by Kleitia Vaso

Duke dalë gjysëm të sëmura dhe të lodhura nga një prej mini marketeve të lagjes, unë dhe J. po përpiqeshim të ndanim barazisht dhe drejtësisht qeset e stërmbushura me gjëra kot dhe plot. Ndërkohë që përpiqeshim, pa fjalë, të ndihmonim njëra tjetrën pa dëmtuar veten njëkohësisht, vumë re që dilema e vërtetë qëndronte jo aq shumë në shpërndarjen e peshës, sesa në ndarjen e vlerave; njëra duhet të merrte një qese gjigande me letra higjenike, ndërkohë që tjetra thjesht duhet të duronte peshën.
“Cilën do zgjedhësh?” tha J. me një ton të pafajshëm dhe djallëzor në të njëjtën kohë, dhe unë, si çdo herë në jetë, pak a shumë, zgjodha gjënë më të lehtë për momentin, por më shqetësuesen të parë me largpamësi. “Do marr letrën,” thashë e sigurt. “E dija që do zgjidhje këtë,” tha J., “midis dinjitetit dhe peshës, le dinjitetin, siç pritej, për pak lehtësi.” Për mua, rruga ishte më e lehtë fizikisht, por me një brerje të lehtë ndërgjegjeje dhe një lloj dyshimi tek forca e karakterit. Për J. më e vështirë fizikisht dhe më e thjeshtë moralisht.

Megjithëse lidhja duket indirekte, kombinimeve komplementare të njerëzve të ndryshëm në marrëdhënie iu vendos vetvetiu titullin Let the right one in/Lejo të duhuri(ë)n brenda. Do të doja t’a kisha menduar vetë këtë titull por, në fakt, i përket një filmi suedez të zhanrit specifik romancë-horror. Filmi paraqet historinë e një vampiri, përjetësisht para-adoleshent, pa gjini të përcaktuar, i cili/e cila miqësohet me një dalë moshatar të vetmuar dhe më të dobët fizikisht se ai/ajo. Vampiri e mbron djalin e pafuqishëm nga torturat e vazhdueshme të ushtruara mbi të nga moshatarët e tij më të fortë për momentin.  Siç kuptohet gradualisht nga zhvillimi i filmit, djali i vogël do të shndërrohet më vonë në shokun konstant më të madh në moshë të vampirit, babain në dukje, i cili furnizon vampirin me ushqimin që i nevojitet, ndonjëherë edhe nëpërmjet vrasjes. Kështu merr kuptimin edhe titulli; secila palë kërkon të gjejë partnerin e duhur për t’a ushqyer me atë që i mungon. Megjithëse njëra palë mund të konsiderohet fitimtare – në rastin specifik vampiri i mirëushqyer – secili/a merr atë që i duhet, dhe pluset, siç duket, peshojnë më tepër se minuset.

by Kleitia Vaso
  • Princesha MbiBizele

    fiksim na e bere,who is the J? 😉

    • k

      Hahahaha do te quaj gjuetari i emrave:)) Do i bej te gjitha X!