by Kleitia Vaso

Mënyra më shpresëdhënëse dhe ndoshta ajo më e vërteta për të parë qiellin dhe detin është si një trup i vetëm i pandarë. Kjo mundësohet veçanërisht në momente gjatë të cilave deti humbet pak nga e gjelbra, qielli fiton një thellësi pak më të rëndë dhe ngjyrat e tyre plot nuanca të dukshme e të fshehura, por gjithmonë të ndryshueshme, përafrohen aq sa nuk mund të mohohet se ndarjet e gjërave i kemi krijuar ne.

Një mënyrë tjetër, barazisht e vërtetë dhe e bukur, por ndoshta jo aq shpresëdhënëse është që të dy janë përjetësisht të ndarë, njëri i pezulluar përjetë sipër tjetrit. Ky këndvështrim mund të duket sikur kundërshton të parin, por nuk besoj se është kështu. Gjithmonë shtrihen pa kufij paralelisht, duke ruajtur të njëjtën distancë, hiq një re këtu, shto një dallgë atje, dhe ndoshta përsëri – se si mund ta di – për të mos ta cënuar atë afërsi/distancë, nuk takohen kurrë. Kufizimi ynë shqisor nuk na lejon t’i ndjekim  deri në pafundësi kështu që, me vullnetin tonë kokëfortë por të verbër, i bashkojmë me forcë apo ndajmë (?) në mënyrë definitive nëpërmjet vijës iluzore të horizontit. Kjo pikë takimi e imponuar tradhëton dëshirën tonë jo aq të fshehtë për një happy ending. Por çfarë është happy dhe çfarë ending? A ka vërtet një fund? Çfarë është një happy ending?

by Kleitia Vaso