by Kleitia Vaso

Një aktivitet i imi i preferuar është sorrollatja nëpër artikuj, revista, libra të ndryshëm dhe transkriptimi i ideve që më frymëzojnë ose thjesht më pëlqejnë në një bllok të bukur me një stilolaps cilësor. Kjo dashuri, ndoshta e tepruar, për këto dy objekte, tradhëton paksa mentalitetin e marrjes së ilaçit vetëm nëse i përzjerë me doza sheqeri. Do të përqëndrohem e shkruaj por vetëm nëse akti i vetë shkrimit më sjell kënaqësi.

Kërkimi për një bllok ideal është një betejë e vazhdueshme sepse blloku përcakton mendimin dhe anasjelltas. Në një bllok jo shumë cilësor por që për çfarëdo arsye më pëlqen, jam e lirë të shkruaj çfarë të më teket dhe të mbuloj pa kujdes gabimet e pashmangshme; një bllok i vogël më detyron të kopjoj rreshtat thelbësorë pa harxhuar kohë-hapsirë më kontekstin; një bllok me kopertinë të bukur më frymëzon që në momentin që e shoh dhe, si rrjedhojë, më nxit të shkruaj kryesisht rreshta që kanë të bëjnë me bukurinë e kënaqësinë e kështu me rradhë.

Një nga kënaqësitë e pakta që imagjinoj do të kem në pleqërinë time të thellë është nxjerrja një nga një e blloqeve, si karamele e çokollata me shije e forma të ndryshme, nga kutia ose sirtari dhe rileximi i ideve që dikur më kanë emocionuar e ndoshta ende më prekin në këtë moment imagjinar . Ndërkohë që mendoj për këto detaje, shpresoj të mos jem e pastrehë si rrjedhojë e neglizhencës të detajeve praktike.

Por, pak rëndësi ka ky shqetësim për temën tonë; kjo parantezë na sjell tek blloku i momentit, i cili ka një bukuri të rëndë, do të thoja. Kopertina është e trashë dhe nuk mund të përthyhet; më shumë mund të përthyhesh vetë nëse aksidentalisht ndeshesh me të. Ngjyra e kapaqeve është bojë kafe serioze, me një vizatim të stilit japonez në kopertinë. Vizatimi reflekton lidhjen mjeshtërore japoneze të bllokut dhe më krijon dyshimin irritues se blloku është krijuar për të pikturuar ose skicuar, një dyshim që unë e largoj vazhdimisht. Por, nëse duam patjetër të kërkojmë të vërtetën, faqet e lëmuara dhe relativisht të trasha, konfirmojnë frikën time. Si rrjedhojë, ndërkohë që u nisa të shkruaj idetë e mia për një ese të re, shkrova mendimet e mëposhtme në këtë bllok, për bllokun: “Mezi po shkruaj këtu kur mendoj se faqet e tua mund të bëheshin shumë herë më të bukura nga dikush që vizaton ose pikturon. Kjo e bardhë ngjyrë kremi, ose e verdhë e lehtë e faqeve të tua do të shkonte tmerrësisht shumë me një blu të thellë ose të kuqe të mbytur. Ndjehem fajtore që nuk kam fuqinë e duhur për të të dhënë por as sigurinë për të të shijuar për vete, pa ndjenja faji, megjithëse jam përpjekur të shkruaj me kujdes, me më pak gabime se zakonisht.”

I vetmi element ndihmues është fakti që blloku është dhuratë dhe si i tillë e përjashton mundësinë për t’ia dhënë dikujt tjetër. Është përfundimisht i imi si për mirë a për keq. Dhe, këtu, normat e imponuara nga jashtë na ndihmojnë të vendosim kur nuk kemi forcën e duhur për të vendosur vetë.

Liria për të dialoguar me blloqe e stilolapsa m’u ofrua nga një mendje më e ndritur se e imja, duhet pranuar. Në faqet e para të novelës të Dostojevskit, Netët e Bardha, protagonisti thellësisht i vetmuar, ndjen një afërsi të veçantë me shtëpitë e Shën Petersburgut me të cilat bisedon vazhdimisht. “Kam të preferuarat e mia midis tyre, shoqe intime vërtet,” mendon ai. Në rastin e një prej të preferuarave, narratori vuan realisht e thellësisht për bojën e gabuar të verdhë që një ditë të bukur transformon këtë shtëpi në diçka krejtësisht tjetër. Pas këtij ndryshimi, protagonisti nuk e sheh dot më shoqen e tij të dikurshme. Kjo marrëdhënie kaq e afërt është e diktuar nga vetmia, por nuk është e pakuptueshme; afërsia me objektet, ndonjëherë, tejkalon dhe atë me njerëzit sepse sendet që ne pëlqejmë reflektojnë jo vetëm shijet tona, por edhe një pjesë e cila i përket vetëm individit, plotësisht e pandashme dhe intime.

by Kleitia Vaso