by Kleitia Vaso

Disa këngë janë aq familjare dhe në dukje të thjeshta sa, megjithëse i dëgjon me qindra herë, nuk mundohesh tepër per t’iu gjetur kuptimin. Për shembull, e kisha marrë si të mirëqenë se kënga “Wish you were here,” e Pink Floyd, e cila përdoret në reklama e skena dashurie të panumërta, thjesht shpreh dëshirën për të parë një njeri të dashur që ndodhet larg teje. Rrjedhimisht, sa herë e dëgjoja, mendoja për dikë të dashur që më mungonte. Ndonjëherë, madje, sforcohesha të mendoja për dikë që edhe mund të mos më mungonte aq shumë thjesht për të qenë në të njëjtën linjë me këngën, për tju përshtatur gjendjes që ajo kërkon. Por, ndjenja të hedhura kot siç kuptova një ditë, sepse teksti në fakt flet për një humbje shumë herë më të madhe, vdekjen e dikujt që është ende gjallë. Ose, më saktë, ndërgjegjësimin se dikush që jeton vendos të vetë-deformohet duke u vetëvrarë, në një farë mënyre. Një vetëvrasje që nuk ndodh në një moment fatal por gjatë një periudhe të gjatë kohore. Ideja e jetës si një vdekje e zgjatur, një e vërtetë e hidhur për të gjithë, por duhet pak luftë kundër shuarjes. Momente domethënëse të cilat shënojnë këtë proces të shëmtuar mund të dallohen në çastin që ndodhin më tepër se në retrospekt. Jo të gjithë, por ndoshta ata më të dukshmit në vend të atyre jetëshkurtër dhe të paperceptueshëm. Megjithatë, pavarësisht intensitetit dhe peshës, këto momente përfshijnë rastet ku veprimet kryhen për të tjerët, kur vetja tradhëtohet vullnetarisht apo për rehatin e përkohshëm. Ato shoqërohen nga ndjesia e tmerrshme se ke vepruar kundër natyrës tënde, kundër natyrës. Megjithëse shpeshherë shtypen me dhunë apo largohen me frikë nga mendja, këto akte rikthehen dhe shfaqen pikërisht aty ku nuk e pret…në fytyrë.

Më kujtohet saktësisht rasti i parë ku nuhata këtë proces të trishtuar të humbjes së fytyrës. Të kuptuarit e kësaj të vërtete të hidhur filloi pas ri-takimit pas më shumë se njëzet vjetësh me një shok fëmijërie, të cilin, si vajzë e vogël, e adhuroja. Takimi nuk ndodhi papritmas kështu që kisha kohë për të parashikuar e për të përjetuar ndjenja të ndryshme. Ndërkohë e kisha harruar pothuajse tërësisht në shiritin e madh kohor që kishte kaluar, i cili përfshin edhe kapërcime kontinentesh, por këto ritakime, të shfaqura në filma e të përshkruara në libra, kërkojnë që protagonisti të mobilizohet mendërisht e shpirtërisht e unë, siç duket, po zhytesha në rol. Njësoj me këngën. Besoj se përjetova shumë ndjenja e mendime të parapërgatitura nga paraardhësit e bashkëkohorët. Me siguri, pyeta veten nëse djali i vogël, tashmë i rritur, do të ishte po aq i lezetshëm, nëse ndonjë afërsi e veçantë do të mbijetonte nga fëmijëria jonë idilike dhe, më e rëndësishmja, nëse ai do të kishte ndonjë ndjenjë të mbetur.

Por, e papritura ndodhi. Siç ndodh shpesh në realitet dhe më pak në mendimet tona të strukturuara. U takuam dhe nuk e njoha. Njeriu që takova ishte një djalë i ri i zakonshëm në momentin delikat të kalimit nga rinia në pjekuri të plotë, pothuajse në hyrje të mesmoshës nëse duhet të jem brutale. Por, e takova dhe nuk shihja asgjë të njohur, veçse një maskë e cila për mua ishte më tronditëse se ajo e Joker-it apo e ndonjë personazhi tjetër të frikshëm. Ai fliste mbi gjëra normale, në mënyrë të qartë dhe të arsyeshme por mua më dukej se fliste pa hapur gojën. Buzëqeshte po sytë nuk ndryshonin apo ndriçonin, vetëm dhëmbët shfaqeshin. Pata ndjesinë e tmerrshme se po të shihja përtej tipareve do të dalloja vetëm boshllëk, ajër, anën tjetër të rrugës. Asnjë gjurmë e atij që unë njihja nuk kishte mbetur. I kishte fshirë, njërën pas tjetrës.

