by Kleitia Vaso

Keqardhjen e parë dhe të thellë për një send dhe pendimin për keqtrajtimin e tij e ndjeva në mënyrën më tragjike për një triko-xhaketë të bardhë të cilën, duhet të pranoj, e doja më tepër seç duhej. Dashuria e tepërt, e dimë, mund të jetë mbytëse dhe në vend që të ruajë, shkakton fundin e gjësë të dashur. Ose, më mirë, dashuria e tepërt egoiste shkakton shkatërrimin e objektit të dëshiruar.

Nga veshja e tepërt, vend e pa vend, triko-xhaketa e shtrenjtë dhe tekanjoze, e përbërë nga një material të cilin kishe frikë t’a prekje dhe jo më t’a laje, duhet të pastrohej shpesh por vetëm me një pastrim të veçantë kimik. Në një lëvizje të pamenduar mirë, vendosa të provoja fatin tim me makineritë impresionuese amerikane. Me një seriozitet shkencëtari, gradova ujin e hodha ilaçin jo-agresiv por, që në momentin që procesi filloi, pa opsion rikthimi, e ndjeva që kisha bërë një gabim fatal. Gabimi trashanik u vërtetua kur e nxorra trikon e dashur nga makineria zhgënjyese në formën e një xhakete bebesh. Në momentin e parë shokues, kam vetëm pak turp të them se ndjeva çfarë ndjejnë njerëzit kur humbin dashurinë e parë, për shembull: ndjesinë e zbritjes graduale të zemrës afër stomakut dhe një pendim therës për pakujdesinë time, të cilën e pagova shtrenjtë.

Tashmë, ndërsa trikoxhaketa është harruar kryesisht dhe zëvendësuar me gjëra të tjera, asnjëra nuk e ka arritur vendin e të preferuarës të padiskutueshme megjithëse unë, me vullnet por pa sukses, jam përpjekur t’i dua po aq shumë. Por ndonjëherë, shkatërrimi ndodh për arsye më madhore se ne, vjen nga injoranca më tepër se nga pakujdesia e qëllimshme…mjaft me justifikime! Në fakt, ishte thjesht një pakujdesi e momentit, një mbyllje sysh për një rehat të përkohshëm që kushton gjithnjë më shumë se ç’mendojmë.

Megjithatë, ka edhe humbje të cilat shkaktohen nga injoranca e jo nga pakujdesia por, pavarësisht shkakut, e vetmja e mirë që rezulton nga çdo humbje, është mësimi i pashmangshëm por i dobishëm në të ardhmen. Nëpërmjet një palë çizmesh në dukje të forta, por përbrenda më delikate seç duhet, mësova se terreni shqiptar është i ashpër dhe nuk toleron mungesë rezistence. Shëmti po, dobësi jo! Çizmet në fjalë u blenë në Amerikë përpara ardhjes time në Shqipëri por jo për këtë qëllim. I bleva, si përherë, sepse më pëlqyen që në momentin e parë dhe m’u dukën, si rrallëherë më duken gjërat, se ishin krijuar për mua. Thjesht ishin të bukura, me një lëkurë të butë ngjyrë mjalti, pa taka, kështu që dhe praktike, mendova, por u gabova. Sapo prekën gropat e Tiranës, u shpërbënë brenda dy muajsh të shkurtër. Ndërkohë që më erdhi keq që i solla në një territor për të cilin ato nuk ishin krijuar, edhe u zhgënjeva se si e lëshuan veten ashtu, menjëherë, pa u përshtatur aspak.

Shpeshherë mendoj se objektet janë në ekzil po si njerëzit kur mërgojnë; makinat e bukura në rrugët e shëmtuara; çizmet delikate në rrugët plot pllaka që kërcejnë e gropa surpizuese; rrobat e bardha që, gradualisht por shpejt, vishen me një shtresë të neveritshme pluhuri porsi qyteti vetë. Por, gjithsesi, mungesa e sterilitetit tregon edhe një lloj ekzistence jete, po të përpiqesh t’a shohësh me sy të mirë. Plus që vështirësitë të forcojnë nëse të pëlqen paksa vuajtja…

Këtu, me këto episode i kundërvihem rreshtave të grupit muzikor The National, “gjërat janë më të forta se ne,” një varg i këngës “Heavenfaced” që më pëlqen shumë por, megjithëse tingëllon bukur, nuk më duket i vërtetë. Njerëzit, të cilët duken aq vulnerabël, mbijetojnë lloj-lloj eksperiencash dhe nuk shkatërrohen menjëherë si çizmet e mia delikate, edhe në raste ku shkatërrimi duket i pashmangshëm. Mishi, në këtë rast, është më i fortë se materialet e tjera dhe thyhet, shtrembërohet, por përsëri gjen një mënyrë për t’u përshatur. Sendet, jo. Përshtatshmëria është faktori kyç i mbijetesës dhe dhembshuria ime, në shumë raste, favorizon sendet më tepër se njerëzit.

by Kleitia Vaso