by Kleitia Vaso

“Magjistari i Oz-it” është thika zvicerane e historive për “fëmijë”: mund të përdorësh shumë elementë të ndryshëm për të adresuar tema po aq të ndryshme, duke filluar nga vetënjohja, krijimi i mitit të vetes, marrë-dhënia me të tjerët e deri tek propaganda politike. Si një tregim, që mund t’ju përshtatet shumë rasteve të ndryshme, është një nga të preferuarit e mi. E mendoj shpesh luanin frikacak që do të gjejë guximin (në lidhje me veten) ose druvarin prej teneqeje që kërkon zemër (në lidhje me të tjerë) dhe më ndihmon si çdo përrallë, tregim, roman, film, për të shpjeguar , në sensin kuptuar, fenomenë të jetës së përditshme, të rëndomtë ose jo. Në këtë rast, më ndihmoi për të kuptuar, dhe pastaj shpjeguar një ndjenjë të lehtë letargjie të cilës nuk po i shpëtoja dot kohët e fundit. Megjithë dëshirën e mirë për të besuar në emocione e marrëdhënie (duke i përfshirë të gjitha llojet këtu) të plotfuqishme e të patundshme, një nga gjërat që të mëson rritja dhe transformimi i dhunshëm në një adult, është se jeta nuk të ofron gjëra absolute, por vetëm relative, dhe njeriu duhet të kënaqet e mjaftohet me emocione, përjetime, realitete brenda kufinjve. Por, përsëri siç na ka programuar t’a shohim dhe njëkohësisht t’a kuptojmë veten gjeniu dhe krijuesi e përdoruesi më i mirë i miteve, Freud-i (Qytetërimi dhe Pakënaqësitë e tij), ekzistojnë instikte pangopësie e barbarizmi brenda nesh që nuk shkulen …mund të shtypen përkohësisht për të funksionuar “normalisht” në shoqëri, por ato thjesht flenë, nuk fshihen. Dhe kështu, herë pas here, njeriu harron paktin dhe nuk ngopet me sasi të kufizuara, të arsyetuara si mjaftueshëm për të mirën e të gjithëve, përfshirë dhe veten.

Kuptohet që situata e emocione ekstreme nuk mund të zgjasin, janë të pambajtshme për gjatë, na kanë mësuar të gjithëve. Por, kur ndodhin, shoqërohen, si rritja vetë, nga një periudhë e sikletshme rikthimi në rutinë e normalitet. Rikthimi në gjendjen e pakontrolluar, pasi të ka nështruar vetë jeta e njeriu, përfshirë dhe vetja, është pothuajse i pamundur megjithë dëshirën e madhe dhe vullnetin e mirë. Në fund të fundit, a mund të ri-besosh tek pushteti dhe magjia e magjistarit të famshëm të Ozit kur ke parë që ai është një burrë normal, madje i vogël, me syze dhe që fuqia e tij është “e trilluar”? A mund t’a harrosh që e ke parë?!

by Kleitia Vaso