by Kleitia Vaso

“Gjithçka është ngjizje, zhvillim dhe lindje” – Rilke, Letra për një poet të ri

Ndonjëherë njerëz shumë të afërt më pyesin me humor pse ata nuk janë  bërë personazhe në esetë e mia. Pastaj, po prapë me humor – shpresoj – më ofrojnë ide e episode të cilat mund të përktheheshin mire në shkrim. Përgjigja ime kur dikush sygjeron një ese mbi dikë ose temë të caktuar, është që shkrimi nuk është si bërje pastash ose blerje produktesh nga një makinetë. Në fakt, pastat janë më afër shkrimit: të paktën, ato kërkojnë përbërësit, kushtet dhe temperaturën e duhur.

Shpjegimi tjetër, ai i vërteti, shërben në avantazh të atyre në dukje të neglizhuar. Disa ngjarje ose eksperienca, iu them, nuk kanë arritur maturitetin e duhur pët t’u kuptuar, manovruar e prezantuar, ndryshe nga episodet e përzgjedhura të cilat mund të shprehen nëpërmjet fjalëve. Për episodet e pashprehura, moslindja është pjesa e trishtuar, ndërsa për episodet e shkruara, shprehja vetvetiu  nënkupton një lloj frymëzimi prej eksperiencës por edhe një mbyllje të saj që arrihet nëpërmjet përkufizimit, formës të cilën autori, i ndikuar nga gjendja dhe momenti, vendos t’I japë.

Ekzistojnë mendime të panumërta dhe episode të pafundme gjatë ditës dhe jetës, për t’u kthyer në shkrime; thjesht përpjekja për t’i kapur dhe shfrytëzuar të gjitha mjafton për të t’a çakorduar trurin deri në pikën e bllokimit, me teprinë e materialit dhe jo skarcitetin e tij. Këto raste anashkalohen për arsye të ndryshme, më e rëndësishmja e të cilave është moskapja e momentit të duhur – më pas, humori dhe ndjenja ndaj një situate të caktuar ka ndryshuar. Kur përpiqem të rikap një moment të ikur tashmë, kuptoj që është pothuajse e pamundur; ky proces i pashpresë më ngjall imazhin e një piktori impresionist që përpiqet të kapë nuancat e sakta të perëndimit ndërkohë që pikturon në dritën verbuese të mesditës. Këto raste të humbura më kujtojnë një pjesë të një interviste me Paolo Roversin, një fotograf të famshëm, i cili thotë se jeta e tij “është e mbushur me foto të pashkrepura, ose të bëra me mendje sepse nuk isha aq i shkathët me aparatin. Ndoshta një ditë do të shkruaj një libër për fotot që nuk kam shkrepur.” (The Talks, Paolo Roversi)

Negativët e jetëve tona, pjesa e pazhvilluar mund të jetë padyshim frymëzuese. Megjithatë, këtu i referohem kryesisht dhe favorizoj marrëdhënieve shumë të afërta ose episodeve konkrete shumë të rëndësishme të cilat nuk shprehen, pavarësisht peshës së tyre. Efekti i tyre prek gjithçka tjetër që mund të shprehet, madje në raste optimale këta persona ose ngjarje janë origjina e vetë SHPREHJES. Por, këto marrëdhënie, ngjarje, biseda të pathëna rrinë fshehur si vetë ajri nëpër shtresat tona të panjohura edhe nga vetë ne, pa formë të caktuar, të padepërtueshme, ende, nga sundimi i fjalëve.

by Kleitia Vaso