by Kleitia Vaso

Në disa ditë të caktuara, ndjehem si një bombë e kurdisur; që do të shpërthej është e sigurt, por kur, ku dhe me kë zakonisht ia “lë fushës,” siç thotë një shok po aq i apasionuar pas futbollit sa unë. Kjo parantezë nevojitet por nuk mohon faktin se shumë transaksione në Tiranë ofrojnë shkëndijën e duhur të frustrimit për të marrë flakë.

Shkëmbimi fatkeq ndodhi një ditë të bukur të shtune në një nga dyqanet më të mira për orë, në zonën më të populluar dhe të shtrenjtë të kryeqytetit.Në shumicën e rasteve, nëse marr mundimin t’i kushtoj kohë diçkaje si një ndërrim rripi ore do të thotë se ora ose çfarëdo të jetë, ka rëndësi për mua aq sa detajet e tjera si çmimi ose koha kalojnë në plan të dytë; zakonisht, për shembull, harroj të pyes paraprakisht për çmimin e shërbimit. E vetmja gjë që kërkoj është që të bëhet mirë; minimalisht, në rastin specifik, që rripi i orës të jetë i njëjti me paraardhësin e tij, sidomos kur ndërrimi, siç mësova më vonë, është relativisht i shtrenjtë dhe porosia kërkon më shumë se disa muaj të plotësohet, sepse siç m’u shpjegua, “pjesët” vijnë nga Italia e largët.

Në ditën e përmbushjes së porosisë, të cilën në fakt unë e kisha harruar deri në momentin që m’a rikujtuan, pas 4 muajsh, predispozita ishte për shpërthim por, po aq lehtë mund të kthehej, nga diçka e bërë mirë, në mirënjohje dhe kënaqësi. Ndërkohë që ngjyra e rripit ishte e “përafërt,” materiali ishte pa lidhje me atë paraardhës, një krim në sytë e mi sepse materiali shumë i butë dhe ngjyra e papërcaktuar midis rozës dhe bezhës ishin dy faktorët që më bënë të dashurohesha me orën që në fillim dhe, fatkeqësisht, me produkte, kjo nuk ndodh dhe aq shpesh. Ndoshta reagimi im ishte dramatik – në linjat e mbretëreshës së zemrave tek Liza në Botën e Çudirave, e cila vazhdimisht kërkon koka të prera ose Akilit pasi i vrasin Patroklin e tij të dashur – por kur pronari i vetëdeklaruar i dyqanit m’u kthye me “vajzë e mbarë,” më kujtohet që fjalimi im irracional filloi me “djalë flori” dhe pastaj nuk mbaj mend asgjë sepse m’u errësuan sytë dhe mendja.

Gjendja nuk vazhdoi gjatë por për t’a pare situatën me objektivitet iu drejtova këshilltareve të mia kryesore, S. dhe J., e zhgënjyer nga një vend i cili, siç ndodh rëndom, dukej më cilësor seç ishte. “Ai dyqan nuk është për ne,” tha S., “është shumë i shtrenjtë dhe është për laca me lekë që duan marka.”Faleminderit S. Në fakt, ka kuptim. Më në fund, mori kuptim dhe slogan-i i Breil-it: Mos ma prek Breil-in!  Ndoshta pronari, pa shije në veshjen e tij, nuk i dha rëndësi lëkurës së rripit por faktit që ishte e njëjta markë me orën dhe vetëm përafërsisht çfarë duhej.Dhe, ndoshta, unë nuk do t’a kisha vënë re kurrë ose nuk do të më kishte interesuar nëse nuk do të kisha jetuar një periudhë të gjatë dhe vendimtare në vendin e konsumerizmit dhe mirëqënies materiale, në Amerikën e largët vërtet. Por, S. më drejtoi në rrugën e duhur të përkthimit të këtij episodi qesharak; jemi akoma në fazën e ngjyrave të forta dhe shkëlqimit, një fenomen që përfshin një lloj shëmtie interesante, të kundërt me materialet shumë të mira por zakonisht bezhë, jeshile ushtarake, gri ose diçka e ngjashme, diskrete por të mërzitshme të Amerikës. Megjithatë çfarë vlerësoj tek Amerikanët si një popull pragmatik është komoditeti i tyre, për shembull, ndjesia e një materiali të butë në lëkurë.Ne kemi filluar pak në këtë rrugë por që nga fenomeni i takave të shtrembëruara e materialeve sintetike duket se lëkura jonë është shqetësimi i fundit dhe ajo çfarë perception tjetri, i  pari. Ndoshta kjo shpjegon ngecjen në masë të njerëzve në marrëdhënie e vende pune të ndenjura e të lodhura.

Si një lloj ngushëllimi i zymtë m’u kujtua një nga filmat e Paolo Sorrentinos, Njeriu shtesë (L’uomo in più, 2001), në të cilin dy personazhet kryesorë janë të lidhur tërthorazi nga emri i tyre dhe një fat i ngjashëm; në fakt,nga fati i përbashkët njerëzor ku uljet janë proporcionalisht të lidhura me ngritjet. Njëri, ish-këngëtar i njohur,mbijeton, ndërsa tjetri (ish-futbollist)jo dhe faktori dallues është liria: varësia e njërit nga njerëzit e tjerë për të plotësuar ëndrrën e tij fikse si trajner futbolli dhe liria që përfshin edhe neglizhencën totale të të tjerëve, në momente shkatërruese, e tjetrit. “Sono un’ uomo libero,” thotë Tony Pisapia (Toni Servillo) dhe kur filmi mbyllet me fytyrën e tij të qeshur në burg, i lumturuar nga duartrokitjet e shokëve të qelisë për një peshk të shijshëm që ka gatuar, spektatori e kupton që liria e vërtetë është e brendshme dhe mbrojtja e saj, i vetmi shpëtim.

by Kleitia Vaso