by Kleitia Vaso

E ngopur dhe e mbingarkuar nga kontakti i vazhdueshëm me njerëz, i lodhshëm në momente sepse për çdo bisedë të vogël a të madhe, fal një pjesë të energjisë, pashë me zili lopën që kulloste në fushën përpara punës time. M’u duk e qetë dhe për t’u patur zili, indiferente ndaj zhurmave dhe manovrimeve të pafundme njerëzore për të mbajtur pushtete të vogla apo të mëdha, për të mësuar informacione të nevojshme ose jo. Më ngjalli shumë  më tepër zili se një tufë zogjsh, të cilët tek i shihja me vëmendje për herë të parë, më ngjanë të torturuar, të dënuar për të lëvizur krahët pambarimisht thjesht për të ndenjur pezull në ajër. Të paktën, këtë përshtypje pata ditën që i pashë, diçka që ndoshta tregon më tepër për gjendjen time atë ditë sesa për mënyrën e jetesës së zogjve.

E vërteta është se më shumë se të ndërroja vendet me lopën, për një çast ndjeva një dëshirë t’i shkoja afër dhe t’i flisja asaj, por do të rikthehemi kësaj përsëri. Reflektimet mbi zogj e lopë lindën nga një bisedë me H. mbi funksionet e mësimdhënies në ditët e sotme, në kontekstin që na rrethon. Roli që donim të evitonim të dy ishte ai i bariut, i cili kujdeset për rradhëmbajtjen më shumë se përmbajtjen; por, seriozisht, duke shkuar përtej rimave dhe lojëve të fjalëve, dëshironim të shmangnim rolin démodé të drejtuesit të një tufe njerëzish të cilët nuk kanë thjesht nevojë të drejtohen por të pasurohen. Fatkeqësisht, arsimi dhe kultura e mangët e ofruar në gjimnaz dhe më herët se kaq rezulton në procesin e të rimësuarit rregulla bazike të mirësjelljes dhe edukatës më pas. Dhe ja ku arritëm tek bariu, i cili në atë moment, m’u duk me fat që merrej me lopë dhe jo njerëz. Kuptohet ky është  ai lloj reagimi që do të acarojë të tjerë me ndërgjegje më të ndjeshme në lidhje me çështje sociale të cilët mund të pyesin, edhe me të drejtë: “E ku e di ti në ç’kushte jeton bariu? Çfarë mendon? Sa i shqetësuar është nga zhurma e ndotja që e rrethon?” e kështu me rradhë. Por, çfarë pata zili unë s’ishte asgjë tjetër përveçse mungesa e komunikimit me fjalë dhe në momentin që e pashë me sytë e mendjes, për të parafrazuar poetin William Blake, e imagjinova veten të zhvendosur nga ambienti që më rrethonte, plot lëvizje e jetë, në pak më larg në distancë por tërësisht tjetër në natyrë, një vend me bar, pa njerëz dhe me lopën, që, të paktën në dukje, shfaqej shumë e qetë dhe paqësore.

Duke diskutuar konceptin e bariut me H., më erdhi ndër mend fundi i trishtë i Niçes, i cili, sipas historisë, gjunjëzohet, përqafon dhe përpiqet të mbrojë një kalë i cili po fshikullohet nga i zoti. Si shumë njerëz të cilët qëndrojnë më afër të vërtetës seç duhet, Niçe përfundoi në çmendinë, në mos gaboj, pikërisht nga ky episod. Kuptohet që ngjarja ka shtresa të panumërta që mund të lakohen e analizohen, por çfarë më preku mua ishte, përveç identifikimit të natyrshëm me një kafshë që ka humbur lirinë dhe po keqtrajtohet, vrazhdësia e jetës dhe e njerëzve që të shtyjnë, në momente,  të duash më shumë një qënie që nuk përgjigjet sesa një që me brutalitetin e saj të fshehur, të sulmon, dëmton e lëndon vazhdimisht.

 

by Kleitia Vaso