by Kleitia Vaso

Sa herë kam dashur ta mësoj lojën e shahut, ka qënë më tepër për ta përdorur si metaforë sesa të luaj ose të fitoj. Kam frikë se asnjeri nuk fiton, në fund të fundit, megjithëse në fund të lojës zakonisht shpallet një fitimtar. Shpresoj që fitimtari të ndjehet paksa fajtor që e ka vënë kundërshtarin me shpatulla pas murit. Në këtë rast, ndjej shumë më tepër empati për të ngecurin sesa fitimtarin më të duruar dhe strateg.

Njohja e vetëm lëvizjeve më elementare të lojës – të cilat kam frikë se nuk do më çojnë askund – nuk më ka ndaluar që shpeshherë, pa patur aspak turp për mungesën e njohurisë në lidhje me lojën, të mendoj “Ah, ja edhe një herë, gjendem shah-mat!” Ndërkohë që e mendoj këtë shprehje që nuk më takon ta përdor, më shfaqen edhe figurat, të cilat lëvizin sipas imagjinatës time dhe jo rregullave të lojës, duke u ndalur, në fund, tek mbreti i dorëzuar ose, më saktë , tek mbretëresha e rrethuar, e cila, po në imagjinatën time, rrotullohet e panikosur për të gjetur një rrugëdalje, një shpëtim. Por, aspekti më mizor i këtij pozicioni dhe i lojës, në përgjithësi, është pikërisht ky: mbarimi i opsioneve, mbyllja e çdo rrugëdaljeje.

Të qenit larg një daljeje, edhe në kutpimin e parë dhe fizik të fjalës, është ndoshta ndëshkimi më i madh për mua. Nëse më intereson diçka ose dikush, mund të qëndroj me orë të tëra pa lëvizje, pa u ndjerë e paduruar ose e zënë në grackë. Shtoji kësaj tabloje të këndëshme të zhanrit “natyrë e qetë” një turmë njerëzish dhe/ose një derë të largët dhe, fatkeqësisht, gjallërohet. Në këtë pikë, mund të vësh re bebëza syri që zmadhohen, një zverdhje të lehtë, dhe gjeste pothuajse të paperceptueshme por të shpeshta nervoziteti në vendin që tashmë e konsideroj si kafaz.

Megjithëse gjithmonë kam qenë e ndërgjegjshme për një parehati të vogël fizike në hapësira të mbyllura ose thjesht te kufizuara, gradualisht kam kuptuar se më tepër se me hapësirën, ky reagim lidhet direkt me mungesën e perceptuar të rrugëdaljeve. Kur kjo ndjesi ngecjeje i përket një situate metafizike, personi i prekur mund të shijojë një copëz ferri. Pikërisht në këto momente të rralla e kam kuptuar plotësisht ndjesinë e vendosjes me shpatulla pas murit, pa mundësi lëvizje drejt, diagonalisht mbrapsht sepse dalja nga fusha – në këtë pikë – nuk pranohet. Ky rezultat i trishtë vjen nga faktorë të panumërt: vetë fusha, lojtarë të pakujdesshëm, lëvizje të nxituara. Por, pavarësisht faktorëve të jashtëm që lehtësojnë një pjesë të barrës, fajin më të madh, pa dyshim, duhet ta pranojë vetë mbreti ose mbretëresha.

Addendum

E kisha harruar këtë ese duke e konsideruar të paplotë por dikush, së fundmi, ma rikujtoi. Pyetja e cila lidhi situatën reale me lojën dhe, rrjedhimisht, esenë ishte e thjeshtë: “Na imagjinon në anë kundërshtare apo të njëjta?” dhe përgjigja ime instiktive ishte të kundërta, gjithmonë të kundërta, përgjigje e cila është më e thjeshtë seç duhet dhe e gabuara, në këtë rast. Por, krahasimi i natyrshëm midis jetës dhe shahut më risolli imazhe të një hobi të vjetër: kategorizimin e qartë të gjërave dhe njerëzve realë të bazuar në një mikrokozëm më të qartë fiktiv.

Pas përgjigjes të nxituar, mendova në copëza dite e nate për atë të vërtetën. Gjithashtu, si një fëmijë, u përpoqa t’iu caktoja në mendjen time role personazheve të ndryshme, të afërt e më të largët, të jetës time. Cilët janë ushtarët? Kalorsët? Kullat? Mbreti? I njëjti person më rikujtoi diçka që unë shpesh harroj, tani më pak se më përpara; se njerëzit nuk janë figura statike shahu, në fakt. Jeta, ndryshe nga fusha, lejon për ndryshime rolesh dhe pozicionimesh: një ushtar mund të bëhet edhe një mbret, për shembull. Kjo e shoqëruar me një pafundësi opsionesh e mënyra lëvizjeje, jo vetëm drejt, mbrapsht, diagonalisht, etj. Por, me gjithë fleksibilitetin dhe hapësirën e madhe të jetës në dukje, përsëri vijnë momente ku përfundon, pavarësisht përpëlitjeve, me shpatulla pas murit, me asnjë opsion tjetër përveçse atij më të dhimbshmit, dorëzimin pa rikthim. “Shah-mat!” thua me vete, me shpatulla të ulura e kokë të varur, duke menduar strategjinë më të zgjuar e të pasuruar tashmë nga humbja e duke u përgatitur gradualisht, ngadalë, në fillim, e pastaj, më shpejt, për një lojë tjetër.

by Kleitia Vaso