by Kleitia Vaso

Më pëlqejnë momentet emocionale midis dy njerëzve të rrethuar nga turma e pavëmendshme që vazhdon punët e saj të përditshme të cilat, nëse jo të bëra pa mendje, janë të bëra pa ndonjë lloj ndjenje.

Versioni i këtij emocioni në film është skena e fundit e Lost in Translation/ Humbur në përkthim, në të cilën personazhet kryesorë, duke u ndarë ndoshta për të mos e riparë më kurrë njeri-tjetrin, përjetojnë emocionin kompleks që përfshin si boshllëkun e rëndë të ndarjes ashtu edhe ankthin e shpresën e një jete që do të jetohet me një perspektivë tashmë të ndryshuar.

Por, elementi më i bukur i skenës është ekzistenca e këtyre emocioneve të fuqishme – shkëmbime, në fakt, që janë vetë arsyeja për të jetuar – në moment të zakonshme, rrethuar nga njerëz (në këtë rast turma e nxituar e Tokyos) të cilët janë të pavetëdijshëm për çfarë po ndodh shumë pranë tyre.

Skena e filmit m’u kujtua ndërkohë që mendoja për një të njohur që gradualisht ështe bërë shumë i dashur për mua. Në momentin e një ndarje simbolike dhe të përkohëshme, i dhashë F një dhuratë, e cila nuk ishte veçanërisht e bukur apo e shtrenjtë por e papritur dhe spontane.

Edhe unë dhe F kemi marrë dhurata shumë më të bukura se ajo në fjalë por për shkak të elementit surprizë dhe vendit e momentit të zakonshëm (një tip zyre pak a shumë) në të cilën u dha dhurata, F u emocionua në mënyrë të dukshme dhe, megjithëse i ngarkuar si moment, u përqafuam shpejt dhe mbaroi. Por, në një çast e kuptova personin tjetër më shumë dhe personalisht e ndjeva shumë intensivisht momentin. Pjesa më e bukur ishtë që të tjerët që ecnin rreth nesh nuk e vunë re aspak se diçka e fuqishme (megjithëse e shkurtër) kishte ndodhur duke na transformuar për një moment.

by Kleitia Vaso