by Kleitia Vaso

E di se ç’mund të ketë ndodhur me Narcizin e mjerë. Imazhi i pasqyruar mund të jetë më tundues se ai i vërteti. Afërsia gënjeshtare e bën të duket më të arritshëm.

Për momentin, e magjepsur nga pamja e ndryshueshme e një deti të ri, me çdo ndryshim drite, filloj të lëviz instinktivisht drejt tij. Nuk pres ndonjë përfitim prej këtij përkushtimi pasi, duke mos qenë ndonjë fotografe e talentuar, nuk mund ta përdor as pamjen as dritën në avantazhin tim apo të detit. Thjesht dua ta shoh, duke parandjerë se ka gjëra për të më treguar pa ditur paraprakisht çfarë janë.

Pasdite, pavarësisht erës të ftohtë, bregdeti ofron një spektakël aq të bukur sa gati të dhimbshëm, i cili të bën të mendosh se kjo bukuri pothuajse mjafton në jetë. Ndërkohë që dielli zbret jashtë fushës së shikimit, re bojë rozë ndriçojnë detin e argjendtë dhe reflektohen në bregun që transformohet në një ekran nga dallgët që tërhiqen. Qielli dhe deti mund të mjaftonin por, të pangopur siç jemi, shoh me vëmendje më të madhe pasqyrimin e tyre poshtë këmbëve. E përqendruar sikur kjo do të më mundësojë hyrjen në botën e tyre, filloj të eci në një përpjekje për të kapur imazhin, i cili, fatkeqësisht, mbetet në të njëjtën distancë të pandryshueshme. Duke sfiduar ligjet e fizikës, afrohem gjithnjë e më shumë për t’i parë  pak më qartë deri sa një dallgë aspak lozonjare më kujton se kam guxuar tepër.

Fytyra e imagjinuar por përgjithmonë e mistershme e personazhit mitologjik më  rikthehet menjëherë. Këtë herë, gëzohem që e arrij, duke kaluar oqeane hapsinore dhe kohore, nëpërmjet dashurisë për diçka tjetër dhe jo imazhit tim. Për disa çaste, çuditërisht, vetja ime nuk ka më rëndësi, e përjashtuar nga mendimet e mia dhe imazhit të reflektuar. Përmasat e pallogaritshme të bukurisë që më  rrethojnë nga çdo anë,  si lart ashtu edhe poshtë, zbehin çdo gjë tjetër.

by Kleitia Vaso