by Kleitia Vaso

Mendoj se gjëja më e mirë që mund të bëjmë është të përpiqemi të përfitojmë nga çdo situatë, qoftë kjo e zgjedhur apo e imponuar. Shpeshherë, nuk mundem t’ia arrij këtë qëllimi sepse reagimi instinktiv ndaj aktiviteteve të imponuara është refuzimi. Një mikeshë e mençur më përsërit shpesh se duhet kaluar kjo përgjigje fëmijnore duke u përpjekur për të nxjerrë diçka pozitive apo të vlefshme edhe nga detyrat, të cilat thjesht nga emërtimi i tyre janë të pakëndëshme. Pas reagimit jo të rafinuar, “asnjeri nuk mund të më detyrojë të bëj diçka që nuk dua!” të gjithë mësojmë gradualisht “duke ngrënë dhe,” thonë amerikanët, se rrethana të jashtme si edhe arsye të brendshme mund të na shtyjnë nëpër qoshe të pakëndëshme. Megjithatë, në çastin e parë të kapjes në çark, në kokën time, shpeshherë të nxehtë, përsëriten në rotacion, rreshtat e këngës Plumb me Krahë Fluture nga grupi Smashing Pumpkins: “pavarësisht zemërimit tim / jam thjesht një mi në kafaz/çark”. Pjesa interesante e pranisë së vazhdueshme të këtij refreni në mendjen time, është fakti se, për arsye të një alergjie të lehtë ndaj zërit të këngëtarit kryesor Corgan, e kam dëgjuar këtë këngë shumë pak here në jetë.

Ky fill dramatik mendimesh lindi në një vend aspak dramatik, një sallë ku mbahej një leksion të cilin disa njerëz po e ndiqnin sepse e kishin zgjedhur me dëshirë dhe disa të tjerë gjysmë-vullnetarisht. Mund të them se unë i përkisja këtij grupit të dytë… Por, leksioni rezultoi shumë interesant, siç mund të ndodhë kur e mbledh mendjen që liria të ka rrëshkitur nga duart dhe e sheh aktivitetin me qëllimin e përthithjes të ndonjë informacioni apo emocioni. Por, pavarësisht leksionit interesant, ngado që hidhja sytë, shihja vetëm ekrane telofonësh, Iphone-sh dhe Ipad-esh, ose oportunistë të shkathët, të cilët arratiseshin sa herë fikej drita për të treguar ndonjë imazh në ekran. Mendoja, a po i pret vërtet ndonjë ngjarje apo person kaq emocionues? Për të mbeturit fatkeq, të cilëve iu mungonte guximi për të ikur por edhe dëshira për t’u pajtuar me situatën, opsioni i vetëm i arratisjes ishte nëpërmjet chat-it ose Facebook-ut. Duke parë cilët ishin njerëzit rreth meje, pyesja veten: “A mund të jenë partnerët e tyre virtualë më interesantë se ata vetë dhe se personi, padyshim i kulturuar, që po ndante njohurinë e tij me ne? Nuk dua të jem hipokrite; arratisja fizike apo mendore ka qenë shpesh edhe për mua arma e parë kundër mërzisë mendje dhe dëshirë-shkatërruese. Por, rasti në fjalë nuk ishte i tillë. Një person i mirëpërgatitur po fliste për konceptë të padëgjuara për shumicën, shumë nga këta të tillë edhe për mua, ndërkohë qe njerëz flisnin virtualisht me të tjerë që ndoshta ishin në të njëjtën sallë dhe që, me shumë mundësi, i takojnë përditë. Sipas rrjedhës së mendimeve, pyetja tjetër ishte: mirë që po bisedojnë tani, por çfarë do t’i thonë njeri-tjetrit më vonë? Duket e arsyeshme të arrish në konkluzionin që gjithçka që mund të thonë do të konsumohet gjatë chat-it, asgjë e ofruar nga ambienti përreth nuk do të përthithet dhe, kështu, e gjithë “eksperienca” është një asgjë e madhe. Kjo paaftësi për të hyrë në marrëdhënie me ambientin dhe ndjesitë e idetë e reja që mund të përftohen prej tij më sjell në mend një marrëdhënie bajate, të cilën do t’a përkufizoja si dy (ose më shumë) njerëz që rrinë tërë kohën bashkë thjesht sepse nuk mund të veprojnë vetëm dhe, pikërisht, si rrjedhojë e kësaj afërsie të vazhdueshme fizike, nuk kanë asgjë për t’i thënë njëri-tjetrit. Për arsye të lidhjes konstante me njëri-tjetrin nëpërmjet chat-it, Facebook-ut, Skype-it, etj., fenomeni i marrëdhënies së ndenjur në gjithë format e saj, konkrete apo virtuale, ka pushtuar gjithë marrëdhëniet tona. Çfarë mbetet për të thënë kur takohemi nëse jemi gjithnjë “në kontakt”?Për të mos u mërzitur me të tjerët dhe, për më tepër, me veten, duhet të “tradhëtojmë” në sensin pozitiv të fjalës.Kur jemi në një sallë, duke ndjekur një leksion, duhet të përpiqemi të marrim maksimumin e mundshëm; edhe një përqindje shumë e vogël informacioni i përfituar është më tepër se ai që kishim para hyrjes në sallë. Mund t’a përdorim kafshatën e vogël që kemi ngrënë për të ushqyer veten, më pas edhe të tjerët. Ndarja e përkohëshme nga miqtë, familja, partneri/ja dhe përfshirja në një aktivitet, person, ide tjetër, mund të jetë vëmendje e munguar përkohësisht por, ajo mundëson dhënien e një versioni më të plotë të vetes tonë më pas. Duke ju dorëzuar menjëherë komunikimit të shpejtë dhe afërsisë rutinë dhe komode, qofshin këto virtuale apo fizike, marrim dhe japim kënaqësi për një moment të shkurtër; në një farë mënyre, fitojmë një betejë, por humbim përfundimisht luftën.

by Kleitia Vaso