by Kleitia Vaso

Sa mendon se shpëton nga zhurmat e ndërtuesve amatorë të lagjes, ata shëmbin diçka dhe fillojnë përsëri. Duke i parë me një kombinim bezdisjeje dhe keqardhjeje, tek shëmbnin, gradualisht, pjesë të një pallati të pakuptimtë që në fillim, por me pamjen e të cilit tashmë isha mësuar, po përpiqesha të kuptoja si nuk lodhen asnjëherë nga zhurma shurdhuese e matrapikut. Më pas, gjatë bisedave me J., të cilat pavarësisht kohës së gjatë të njohjes, janë gjithmonë informuese dhe komike ose dramatike sipas rastit, arritëm në konkluzionin spekullativ që burrave të lagjes iu duhet zhurma për të mbytur mendimet në lindje, në zhvillim, ose në grahmat e fundit. Ndërtim, shkatërrim, thurrje, shthurrje…më kujtojnë Penelopën e Odisesë që në pritje të tij, për të kaluar kohën dhe për të shmangur admiruesit e saj të shumtë,  thurrte dhe shthurrte rrjetën e saj – megjithëse shthurrja e përnatshme lë hapësirë për keqkuptim.  Po ndërtuesit e apasionuar për kë po presin? Cili është Odiseja në këtë rast? Dhe, cila pjesë iu sjell më kënaqësi, ndërtimi apo shkatërrimi? Nuk mund t’iu përgjigjem këtyre pyetjeve por thjesht di që ky proces pa fillim e pa fund, është riti i çdo të shtune e të diele në qytetin tonë të dashur dhe qesharak.

J. ofroi një krahasim edhe më të saktë se i imi i cili, më shumë se për t’i shërbyer të vërtetës dhe për hir të saj, më tepër më argëtoi duke u nisur nga mendimi pak fëmijnor i përmbysjes të botës të këtyre meshkujve, duke i transformuar ata nga qëniet gjysmë burra, gjysmë derra të Circes të cilët, me raste, duket sikur flasin me hungërima, në heroina të bukura, delikate, vazhdimisht në pritje të dikujt; gudulisja figurative këtu vjen nga krahasimi i një pasioni dhe përkushtimi i konsideruar thelbësisht mashkullor me një nga personazhet definitive femërore të letërsisë botërore. J. deklaroi, dhe unë, me të drejtë, mbështes këtë interpretim më tepër, se ndërtuesit e apasionuar i kujtojnë Sizifin e shkretë, përfaqësuesin e denjë të ne të gjithëve, i cili me mundim ngjit gurin përgjatë kodrës, vetëm që ai t’i rrokulliset përsëri mbrapsht që ai t’a ngrejë prapë, ad infinitum. Përpunimi shpresëdhënës i mitit nga Camus, i cili shpreh se pavarësisht kotësisë të procesit, kuptimi mund të gjehet tek vetë akti, i tregon punëtorët e palodhur nën një dritë më pozitive. Edhe Candide i Voltaire, në fund, pas eksperimentimit me filozofi të pafundme, gjen të vetmin kuptim tek akti fizik i punës. Vërtet, në një moment vështirësie që mund të përshkruhet si një ngecje e përkohëshme në mendjen time, një zhytje graduale të pakuptimtë, dikush më tha: “Kur je në këtë gjendje, bëj diçka, thyej një pjatë, vetëm lëviz.” Dhe, shpeshherë, në momente dramatike që unë me raste i shkaktoj edhe vetë, më kujtohet edhe një tjetër burrë i mençur, Churchill, në momente kur problemet e tij ishin pa dyshim më madhore se të mijat, i cili këshillon, “Nëse po ecën mespërmes ferrit, vazhdo!” dhe unë e plotësoj me “vazhdo, ec!,” duke theksuar kështu shpërqëndrimin që shkakton aktiviteti fizik, herëpashere i përbuzur prej meje, por, gjithsesi, shumë i vlefshëm.

 

by Kleitia Vaso
  • Iva Tavanxhiu

    haha me pelqeu shume shkrimi! Eshte e cuditshme se si matrapiku nuk ju terheq vemendjen vetem juve po zgjon Penelopen, Sizifin, Churchillin e kush e di ke tjeter 🙂 ndertues-shkaterruesit e apasionuar e paskan te pakten nje efekt.

    • kleitia

      Shume faleminderit Iva se here pas here duhet te degjosh qe i pelqen dikujt! Kjo eshte e bukura e letersise dhe e jetes, ne pergjithesi – qe pa e kuptuar cdo gje qe sheh, lexon, takon behet pjese e jotja…edhe ndertuesit ne fund te fundit.