by Kleitia Vaso

Ndonjëherë është më mirë të mos jua plotësosh dëshirat të tjerëve. As të miat. Apo të tuat. Ato të vetë jetës. Plotësimi i çdo kërkese të shprehur apo të nënkuptuar më shtyn të imagjinoj një Odise të mundur, të dorëzuar ndaj këngës të sirenave. Koha jonë, më pak heroike në dukje, ka plot sirena po pak heronj që do të mund tju rezistonin. Përbindësha mahnitës pa fund të cilët të tundojnë të zbulosh çdo sekret, rrugë të shkurtra e manipulime sipërfaqësore që mjaftojnë për të arritur një qëllim të caktuar duke anashkaluar punën më të gjatë e të lodhshme e shpeshherë të mërzitshme, jetë instagrami të cilat të bindin dhe ty vetë, krijuesin e seleksionuesin e imazheve se jeta jote, ajo që ti e jeton dhe e njeh shumë mire, është identike me atë të prezantuar në faqet e revistave. Faqet virtuale, më saktë. Aq bindës mund të jetë prezantimi sa fillon të vetëtrajtohesh si një imazh dy-dimensional prej letre apo një i përbërë prej grimcash ajri. Përqëndrimi në shtresën më të cekët merr vëmendjen nga jeta e vërtetë – prej të cilës supozohet lindja/prejardhja e imazhit,- punës në sfond, ndërkohë që këto janë kryesoret ndërsa vlerësimi i dukjes së tyre nga të tjerë thjesht një kënaqësi jetëshkurtër, një dozë e mjaftueshme vetëm për pak çaste. Një dozë që kërkon e sjell një tjetër në një cikël pa fund dhe pa fryte i cli kurrë nuk do të mjaftojë për t’i dhënë jetës kuptim.

Por, pavarësisht maskave teknologjike e moderne plot shkëlqim e xixa, nëna sirenë nga e cila këto më të voglat dalin ka një emër më të thjeshtë e të njohur. Si çdo nënë, vështirë të përshkruhet me një fjalë apo dy por le ta quajmë nevojën apo dëshirën për të kënaqur të tjerët. Kjo dhënie nuk rrjedh nga ndonjë shtysë altruiste por më tepër nga impulsi i natyrshëm por dritëshkurtër për të përftuar një çast lumturie apo sigurinë e mjaftueshme për tu ndjerë në rregull. Gjithashtu nuk iu përket vetëm atyre që e shfaqin nevojën për tu përshtatur, pranuar apo dashur në mënyrë të hapur e paksa të trishtë. Përfshin edhe ata që rezistojnë e protestojnë me zhurmë e fjalë njësoj si ateistët e flaktë, që me kundërshtimin e tyre afirmojnë të njëjtin adhurim si fetarët më fanatikë. Të tjerët, juria apo publiku në mendjen e secilit, nuk janë thjesht turma e mjegullt që mund të ekzistojë nga ana tjetër e ekranit. Disa, ndoshta por shpeshherë, armiqtë më të rrezikshëm janë më afër.  Me raste, ata që na duan më shumë dhe ata që ne duam më tepër gjithashtu.

Masa e duhur e marrjes dhe e dhënies mund të përcaktohet vetëm nga secili prej nesh. Fatkeqësisht, nuk ekzistojnë kufinj të paracaktuar apo receta e këshilla të matura. Një shenjë e mirë dalluese mund të jetë efekti përfundimtar, ndjenja që vetëm secili nga ne njeh apo ndien. Ndjesia që vijon pas një ndryshimi të kërkuar apo të kryer vullnetarisht për hatrin e dikujt tjetër apo veprimi të drejtuar nga fytyra të tjera në mendjet tona mund të variojë nga euforia tek kënaqësia, trishtimi e deri tek dyshimi i pakëndshëm se të është vjedhur diçka.

