by Kleitia Vaso

Kohët e fundit, në statuse apo komente në Facebook, shprehje të velura si “magjia e diçkaje,” e vjeshtës apo e pranverës, “ti je dashuri,” fjalët “adhurim” e “mrekulli” kanë filluar të shfaqen në masë. Këto superlativa përdoren pa dallim dhe kursim për të përshkruar gjithçka duke u nisur nga bukuria e një njeriu deri tek ajo e gjetheve të verdha.  Fraza  që më shkaktoi një rrënqethje aspak pozitive së fundmi kishte të bënte më “magjinë e stinës” që, siç nënkuptohej qartazi nga komenti, mund të vlerësohej vetëm nga dikush që “dinte të dashuronte,” pak a shumë. Me siguri, kjo elitë e emocioneve dhe e ndjeshmërisë përfshin folësin/shkruesin dhe grupin e tij/saj të ngushtë shoqëror. Nuk më kujtohet fjalia e plotë sepse nuk u ktheva për ta riparë. Reagimi i shkaktuar prej leximit të parë dhe të fundit përfshinte doza – ndoshta të shproporcionuara – neverie. Mundësia ekziston që shprehja e shfrenuar e ndjenjave më krijon një lloj sikleti për shkak të ndonjë mangësie personale. Megjithatë, refuzimi im, i shprehur në formën fizike të rrënqethjes, si nga i ftohti – tregon gjithashtu praninë e diçkaje të pakëndshme e tepër të shtirur në tekstin e lexuar.

Më duket se intensiteti i fjalëve rritet në proporcion të zhdrejtë me thellësinë e ndjenjës. Sa më “magjik” përshkrimi i ndjesisë së gjetheve të verdha që bien mbi flokë, aq më i dyshimtë më ngjan përjetimi apo kapaciteti për të përjetuar. Sa më vokale shprehja e çdo ndjenje – sa e bukur pema apo qielli apo fotoja e një shoqeje e cila nuk ka bukurinë pikën e saj më të fortë – aq më e madhe bëhet pikëpyetja mbi ekzistencën e ndjenjave të pashprehura. Ato të shprehurat i përkthej si përafërsisht e kundërta e asaj që është shkruar. Sa më tepër “adhurohet” një fenomen që maksimalisht meriton një pëlqim të vakët, aq më shumë dyshoj aftësinë e komentatorit për dashuri, jo më adhurim. Kur shumë njerëz “janë vetë dashuria,” emocioni ose nuk është ndjerë kurrë nga folësi/shkruesi ose termi dhe, rrjedhimisht fenomeni, kanë humbur tërësisht vlerën e mëparshme në këtë botë pragmatike që do të shtrydhi çdo thërrime që i ofrohet por refuzon të vetë-pranohet si e tillë.

Shkalla ekstreme e termave që përdorim i ngjason një gare të çmendur e pa sens për të fituar çmimin subjektiv të “ndjeshmërisë më të lartë”, duke treguar shkallën tonë sipërore të kapacitetit për të shijuar detaje jopraktike, ndërkohë që secili sheh me shumë imtësi interesat vetjake dhe përfitimin konkret. Duke arritur synimet tokësore, duam që në mënyrë artificiale e të sforcuar të shihemi si hyjnorë. Por, koha është flori dhe, si e tillë, nuk harxhohet kot. Dashuri, adhurim, madje edhe sublime – brrrrrr – një fjalë që nuk duhet shpërdoruar për përjetime minore, ndoshta thjesht për të respektuar ekstremet fizike dhe emocionale të vuajtura vetë e të përshkuara nga poetët romantikë thjesht për të fituar të drejtën për ta përdorur këtë fjalë.

Përveç ekzagjerimit që gjithmonë fsheh një mungesë, më duket se ndjenja realisht madhore dhe mbingopëse nuk mund të shprehen tërësisht me fjalë. Mund të përpiqesh t’i rikapësh më vonë, siç ka shkruar Wordsworth-i, “në qetësinë e kujtimit” por, nëse ndjehen me fuqinë e tyre të plotë, e shumta që mund të nxjerrësh në çastin e përjetimit është ndonjë tingull të vetmuar tentativ apo ndonjë belbëzim. Çdo fjalë tingëllon e huaj dhe artificiale në mometin që ndahet nga buzët, stilolapsi apo tastiera e kompjuterit, në shumicën e rasteve. Nuk ekziston fjalë, sado e fortë apo e theksuar me 3 pikëçuditëse apo zemra, për të shprehur dashurinë, adhurimin, magjinë apo nuk di çfarë. Ndonjë dritë në sy a ndonjë pikë loti, ndoshta.

Më vjen ndër mend filmi tajvanez “Vrasësja” i sapoparë me J., armikun më të madh të fjalëve që njoh, me ngjyra e skena mahnitëse por njëkohësisht disi i ngadaltë, sepse është i realizuar kryesisht si një seri pikturash. Aq i ngadaltë, në fakt, sa në një pikë duhet të hapnim dritat që të mos na zinte gjumi. Megjithatë, me pak durim e kaluam këtë pengesë dhe filmin e mbaruam, pa e kuptuar saktësisht fundin, por duke shijuar bukurinë e tij. Elementi që nuk ndihmonte në zbërthimin e historisë ishte pikërisht mungesa e fjalëve; protagonistja thotë tre fjali gjatë dy orëve të filmit. Çdo reagim shprehet me veprim. Për shembull, kur luftëtarja e heshtur nuk do të përfundojë betejën, midis saj dhe armikut, domosdoshmërisht me vrasje, ajo thjesht lë të kuptojë fitoren e saj duke kthyer shpinën dhe duke u larguar, në heshtje, fitimtare.

by Kleitia Vaso