by Kleitia Vaso

Murgeshat nuk përbëjnë një temë që e mendoj përditë. Por, kur shoh ndonjë duke ecur rrugës, gjë e cila çuditërisht ndodh shpesh, përpiqem të kap ndonjë detaj që mund të më ndihmojë në zbërthimin e misterit të këtyre qënieve. Ekzistenca e tyre, të cilën unë e bazoj në imazhe filmash e fotosh, duket njëkohësisht po aq e vështirë për t’u zgjedhur e jetuar sa edhe e lehtë: e vështirë në dorëzimin e kënaqësive të kësaj bote, të cilat sipas mendimit tim modest, janë e vetmja gjë që ne njohim nga “lumturia,” dhe e lehtë sepse duke eliminuar mënyrën e jetesës bashkëkohore, gjithçka që shkakton stress evitohet. Pak a shumë, bota që unë imagjinoj shfaqet, në varësi të këndvështrimit tim mbi ditën e jetën, si një strehë e qetë dhe paqësore – nga ana estetike e përfytyroj si një oaz me gjelbërim e ndonjë burim uji – larg nga qytetërimi stresues, ku mund të lexohet, bisedohet, ushqehet dhe besoj, lutet…ose, në të kundërtën, e mendoj si një vend mërzie të skëterrëshme të mbushur me krijesa të frustruara; shkurt, një botë e krijuar për të përmbushur dëshirat e njerëzve ekstremisht mazokistë. Ndonjëherë, kur rastis që shoh murgesha nëpër rrugë, e frikësuar nga ndonjë mendim i errët ose e lodhur nga detajet e planet e përditëshme, edhe kam menduar që manastiri mund të ishte vendi i duhur për një jetë pas pensionit. A mund të shkosh në një manastir në moshë të thyer?!

Si rrjedhojë e këtij interesi të vogël por të herëpashershëm, isha plot kuriozitet e me shqisa të mprehura kur tufa të tëra me murgesha erdhën në Tiranë për vizitën e Papës. Megjithëse kishte shumë prej tyre, nga vende e etnicitete të ndryshme, një gjë e përbashkët (ky është përgjithësim se përjashtimet ekzistojnë gjithmonë) dhe që vihej re menjëherë ishte pamja e tyre fizike e cila kishte shpesh një element të çuditshëm dhe të shproporcionuar. Mendova, megjithëse ndjeva një lloj frike se po kryeja blasfemi – një frikë e përthithur nga mendimet e të tjerëve dhe historia më tepër se një besim i imi i natyrshëm – se pamja e tyre i ka ndihmuar të zgjedhin një përkushtim ndaj një dashurie hyjnore dhe jo tokësore. Supozoj që këto gra shihen nga të tjerët si përfaqësuese të pastërtisë shpirtërore, fuqisë morale dhe vlerave pozitive. Gjithashtu, mendoj se ato, në një shkallë botërore, kanë vendosur dhe vendosin, nëpërmjet fjalëve dhe shembujve, kuptimin e koncepteve si virtyti, pastërtia shpirtërore, bamirësia, mëshira, etj. Pavarësisht kuptimit të njeriut si përmbushje e një thirrjeje të brendëshme, nuk mund të mohoj dyshimin tim tinëzar se përkushtimi i jetës të tyre ndaj Zotit e të tjerëve përmbush një nevojë të devijuar për dashuri njerëzore dhe lumturi tokësore; por, ndryshe nga Eva, ndoshta ato nuk kanë cilësinë që shtyu gjarpërin ta tundonte atë. Thjesht, ato nuk janë sprovuar. Dhe kjo ide vlen për motrat dhe vëllezërit e tyre më të zakonshëm, atyre që nuk ia kanë kushtuar jetën një thirrjeje më të lartë por gjithsesi ngulin këmbë në shkrimin e ligjeve morale për “botën”: njerëzit e vetëshpallur të virtytshëm të cilët lirisht gjykojnë të tjerët. Dyshoj se arsyeja e pjesshme për pastërtinë e tyre morale është shpërfillja e djallit ndaj tyre.

by Kleitia Vaso