by Kleitia Vaso

Duke filluar nga Australia, nuk kam mundur dhe nuk më intereson të shoh filma me Nicole Kidman. Rabbit Ho le/Foleja e Lepurit, një film barazisht artistik dhe dramatik,të cilin më përpara do të kisha vrapuar për t’a parë, e pashë rastësisht disa vite pasi kishte dalë. Si aktore, ajo është e mahnitshme në atë film siç është përgjithësisht në interpretimet e saj – sidomos ato që përfshijnë të ndjerin dhe shprehjen e një sasie të papërballueshme dhimbjeje, por fytyra e saj e transformuar para kohe më shkakton dhimbje. Një natë, duke pare dy filma të saj njëkohësisht, Australia dhe Cold Mountain/Mali i Ftohtë, në dy kanale të ndryshme televizive, mund të dalloja lehtësisht ndryshimet katastrofike që i ka shkaktuar vetes brenda pak viteve (5). Në filmin Cold Mountain/Mali i ftohtë, aktorja është akoma e bukur në një mënyrë gjysmë natyrale, megjithëse edhe në atë film, e parë prej këndvështrimit të sotëm, më duket e qartë se megjithë talentin e saj të padiskutueshëm aktorial, ajo nuk mundet t’a kapërcejë mendimin e bukurisë së saj dhe është e ndërgjegjshme për çdo lëvizje në çdo çast, për efektin që ushtron tek ne shikuesit edhe pse n’a ndan një ekran i pakapërcyeshëm. Në fakt, ajo nuk mundet t’a harrojë për asnjë moment fytyrën e saj.

Nuk po e gjykoj; në një fare mase, kuptoj dhe identifikohem me shumicën e problemeve që dalloj tek të tjerët. Nëse e shoh problemin, e kam vetë, ose të paktën gjurmë të tij. Megjithatë, përzgjedhja e kësaj aktore specifike mund të duket e çuditshme. Ekzistojnë njerëz pa fund të cilët kanë ndryshuar pamjen e tyre në mënyra edhe më shqetësuese e ekstreme – gjithë aktoret italiane për shembull; ekzistojnë gjithashtu aktore shumë më pak të talentuara se Kidman, Jennifer Aniston, për shembull, filmat e të cilës vazhdoj t’i shijoj pa asnjë problem, megjithëse ajo është më pak e aftë se Nicole, më pak e bukur dhe me pamje gjithashtu të modifikuar disi.

E vërteta është se e konsideroj transformimin e Kidman-it fatal pikërisht sepse ajo disponon kaq shumë dhunti e aftësi: një pamje pothuajse perfekte, inteligjencë, inteligjencë emocionale dhe ndjeshmëri të jashtëzakonshme. Do të doja që mos t’a kishte shkatërruar fytyrën e saj, mjetin kryesor në aktrim, ose të paktën që dikush t’a kishte ndaluar në një faze më të hershme. Fytyra e saj e tanishme, me ekzagjerimet e dukshme, në vend që të duket më e re, ngjan shumë më e vjetër se mosha e saj reale, sepse duke u munduar të tregohej e shkathët dhe t’i paraprinte plakjes të pashmangshme, u mundua të ndalonte diçka para kohe në vend që të priste, me durim. Ndryshimi i saj shpreh një dorëzim vullnetar ndaj presioneve të shumëllojshme dhe nxjerr në dritë pasiguritë ekstreme që duhen të mbeten pjesërisht të padukshme; por edhe më e trishtueshme është që dorëzimi i sajndodhi përpara se t’ia kërkonte njeri ose edhe vetë jeta.Nëse dy elementë të rëndësishëm të zgjuarsisë janë kapja e momentit të duhur dhe njohja e kufinjve dhe masave, ajo ka dështuar dyfish. Dy aspektet që e bëjnë transformimin e saj të sikletshëm për t’u parë janë pikërisht këto: nxitoi për të parandaluar një process që ende nuk kishte filluar dhe ende nuk di në ç’pikë të ndalojë. Dhe, si në tragjeditë greke në të cilat difekti/dhuntia kryesore e heroit/heroinës (hamartia në greqishten e lashtë) përfaqëson njëkohësisht burimin e fuqisë dhe arsyen e rënies eventuale, bukuria e saj e gërryer me gjurmë të padukshme thike, inteligjenca dhe talenti i saj i pamohueshëm nxisin shmangien e të dëshmuarit të vendimit të saj fatal dhe të keqplanifikuar. Shpresoj që ndërhyrjet e saj të jenë pjesërisht të kthyeshme; por asnjeri nuk do të mbajë zi për dike që është ende gjallë dhe, për këtë arsye, do përpiqem t’a shmang fytyrën e saj aq sa mundem.

by Kleitia Vaso