E kam përjetuar vetëm një herë vjedhjen e mirëfilltë. Nuk humba ndonjë gjë të madhe. Një çantë dhe portofol të cilët me siguri kushtonin shumë më tepër se çfarë kishin brenda. Ndodhi gjatë një udhëtimi të shkurtër me një të njohur me të cilën po shtiresha se isha shoqe. Po ashtu edhe ajo. Meqë ishte një marrëdhënie e sforcuar, takimet tona nuk mund të ishin spontane dhe pa plan. Jo! Duhej patjetër një aktivitet që të plotësonte me shpërqëndrime të ndryshme interesin e munguar mes të dyjave. Kështu që vendosëm të merrnim me qera një varkë të vogël me pedale në liqenin e parkut ku do të kalonim pasditen. Me padurim, u nisëm drejt liqenit dhe pa hezitur shumë lamë gjithçka në makinë. Duke u larguar nga bregu, më kujtohet që po bisedonim pa pushim por se për çfarë, nuk do të më kujtohet kurrë pasi bisedat tona ishin po aq sipërfaqësore sa miqësia. Apo e kundërta? Çfarë më kujtohet mirë është ndjesia e papritur e një therrjeje të dhimbshme por jetëshkurtër, një rrahje të munguar zemre. Mund të ishte edhe efekti i liqenit të qetë dhe largimit gradual nga bregu por në atë moment, isha e sigurt që kur të kthehesha nuk do ta gjeja çantën. E dija, pa dyshimin më të vogël se vjedhja po ndodhte pikërisht në atë çast që e ndjeva. Ashtu ishte. Nuk mundem ta vërtetoj momentin e saktë por nuk ka rëndësi sepse e di. Në retrospekt, e konsideroj humbjen time si çmimin që duhet tju paguaja perëndive për mashtrimin – edhe ndaj vetes – se mund të ndërtoja një miqësi për lehtësi apo komoditet me dikë që nuk më pëlqente pothuajse aspak. Pas këtij incidenti, kam parë disa ëndrra ku humb ose harroj çantën. Njërën e mbaj mend me imtësi pasi ndodhi gjatë një kohe kur siç duket, duke u dashuruar pa e kuptuar, kisha ndjesinë e vazhdueshme të humbjes së kontrollit dhe përthithjes në një vorbull të pamanovrueshme.

Nuk e harroj herën e parë që lexova skenën në të cilën Ana dhe Vronski konsumojnë marrëdhënien e tyre për herë të parë. Lexuesi pret gëzim, harresë, dehje të një lloji por jo përshkrimin e skenës së një krimi. Gjatë aktit dhe më pas, Anës i duket sikur po e vrasin apo e kanë vrarë. Përpiqet t’i arratiset kësaj ndjesie të rëndë, pa u ndalur shumë, siç veprojmë të gjithë, por ajo i rikthehet në formë të qartë në skenën e garës me kuaj gjatë të cilës Vronski, duke u përpjekur të fitojë, pa dashje vret kalin e tij. Një kafshë të cilën e donte shumë, barazisht me Anën, në mos më tepër. Me raste jemi Ana, në të tjerë Vronski por ligji i ekuilbrit nuk ndryshon në varësi të anës që kemi zgjedhur.

Më kujtohet dikush i afërt i cili, gjatë njohjes tonë, shpeshherë kërkonte të dinte gjithçka mbi jetën time, edhe detaje të parëndësishëm të fëmijërisë. Mendonte se isha e mbyllur e plot sekrete, diçka e thënë gjysmë seriozisht por duke pritur, në fakt, zhgënjimin, i cili mirëpritet nga të gjithë nga pak. Shpeshherë, zhgënjimi sjell çlirim! Dëshira kontradiktore për të ndarë gjëra me tjetrin pa hequr tepër nga vetja më bezdisi paksa por, në fund, ekspansive gjatë kësaj periudhe, vendosa t’i tregoj disa fotografi për të ilustruar histori të thëna me fjalë. Megjithëse një gjest i vogël e pa rëndësi, në atë kohë mu duk si një tregues i madh i dëshirës për t’u njohur. Dhe, gjesti u vlerësua sepse kënaqi një lloj kurioziteti të vogël por u përmbyll me fjalët: “Më pëlqyen fotot por fakti që pashë gjëra të imagjinuara nuk më bën të të pëlqej ty më shumë.” E habitur nga fjalët paksa enigmatike të cilat nuk më dhuruan ndjenja të këndshme, u ndjeva disi e tradhëtuar.

Por, cili ishte tradhëtari?

by Kleitia Vaso