leshi. E di që shkundja e këmbës, dridhja e supit, picërrima jashtë kontrollit e syve, lëvizja e pandërgjegjshme e kokës e gjithçkaje tjetër janë shenja të diçkaje që nuk ka shkuar ashtu ose atje ku duhet. Të gjitha këto duket se janë gjurmët e mbetura të një energjie të tepërt që nuk ka çtë bëjë me veten në një dhomë, brenda, në një makinë, brenda, në një kafene të ulur me orë të tëra, në një sallë ku flitet pambarimisht. Ato janë gjurmët, sinjalet e humbjes së rrugës, të ndonjë deformimi apo masakrimi të vetes që trupi nuk e duron dot, e refuzon. Duhet të përpiqemi të luajmë vërtet, jo në sipërfaqe. Jemi krijuar për më tepër se kaq.

  1. Dhoma

Në një gjest bujar të shkaktuar nga keqardhja për dhomën time modeste, një shok ofroi të më ndihmonte me dekorimin e saj. Duke patur besim të plotë te shija e tij, e pyeta vetë e para për disa sugjerime duke e menduar shkëmbimin më tepër si një lojë argëtuese sesa një plan me rezultate praktike. Nuk e dija se kërkesa ime gjysmë-serioze do të ndiqej nga pyetje që kërkojnë përgjigje të sakta, përmasa, numra, pozicione objektesh, e detaje të ngjashme. Me pak tmerr nostalgjik, mu kujtua fëmijëria dhe detyrat e shtëpisë, të matematikës për të qenë e saktë, me të cilat shpeshherë më ndihmonte babai. Përsëri, vetë e kërkoja ndihmën me shpresën e verbër që do të merrej pa çmimin që e shoqëron, investimin me kohë e përpjekje. Shpresoja të mos shkëputesha shumë nga çfarëdo mendimi apo aktiviteti ndërkohë që problemet zgjidheshin vetë. Por, jo. Me durim shenjtori e me saktësi arkitekti, më drejtonte të fillonim nga fundi – nga pyetja thelbësore e problemit – dhe shkallë-shkallë arrinim te zgjidhja.

Kësaj rradhe po përballesha me të njëjtën situatë. Ndihma do të vinte, e sigurt si vdekja, por vetëm në shkëmbim të përfshirjes time në një botë shifrash e përmasash që shpeshherë më tingëllojnë si një gjuhë e huaj e papenetrueshme. Nëse më ke folur ndonjëherë për metra katrorë, kilometra, milje, litra, lekë, apo kurse shkëmbimesh dije se kam kuptuar shumë pak nëse kam arritur të dëgjoj pas njësisë matëse të parë të përmendur. Kësaj rradhe, zgjodha një rrugë tjetër. Duke luajtur rolin e një adulti të rregjur, ofrova disa shifra që mu dukën të arsyeshme. U kënaqa dyfish me veten kur pashë se reagimi i shokut nënkuptonte që dhoma në të cilën banoja, ishte më e madhe seç pritej. Nuk e di vitin e ndërtimit të pallatit, por, siç duket, mendova se duhet të kishte qenë viti i bujarisë së madhe. I entuziazmuar por skeptik, shoku më pyeti ta masja dhomën, thjesht për siguri. Paksa e bezdisur nga mungesa e besimit, mora metrin dhe e mata atë cep më cep, duke pritur konfirmimin e rezultateve. Si përfundim, përmasat duheshin përgjysmuar. Dhoma ishte gjysma e asaj që mendoja dhe, për më tepër, madhësia ishte po aq standarde sa e një apartamenti modest, mesatar, një e vërtetë jo aq emocionuese që, pa metrin, do të kishte mbetur e pazbuluar.

  1. Bankomati

Duke përfunduar në mendje këtë ese e duke u përgatitur për gjëra të reja më të mira, dal nga shtëpia për tu marrë me detajet konkrete të jetës së përditshme. Por, sapo filloj të mendoj për organizmin e lekëve, shpërqendrohem nga kush e di se çfarë. Mendoj për personazhet e ndryshme të jetës, kryesorë e rrethanorë, aktual apo nga e shkuara. Një ngjyrë, vend, aromë më transporton në vende, njerëz, episode që mendoja ishin të zhdukur pa gjurmë apo mbuluar nga shtresa të reja e më lehtësisht të depërtueshme të kujtesës. Jetoj brenda një ëndrre apo kujtimi derisa zgjohem nga destinacioni i parë i ditës, bankomati i shkretë, i përdorur nga shumë dhe i dashur nga asnjë. Me besim të plotë, vendos kartën dhe shtyp PIN-in i cili, kësaj rradhe, shfaqet i qartë. Përvoja dhe gabimet e shkuara na mësojnë diçka, apo jo? E habitur që PIN-i, mbi saktësinë e të cilit jam e sigurt, nuk funksionon, e shtyp me kokëfortësi edhe një herë. Pa patur kohë të mendoj çfarë ndodhi, kartën e përpin makina shurdhmemece. E skuqur, e habitur dhe e nxehur njëkohësisht, e urrej atë dhe veten e, mbi të gjitha, faktin që një botë duhet të na mbajë të dyja njëkohësisht. Pasi emocioni i parë kalon si një stuhi e papritur por jetëshkurtër, kuptoj se kam përdorur kartën tjetër gri, pothuajse identike por të gabuar. Betohem, me entuziazmin e një fillestari, se do të përqendrohem më shumë në detaje konkrete të jetës të përditshme, detaje të mërzitshme e të parëndësishme në thelb por me pasoja më të mëdha se ato vetë meritojnë. Kurthet e rrjetët që kemi krijuar për të na mbajtur të zënë apo të preokupuar. Pavarësisht reagimit të menjëhershëm e sipërfaqësor, thellë-thellë e di se ndryshimi do të jetë minimal, i matshëm me milimetra, pasi ende nuk jam gati të shkëmbej një kartë për një ide apo, edhe më mirë, një emocion.

by Kleitia Vaso