by Kleitia Vaso

Dashuria

Në momente ekzaltimi, të shkaktuar nga një fjalë e ëmbël e thënë ose e shkruar në momentin e duhur apo prej një gjesti bujar që përkon me një predispozitë veçanërisht mikpritëse, ndjej se mund të doja – diçka apo dikë – pafundësisht nëse bota do ta lejonte. Marrësi i kësaj dashurie do të ishte dhuruesi i fjalëve ose gjesteve, ndërsa bota i përfshin të gjitha: veten, personin tjetër dhe kufinjtë e vendosur nga njëri e nga tjetri. Gjithsesi, ndjej, pikërisht gjatë këtyre momenteve të ekzaltuara, se marrëdhëniet e njerëzve në përgjithësi, nëse ata do të ishin të vërtetë me veten e më pas edhe me tjetrin, të patrembur për të vepruar instinktivisht, sipas dëshirës, të pakursyer e të pallogaritur, do të merrnin një formë tjetër nga ajo e zakonshmja e cunguar. Mund edhe të mos kishin një formë të caktuar, diçka e pakonsiderueshme për shumë. Kjo alternativë, ekzistenca e të cilës perceptohet  vetëm në çaste hiperndjeshmërie, do të çonte në një dashuri pa kufij të vetëpërcaktuar – ose atë të cilën shumë e quajnë “dashuri të çmendur” – për sa mund të zgjasë, për aq sa do të zgjaste natyrshëm, pa u zvarritur artificialisht. Ndoshta, kështu do të jetonte më tepër. Por, si gjendje, ekzaltimi nuk është rezistent apo persistent dhe shpesh i pritet hovi nga realiteti. Shumë pak njerëz mund të përballojnë për një periudhë kohe të “zgjatur” të mirën apo të keqen ekstreme. Shumica e ndjenjave, përjetimeve, marrëdhënieve marrin rrugën që gradualisht, si pa kuptuar, iu nënshtrohet kushteve, mundësive, të ardhmes të panjohur por të shumëplanifikuar. Çfarë mbetet është thjesht njohuria e një versioni shumë më të pasur se realiteti kurnac.

Kjo luhatje midis afërsisë frustruese të një bote më të pasur dhe asaj reale sjell ndryshime të vazhdueshme këndvështrimi. Në disa çaste, njerëzit më duken lehtësisht të zëvendësueshëm, ndërsa herë të tjera çdo ndarje e përkohëshme ose permanente përjetohet si një lloj vdekjeje. Një fije i ndan këto gjendje apo përjetime ekstreme. Një lëshim ose mbledhje mendje. Afër lëshimit imagjinar, një fije më ndan nga shkrirja në një dallgë dhe pastaj avullimi në ajrin e lirë, pa limit. Por, në shumicën e kohës, e ndikuar edhe nga ambienti, një njeri është i ngjashëm me një tjetër, gjithçka më duket lehtësisht e kontrollueshme dhe e manipulueshme, pa peshë, jeta e pabesë dhe une si ajo.

Ndarja ose Vdekja

Kur i lejoj vetes të mendoj për njerëzit nga të cilët jeta të ndan për çfarëdo arsye, duke përfshirë këtu edhe vdekjen, shoh përreth dhe më duket e pabesueshme që vazhdojmë të funksionojmë, të veprojmë. Mendimi i një momenti – se po ta linim veten të mendonim për shumë gjatë çfarë kemi humbur, që disa gjëra, ndjesi, episode nuk do të përsëriten kurrë më, do të ishim duke ulëritur nga dhimbja, si kafshë të plagosura, ulërima i vetmi tingull në botë. Por, nuk zgjat shumë sepse një sekondë e përjetuar përkthehet në hapa të tërë vrapi të mundimshëm larg nga kjo gjë mbytëse. Është më e fortë se ty, më afër se ç’mendon, gjithmonë duke pritur e mbuluar nga qindra vogëlsira dhe detaje rutinë  të cilat trajtohen me pothuajse po aq rëndësi sa lindja dhe vdekja, dashuria, fillimi dhe fundi, lëndime që marrim dhe japim, të cilat, për shkak të një ndjeshmërie të tepërt dhe të mprehtë por po aq të përkohshme – ndryshe do të ishte vdekjeprurëse – i përjetoj si fundi i botës, me temperaturë dhe besimin, gjithmonë jetëshkurtër por të plotë, se kjo, çfarëdo qoftë, fyerje, koment, ndjesi, gjendje, nuk kapërcehet, është tepër e fortë për ta përballuar. Ky është fundi, mendoj, nuk mund të rregullohet më asgjë, nuk ka rikthim dhe rregullim, jeta s’do të jetë kurrë më e njëjta. Por, më pas, pesha e papërballueshme lehtësohet, artificialisht  apo natyrshëm?! Dhe jeta vazhdon, e pasigurt por pa u thelluar shumë, në sipërfaqe.

 

Ilustrim

Duke ecur me J. na dukej se na ndiqte një burrë-fëmijë i cili, për të përdorur zhargonin me të cilin do e përshkruhej për t’i rënë shkurt, nuk ishte “fort në rregull.” Duke ecur, ai qeshte dhe shkonte sa nga njëra anë në tjetrën, sikur po luante me veten, si fëmijët kur kthehen nga shkolla, në një ditë të bukur me diell duke vrapuar ose kërcyer të lumtur pa pasur nevojë tjua shpjegojnë sjelljen e tyre të tjerëve. Por, ky burrë ishte i rritur dhe pavarësisht mendjes tonë relativisht të hapur (por relative me çfarë?) filloi të na pushtonte nje siklet i arsyeshëm, nga ideja se një njeri, të cilit nuk mund t’ja lexoje mendimet apo ti parashikoje lëvizjet, po ecte ngjitur me ne. Do ta krahasoja këtë frikë gjithnjë në rritje me rrahjet e shpejtuara të zemrës të shkaktuara prej një qeni që të ndjek pas.  Lozonjar apo i qetë qoftë, rreziku që mund të të kafshojë ekziston.

Pa shkëmbyer fjalë me njëra tjetrën, pasi rreziku i perceptuar kaloi, ishim më të lira të ndjenim keqardhje. Dukej aq i çuditshëm, tërësisht i vetmuar midis njerëzve që ecnin drejt dhe nuk lëkundeshin aspak nga njëra anë apo nga tjetra. Një thyerje e vogël zemre. “Gati i urrej njerëzit që nuk çmenden,” tha J. dhe unë pothuajse shpërtheva në lot por, në fakt, vazhdova rrugën, në dukje e qetë dhe në rregull me të gjitha e të gjithë.

by Kleitia Vaso