by Kleitia Vaso

Pak kohë më parë, shumë më vonë seç duhet të kishte ndodhur, kuptova që ekziston një hendek i madh midis kuptimit në teori të gjërave dhe të kuptuarit nëpërmjet eksperiencës. J. e quan këtë periudhë të dhimbshme por ndriçuese të  transformimit tim nga sirenë, ose, më saktë, personazh përrallash pa lidhje me realitetin ose vështirësitë e tij, në njeri pothuajse plotësisht të formuar.

Një nga temat më interesante  për mua, e parë prej një distance kryesisht të padëmshme, kanë qenë marrëdhëniet me dinamika të pabarabarta, në të cilat një person është figura më dominante ndërsa tjetri shfaqet të ketë hequr dorë vullnetarisht nga pozicioni udhëheqës. Në botën e sotme plot fjalë, epiteti i saktë për këtë lloj marrëdhënie, të çuar në ekstrem, do të ishte sadomazokiste por kam frikë se ky mbiemër thekson më tepër anën seksuale ndërkohë që mua më tërheq më tepër dimensioni emocional. Ose, më saktë, ekstremet seksuale vijnë si rrjedhojë e pabarazisë emocionale, por mund ta kem gabim dhe të jetë e kundërta.

Për shembull, nuk i kam kuptuar asnjëherë plotësisht dinamikat në një marrëdhënie si ajo e prezantuar në filmin Sekretarja, në të cilin protagonisti mashkull, një avokat, mundet të shprehë ndjenjat e tij veç në refuzim shprehje  ose forma keqtrajtimi të sekretares të tij, e cila jo vetëm që e pranon këtë lloj trajtimi, por e nxit dhe e dëshiron atë . Fjala kyçe këtu është “plotësisht”; kuptimi i plotë i diçkaje është i mundur vetëm nëpërmjet një eksperience të ngjashme ose vendosjes të një ure figurative midis historive dhe përjetimeve të shfaqura në ekran ose të ndeshura në faqet e një libri dhe atyre personale. Më saktë, në rastin specifik, të kuptuarit e rolit të avokatit është më e lehtë dhe e natyrshme se sa ai i sekretares. Atëherë, mendoj se pyetja e vërtetë është: kush do të preferonte rolin e mazokistit dhe pse?

Për të ndihmuar veten, mendova disa marrëdhënie të pabarabarta, në të cilat një person ka zgjedhur  të jetë “dhënësi” dhe tjetri pozicionohet më qartësisht si “marrësi” në lidhje me emocionet dhe gjithçka tjetër, si rrjedhojë. Vendosja e kësaj dinamike, ekstremet e të cilës janë polet sadiste dhe mazokiste por me pjesën më të madhe të marrëdhënieve të vendosura diku midis, ndodh që në fillim. Njëra palë merr pozicionin e të adhuruarit dhe tjetri pranon atë të adhuruesit. Nga ky ekuacion, do të supozohej se adhuruesi është mazokisti dhe i adhuruari sadisti por, në nxjerrjen e këtij deduksioni, harrohet që, adhurimi, në fakt, krijon varësi dhe asnjë dozë e ofruar nuk mjafton; efekti i të parës zgjat për një periudhë kohe, efekti i dozave pasardhëse gjithmonë e më pak dhe, si rrjedhojë, kërkojmë gjithnjë e më tepër një pjesë më të madhe.

Kjo paaftësi  për tu ngopur dhe për të ndaluar në një pikë të caktuar më sjell ndër mend Kevin, vrasësin adoloeshent në filmin Duhet të flasim për Kevin, i cili gjithnjë e më tepër kryen akte sadiste për të sfiduar mamanë e tij, duke kërkuar, në një lloj mënyre indirekte, që ajo ta ndëshkojë, ti vërë frerë pangopësisë së tij (ai spërkat letrën e re të murit të sapongjitur me ujë të ngjyrosur me të kuqe, si gjak, qëllimisht vret miun me të cilin luan motra e tij dhe, më pas, edhe motrën). Thjesht, ai do të vazhdojë deri sa ajo të pranojë dhe lejojë dhe, megjithëse shumica e njerëzve janë më të aftë në kontrollimin e instinkteve të tyre kafshërore, reagimi ynë i natyrshëm është të marrim sa më shumë që mundemi nëse kufiri nuk vendoset diku.

Ky konkluzion i dhimbshëm më kujton një episod të turpshëm nga fëmijëria ime dhe e J.; mendoj që të gjithë kemi histori fëmijërie që na rrënqethin mishin kur i kujtojmë. Gjatë një zënie fëmijësh, në një moment acarimi, po ngulja thonjtë në krahun e J. duke e pyetur  vazhdimisht nëse i dhimbte. Përgjigjja e saj konstante ishte një “jo” kokëfortë, gjë që më nxiste të jepja dhe më shumë dhimbje ndërkohë që ajo vazhdonte të mohonte aftësinë time për ta shkaktuar atë. Meqënëse e mbaj mend kaq mirë, është e qartë që skena ka lënë shenjat e saj…dhe një dozë të mirë faji. Cili vuan më tepër?!

I njëjti koncept funksionon edhe me ndjenja pozitive si adhurimi, afeksioni, dashuria. Ofrimi i këtyre ndjenjave krijon kënaqësi dhe kënaqësia, nga ana e saj, krijon varësi. Varësia e shtyn “marrësin” të kërkojë drogën me të cilën është mësuar dhe ofruesi, i cili, në mënyrë pashmangshme, do të duket gjithnjë e më i kursyer,  kthehet në torturues dhe ti, viktima e gatshme. Identiti i dyzuar, i shkrirë, në fakt, i torturuesit/viktimës përshkruhet më së miri nga Baudelaire, poeti i modernitetit siç e ka quajtur Walter Benjamin, kur shkruan: “Unë jam plaga dhe thika/viktima dhe torturuesi.”

by Kleitia Vaso