by Kleitia Vaso

Dy fragmente, ndoshta jo të lidhur me njëri-tjetrin:

Episodi I

Një shok të cilin e takoj rrallë, por që gjithmonë gjen një mënyrë për të ushqyer egon time vazhdimisht të uritur, i frymëzuar nga një periudhë e gjatë shkëputjeje, po krahasonte ngjyrën e syve të mi me ngjyrën e gjelbërt të detit, duke përmendur gjatë gjithë kohës lloje xhehaviresh si smerald, kobalt, qelibar. Ndërkohë që e dëgjoja në mes të rrugës, në një ditë me diell, e shkëputur nga vendi dhe koha – litania e xhevahirëve pothuajse më hipnotizoi dhe fshiu gradualisht por krejtësisht rrugën dhe njerëzit rreth meje – e dehur nga imazhi i idealizuar i vetes, pashë se miku im po kruantë tërë kënaqësi dhe pa u përmbajtur veshin e tij. Nuk do t’a kisha vënë re kurrë, për të qenë e sinqertë, e zhytur siç isha në një botë ngjyrash dhe ndjesishë, por ai, me të njëjtën mospërfillje, kërkoi ndjesë: “Më fal,” tha, “më duhej t’a bëja. Nuk mund t’i rezistoja dot nevojës.” E rikthyer përsëri në tokë, me forcë, arrita në konkluzionin se shoku im, si gjithë njerëzit e tjerë, por secili me nivele të ndryshme të secilës pjesë përbërëse, ishte njëkohësisht poet dhe bishë.

Episodi II

Duket e qartë se shpeshherë në jetë, problemet janë një çështje mase dhe ekuilibri. Le të themi që biseda kryesore në këtë episod ndodhi në një ekspozitë artistike. Nuk shkoj aq sa mund të supozohet në këto ekspozita për shkak të një dembelizmi të lehtë por, gjithashtu, sepse aspekti social pengon krijimin e një marrëdhënie të vërtetë me veprën e artit. Nuk përqëndrohem dot sepse nuk mund të injoroj prezencën e të tjerëve rreth meje. Megjithatë, këto evenimente nuk janë tërësisht të pakëndëshme; të paktën, ato ofrojnë një devijim nga rutina e përditëshme dhe ekziston gjithmonë një element surprize në lidhje me punën apo njerëzit që takon. Mund të mësosh diçka të re, në fund të fundit. Në një rast të tillë, e nisur pa ndonjë lloj entuziazmi por edhe e gatshme për të pranuar dhe marrë të mirat e situatës cilado qofshin ato, po flisja me një të panjohur për të cilin, duhet pranuar, ndjeva një antipati iracionale që në momentin e parë. Kjo ndjenjë nuk kishte të bënte me pamjen që ishte  mëse normale por me mungesën e natyrshmërisë së tij. Më dukej sikur personi në fjalë pozonte vazhdimisht, zgjidhte çdo fjalë boshe, por relativisht të gjatë, me kujdes, duke u siguruar që të përdorte gjuhën e pastër letrare, të pasuruar, në momente deçisive, me ndonjë fjalë brutale, “shokante” për të intensifikuar eksperiencën. Ndërsa fliste për “arkitekturën” e gjithçkaje, nga një ndërtesë tek një stilolaps, ndjeva dëshirën e fortë dhe pata fantazinë për t’a lënë bisedën përgjysëm, pa paralajmërim, dhe për t’u arratisur me personin që pastronte sallën, rojen, me gjithkë që do të më kursente ato fjalë boshe. Në fakt, doja të ikja në mënyrë demonstrative me këdo për të cilin fjalët nuk përbëjnë bazën e personalitetit apo profesionit.

Atje kuptova dëshirën e Alice (Nicole Kidman) në filmin Eyes Wide Shut kur përmbys botën e sigurt të bashkëshortit, Bill-it (Tom Cruise) duke i rrëfyer në një moment vetësigurie të tepruar nga ana e tij se në një moment tërheqje ekstreme, ajo do të kishte braktisur atë dhe fëmijet e tyre për një oficer marine. Të njëjtën dëshirë për përmbysje dhe shkatërrim të rrufeshëm arrogance përjetova dhe unë për pak çaste. Por, më pas, duke u kthyer nga ekspozita, pashë, si gjithmonë, se “shpëtimtarët” e heshtur të fantazive të mia të mëparshme (më vjen keq për këtë thjeshtëzim dhe përgjithësim) ishin po të njëjtët që bëjnë zhurma të çuditshme me dhëmbë dhe thonë fjalë vulgare çdo herë që iu kalon pranë një femër; të njëjtët meshkuj të cilët ulen, pijnë, hanë qofte dhe flasin me të njëjtët shokë (meshkuj) për të njëjtat tema dhe, kur mbarojnë, vrapojnë të lirohen nën urat e Lanës.

by Kleitia Vaso
  • Iva Tavanxhiu

    “Nuk përqëndrohem dot sepse nuk mund të injoroj prezencën e të tjerëve rreth meje.” Ja vlejti leximi i esese, me beri te kuptoj arsyen se pse dhe une nuk i frekuentoj aq shpesh keto ekspozita, pavarsisht kuriozitetit per te pare cfare ndodh aty. 🙂

    • Kleitia

      Iva sa mire qe i komenton se keshtu secila merr dicka 🙂 Me vjen shume mire qe te pelqeu dicka qe eshte vetem terthorazi e lidhur me kuptimin kryesor – ke gjetur dicka pak me te fshehur. Faleminderit:)))