by Kleitia Vaso

Vjen një moment kur, më në fund, arrijmë të kuptojmë vërtet ndonjë frazë të dëgjuar me mijëra here më parë. Nëna natyrë, sipas natyrës.

Sepse çdo transformim ngjason me daljen e mundimshme, të pështirë, torturuese të një pupe që çan krisalidën mbështjellëse aq ushqyese sa edhe mbytëse. Tendosje, shtyrje, formim e deformim për tu shafqur si flutur, në rastin më të mirë.

Që hëna, gjithmonë e plotë dhe konstante, zgjedh çfarë tregon dhe fsheh, duke na habitur në momente me rrumbullaksinë e saj velëse ose me një tepricë drite të zbehtë – që për arsye të kontrastit të të kundërtave, është më e bukura dhe më misteriozja – kurse në të tjerë refuzon të shfaqet, çekuilibruese, duke na lëkundur besimin tek perceptimi ynë ose tek ajo vetë. Me turne, shpirtgjerë dhe mizore, si një mbretëreshë tekanjoze dhe irracionale e cila na ofron aq sa mendon ne meritojmë në atë çast.

Nëna e baticës dhe zbaticës të cilat i kuptojmë vërtet vetëm kur e njëjta forcë ushtron pushtetin e saj në jetët tona. Që, në momente, bollëku i jetës reflekton mirëqënien dhe bujarinë tonë në mënyrën se si shohim veten dhe të tjerët, ndërsa në një moment tjetër, bota jonë pasqyron një guackë të mbyllur kokëforsisht, e padepërtueshme nga rreziku i jashtëm, e cila na mbron  e nuk jep apo merr por thjesht këmbëngul në heshtjen dhe tërheqjen tonë nga gjithçka tjetër.

Që, pavarësisht fundeve të bukura në përralla, edhe mjellma më mahnitëse vuan  po ashtu si kushërirat e saj më modeste, patat, duke lëvizur mundimshëm dhe pambarimisht thjesht për të reflektuar qetësi në sipërfaqe. Bukuria e saj nuk e shpëton nga përpjekjet dhe betejat por, së shumti, i fal një ndjenjë sipërfaqsore empatie nga spektatorët që e sodisin në një kopsht zoologjik, një park ose liqen, në rastin më të mirë.

Që dielli krijon dhe shkatërron e kështu me rradhë.

 

by Kleitia Vaso