by Kleitia Vaso

Shqipëria, ose më saktë, jeta në Tiranë ka dy të meta të mëdha që dallohen lehtësisht dhe ndjehen thellësisht kur ke jetuar për një kohë të gjatë në të kundërtën e saj: parehatia konstante fizike dhe mungesa e materialit, si abstrakt (burime informacioni) ashtu edhe konkret (mall). Jeta në Amerikë karakterizohet pikërisht nga këta elementë. Por, ja që megjithë teprinë e komforteve materiale, Amerika është frymëzuese vetëm kur je larg saj dhe jeta këtu, pikërisht për arsye mungese, të shtyn t’a transformosh ose pasurosh varfërinë e saj. Vendet, ndoshta, nuk kanë faj; natyra jonë njerëzore dëshiron dhe, rrjedhimisht, krijon, pjesën që nuk është atje ku jemi ne.

Në një moment, këtu, kur ngrohja në një ambient publik u fik për të disatën herë pa i lënë kohë ambientit të ngrohet dhe duke harxhuar dyfishin e energjisë që duhet për t’a mbajtur dhomën në një temperaturë më të ulët por konstante, ndjeva trupin që, gradualisht, po më mpihej. Ngrirja filloi nga ekstremiteti më i ulët, këmbët, dhe, si valë që kthehej në akull kur bënte kontakt me trupin, po ngjitej sipër, gradualisht. Mendova harlisjen e bimëve të këqija që rriten pa limit e drejtim dhe pushtojnë mure, sipërfaqe të ndryshme, çfarë të munden dhe pastaj ndjeva, për një moment, se kjo ishte vdekja – transformimi progresiv në një skulpturë të akullt. Pothuajse më pëlqeu si ide dhe m’u duk vetja si Dafne, tek Metamorfozat e Ovidit, e cila për t’i shpëtuar përdhunimit të Apollos, ngurtësohet dhe merr formën e nje peme, përjetësisht. Shkrirja ime dhe e ngricës, dimrit, që po më pushtonte agresivisht dhe po më eliminonte çdo fuqi reagimi duke më ngurtësuar m’u shfaq në një moment çuditërisht poetik si unifikimi i dy krijesave mitologjike të mësipërme sipas përfaqësimit të tyre në skulpturën e Berninit. Skulptori ka kapur pikërisht momentin e fillimit të metamorfozës së Dafnes të tmerruar e cila në momentin e kapjes së saj prej Apollos, arratiset duke u ngurtësuar. Ajo zgjedh vdekjen e saj, kalimin në një formë tjetër më jetëgjatë por të palëvizëshme – simboli simultan, në një farë mënyre, i permanencës edhe i pasivitetit.

Në Amerikë, do të kisha qenë ngrohtë dhe gjysëm e trullosur, si rrjedhojë, dhe nuk do të më ishte dashur ndihma e Dafnes dhe Apollos. Le të më ndjekë Amerika si Apollo atëherë; për momentin, po vazhdoj të mbetem gjysëm e ngrirë dhe e rrënjosur, këtu.

by Kleitia Vaso