Më pas, fillova të dalloj ndryshime të vogla, pothuajse të padukshme, edhe te të tjerët, veçanërisht njerëz reth moshës tridhjetëvjeçare, dekada më e bukur, një lloj kulmi por edhe ura nga fëmijëria/rinia në pjekje të plotë. Këto shënja nuk përfshijnë ato më të përfolurat apo të dukshmet si barku i rrumbullakosur, rënia e flokëve apo rrudhat. Në njerëz të caktuar, këto mund të funksionojnë edhe si avantazhe; tipare që do shkatërronin të tjerë, në disa janë vetë thelbi i sharmit. Por, këtu, iu referohem ndryshimeve të vogla, pothuajse të padukshme të cilat ndikojnë dhe transformojnë gjithçka. Flokë pa jetë, sy të shuar, buzë të cilat kanë marrë formën e një qëndrimi të caktuar ndaj jetës, të gjitha detaje që nuk do të shkaktonin shqetësim nëse nuk do të demaskonin një ndryshim më të thellë se ai fiziku. Shkëlqimi i syve, për shembull. Dëshira për tu fshehur pak nga pak, deri sa njeriu fshihet mbas një shtrese e një tjetre duke u kthyer, në fund, në një pikë që nuk dallohet më. Kështu e imagjinoj humbjen e dritës; si dikush që vendos perde përpara vetes, i/e vendosur as të japë e as ta marrë. Në këtë pikë, as tualeti e as ndërhyrje plastike nuk mund të ngjallin atë që ka vdekur apo, në rastin më të keq, atë që nuk ka qenë asnjëherë. Përkundrazi, ato theksojnë në një mënyrë të dhunshme dhe të sikletshme atë që po mbulohet, nivelin sipërfaqsor të mundimit, dorëzimin e çdo fuqie të brendshme, nënshtrimit ndaj presioneve të jetës e të të tjerëve. Këto shëmtime nuk vijnë nga dielli apo nga koha që kalon por prej ndonjë urdhëri në punë që zbatohet pavarësisht se shkon kundër çdo nervi apo qelize, shoqëri e zgjedhur për përfitim në vend të një ndjenje të vërtetë afërsie, një partner për sigurinë iluzore por të shumëkërkuar në vend të respektit apo dashurisë së vërtetë, një fasadë e vendosur si mburojë për hatrin (apo sulmin?) e të tjerëve. Gradualisht, ajo rëndohet e shtyp njeriun që, dikur, ishte brenda.

Një trup i rregullt por pa vitalitet, një i fryrë artificialisht por pa përmbajtje, një fytyrë e pikturuar por pa dritë nga brenda, flokë të drejtuara e të nënshtruara apo të përdredhura për të qenë “lozonjare,” pa pikë natyrshmërie, të gjitha tregojnë të vërtetën e thjeshtë se sado të përpiqemi, bukuria nuk pranon rrugë të shkurtra. Si jeta. Ajo që prodhon të bukurën – e cila nuk mund të përkufizohet me proporcione apo të shpjegohet me detaje teknike por mund të dallohet vetëm nga ndjenja e marrë prej saj – është jetë, gjallëri, një energji që nuk mund të formulohet tërësisht në fjalë. Ka në bazë diçka të shëndetshme që jeton e ushqehet, çfarëdo të jetë ajo. Jo e mirë apo e keqe – ndoshta të gjitha duhen – por e vërtetë. Si pemët apo lulet të cilat, mbi të gjitha, kanë nevojë për një tokë të pasur e pjellore që të rriten e të lulëzojnë më tepër se prerjen e herëpashershme të degëve apo gjetheve. Në rastin e njerëzve, ajo që e ushqen tokën ndryshon nga individi në individ por ekspozimi ndaj të bukurës në çfarëdo forme, kultivimi i saj, një ndjenjë lirie dhe drejtësie ndaj vetes e rrjedhimisht, të tjerëve, nuk mund të dëmtojnë.

Një tjetër personazh fëmijërie më kujtohet, një shoqe kësaj rradhe. Megjithëse, shpeshherë, duket e pakujdesshme me veten, ndonjëherë vetë-shkatërruese madje, ajo ruan të njëjtën pamje si në ditën e parë që jemi takuar, mbi njëzet vjet më parë. Gjithkush që e ka njohur si vajzë të vogël, do ta dallonte menjëherë tani, të rritur. Në jetë, ajo ka bërë çka dashur, për mirë a keq. Pavarësisht apo pikërisht për këtë arsye, ajo duket gjithmonë njësoj, thjesht vetvetja, ekzotike dhe e veçantë sikur vjen nga ndonjë vend latin apo afrikan, i pasur me fruta dhe lule plot ngjyrë e aromë.

“E vërteta është e bukura dhe e bukura, e vërteta,” shkruan John Keats por kurrë nuk do e kisha kuptuar si një shprehje kaq e thjeshtë në dukje të ishte aq e thellë sa mund të shpjegonte edhe sipërfaqen.

 

by Kleitia Vaso